-1.2 C
Pristina
Tuesday, November 26, 2024

E përlotshme/ E ëma rrëfehet me gjuhën e pamundur të të birit të sëmurë: më fal nënë, por s’kam faj!

Më të lexuarat

Një nënë që flet me gjuhën e të birit të pamundur nga sëmundjet e njëpasnjëshme. I përngjan deri diku “Laurës” të Izabelë Alendes, ku shkrimtarja dialogon për ditë e javë më të bijën e sëmurë në zgrip të vdekjes.

Kështu dhe Brixhida, jo e njohur si Izabela, një nënë shqiptare e munduar nga fati i të birit me shëndetin copë-copë, por ende në jetë, falë Zotit, siç ajo dëshiron çdo çast ta thotë këtë, ka vendosur të rrëfehet, me një formë, gjuhë e stil krejt të pazakontë.

Ajo futet në botën e të birit, duke qenë në fakt brenda saj, dhe që aty, me gjuhën e tij të pamundur por të ndjerë, i jep mundësinë të shprehet, për atë vetë, siç dhe vetë ajo shprehet për të birin, një shtjellë ndenjash e përjetimesh që nis e përfundon tek një botë e vetme, e pashqitshme, siç është ajo nënës me fëmijën.

Rrëfimi i Muenis Mashës, ardhur nga fjalët e nënës së tij, Brixhida:

Nënë…fjalë e pathënë…nëna ime, unë jam djali yt që të bëra nënë për herë të parë….por kurrë nuk arrita të thërrasë “mami”. Jam djali yt që çastet e ardhjes time në jetë, nga gëzim u kthyen në frikën e humbjes së birit tënd që akoma se kishe marrë në krah. Unë luftoja për të jetuar, ndërsa ti, me besim dhe e dorëzuar tek Zoti luteshe me shpirtin e nënës. Deshi Zoti dhe e kaluam këtë sfidë mes vuajtjeve të mija e dhimbjes tënde, nëna ime. Mes përpjekjesh e dashurisë tënde, nëna ime, rritesha unë çdo ditë…

Kur erdhi momenti që çdo prind ëndërron e dëshiron që fëmija të thotë fjalën e parë, unë këtë kënaqësi nënë s’ta dhashë. Ti luftove e u përpoq shumë që unë të flasë e ty të thërras, por…

Të shikoj buzët që lëvizin nëna ime, më përkëdhel e më këndon, por unë zërin tënd nuk e dëgjoj. Dhe pse unë s’dëgjoj por e kuptoja pikëllimin e zemrës tënde nëna ime, shikoja si luftoje me durim e besimin në Zot, ti duroje, duroje dhe dhunën që unë ushtroja mbi ty…

Mes përpjekjesh nëna ime ti arrite të gjesh gjuhën e komunikimit, nëpërmjet vizatimit arrite të më kuptoje se çfarë doja por jo gjithçka….

Kaluan ditë e muaj dhe ti nëna ime u përballe me një sfidë tjetër, me një botë të panjohur ku tashmë unë isha futur: Autizmi.

Me besimin në Zot, ti bëheshe më e fortë nga sfida në sfidë. Përkujdesi, dashuria jote ndaj birit tënd s’mungonte kurrë, edhe pse unë te jepja dhunë si shpërblim. Ti mundoheshe të më lumturoje çdo çast e ditë të jetës, ndonse unë rritesha më shumë nëpër klinika e doktorë e ndërkohë shokët e mi lodronin me njëri-tjetrin.

Kur erdhi koha që moshatarët e mi në shkollë do të shkonin, pikërisht në këtë moment një sëmundje vdekjeprurese me kishte pushtuar në kokë. Tërmet pësoi zemra jote nëna ime, por besimi në Zot nuk të la të dorëzoheshe por luftove deri në vetëmohim me shpirtin të mbushur me dhimbje.

Kisha dhimbje koke, më iku shikimi, unë s’të tregoja dot nëna ime, por ti më kuptoje duke mos m’i ndarë sytë për çdo çast. Mes pëkëdheljesh e dhimbjesh më bëre gati duke më veshur rrobat për në sallë të operacionit, ku rreziku për jetën ishte fatal. Me dhimbjen e një nëne e me besim më dorëzove në dorë të Zotit. Me buzët që të dridheshin ti më thoje të them: “O Zot më shpëto!”. Dhe për çudinë e të gjithëve, unë që s’kisha folur kurrë thashë me duart lart fjalën “Zot”. Veç në atë moment unë pashë lot në sytë e tu nëna ime dhe tek mjekët që ishin të çuditur me rastin që kishin përballë. Shikimi i syve të tu e të mi u tërhoqën zvarrë deri sa u mbyll ajo derë.

Zoti kishte vendosur që unë të shpëtoja nga ky operacion dhe që ti nëna ime falenderojë Atë për këtë. Por ato që unë kisha përjetuar ishin të tmerrshme dhe, i frikësuar kërkoja me shikim e shenja që të sigurohesha nga ty nëna ime që kjo s’do të ndodhte më. Nuk pata shumë kohë të qetësohem, sepse unë do të bëhesha prapë operacion për herë të dytë, të tretë e të katërt brenda një muaji. Dhimbja jote nëna ime që kurrë se dite që çfarë më dhimbte e më shqetësonte ishte e madhe, po ashtu dhe tmerri im që kaloja nga një traumë në tjetrën.

Sikur mos të mjaftonte kjo unë rrashë në koma dhe u paralizova, doktorët m’i hoqën shpresat, por ti nëna ime kurrë se humbe shpresën tek Zoti. Ti vije në reaminacion dhe më flisje, edhe pse unë nuk të dëgjoja, por kishe besim në lidhjen shpirtërore që ka nëna me fëmijët. Ti më thoje nëna ime se unë jam i fortë e se me ndihmën e Zotit do ja dalim. Dhe vërtet, Zoti deshi që unë të rikthehem në jetë, gjë që i mrekulloi mjekët; por unë nuk mund e ecja e nuk mund të haja. Një sfidë tjetër për ty nëna ime që i luteshe Zotit: ‘Te lutem Zoti im, ma bëj dhe njëherë djalin si ishte, të bukur dhe pastaj ma merr po e ke vendosur kështu”, sepse une isha shpërfytyruar e bërë tepër i dobët. Unë ushqehesha me tub nga hunda se nuk përtypesha dot nga paraliza, por nëna ime me guxim prej nëne e mbështetje tek Zoti, mori përsipër për ta hequr tubin dhe filloi të më ushqejë me shiringë; dhe pse unë shpesh herë mbytesha, ajo nuk u dorëzua dhe ja doli; dhe unë fillova të haja normal. Mbas disa kohësh fillova dhe te eci, por duke më mbajtur, deri sa u përmisova tamam mbas një viti. Kur shoqet e tua nëna ime gëzonin për arritjet e fëmijëve në shkollë, ti gëzoje se unë po filloja të eci prap, po filloja të përtypem, po rifilloj të vizatoj, e mes këtyre përpjekjeve, ti nëna ime se dite kurrë se çfarë ndjej e çfare më dhemb….plagë për një nëne.

Ti nëna ime sfidove gjithë opinonin kur me nxirrje mua nëpër rrugë, kur unë bërtisja e bëja skena ku ti nuk u turpërove kurrë prej meje; më çoje kudo, se doje që unë të jetoja jetën aq sa më ka mbetur, si të gjithë, paçka se jam ndryshe. Ti u përballe me vështrime e sjellje vrastare të shoqërisë, por kurrë nuk u zmbrapse. Ti ke 7 vite që jeton duke falenderuar Zotin çdo ditë që unë jetova dhe sot, ti sa herë që fle gjumë më kontrollon a marrë frymë. Sepse sëmundja ime vazhdon të jetë prezente, dhe pse kam bërë katër operacione.

Sot jam 13 vjeç dhe nëna ime vazhdon me të njëjtin përkushtim; më çon në terapi e në shkollë ku gjatë rrugës unë të stresoj pa masë, të godas kudo që të jem kur ti nëna ime s’ke mundësi të më plotësosh ato që dua të blej. Unë dua shumë të gëzoj nëna ime por jo gjithmonë arrij, se kjo bota ku unë jam më ngatërron; unë vazhdoj të të dhunoj por unë të dua shumë, shumë, dhe ti e di nëna ime, ti je shoqja ime, je mbështetja ime je, ajo që më kupton në çdo situatë, je ajo që dashuri më dhuron pa kushte e si do që te jem. Të lutem më fal nëna ime, dhe pse s’kam faj!

Biri yt, Muenis Masha

Publikuar nga tesheshi.com me dëshirën e të ëmës, Brixhida Muça

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit