4.5 C
Pristina
Wednesday, November 27, 2024

Nga Amir B. AHMETI: Xhumaja në Shkodër

Më të lexuarat

I.

Të premten e kaluar, Shkodra ishte nikoqire e përfaqësueses së Kosovës dhe asaj të Islandës, të cilat luajtën në kuadër të kualifikimeve për botërorin 2018. Stadiumi “Loro Boriçi” ishte plot me tifozë, të cilët mezi prisnin lojën e shumëpritur. Unë personalisht nuk jam ndonjë sportdashës i madh i futbollit, por nga kureshtja si po luan përfaqësuesja jonë, e ndoqa pjesën e parë. Isha mjaft i kënaqur me lojën që bënë lojtarët e përzgjedhur, të cilët, dorën në zemër, duke pasur parasysh se disa prej tyre edhe po luajnë për herë të parë njëri me tjetrin dhe ende nuk i kanë mësuar taktikat mes tyre, ishin mjaft të talentuar dhe sinkronizoheshin mirë. Meqë nuk di më shumë për këtë sport dhe për lojtarët, po e përmbyll me kaq sa i përket anës sportive të asaj loje javën e kaluar në Shkodër.

II.

Ajo ditë pra ishte edhe ditë xhumaje. Besimtarët muslimanë e kanë obligim që namazin e xhumasë, pra, të premten në mesditë, ta falin në bashkësi. Namazi i xhumasë njëherësh është i vetmi namaz që nuk falet vetëm; kjo është dhe arsyeja pse xhamitë tona janë përplot me besimtarë në mesditën e së premteve.

Kështu, si besimtarë të devotshëm që janë futbollistët tanë, në mesditën e së premtës shkuan në njërën nga xhamitë e qytetit të Shkodrës për të falur xhumanë. Por ky veprim shumë normal për çdo person që njeh dhe respekton dinjitetin e njeriut të lirë, për disa islamofobë e antiteistë të pështirë të Kosovës u vlerësua si skandal. Sapo e publikoi Rashica një foto nga xhamia me lojtarët e Kosovës në pritje për të falur xhumanë, këtu vërshuan komentet nga më të ndryshmet, sa bizare, aq edhe të pakuptimta. Është tmerr kur lexon komente aq banale e irrituese nga njerëz publikë, të skenës e të publicistikës, degradim i paparë diku tjetër, në vlerësimet e tyre për njerëzit që vullnetarisht dhe në baza personale kanë përzgjedhur një besim dhe manifestimin publik të tij. Edhe përkundër se këtë e garanton edhe kushtetuta.

III.

E kur jemi te kushtetuta, ajo vazhdimisht po komentohet sipas dëshirës dhe qejfeve të atyre antiteistëve, për të cilën temë shpresoj të shkruajmë ndonjëherë tjetër. Por një gjë tani është e qartë. Para disa viteve na kritikonin për dukjen tonë me mjekra, si jashtë standardit të njohur te ne. Pastaj mënyra e shamive të femrave muslimane kritikohej se nuk është sipas standardit të shamive të nënave tona që i bartnin më herët, e shumë vërejtje të tjera. Por tani që sulmohet, fyhet e nëpërkëmbet çdo besimtar i cili manifeston besimin e tij, me mjekër qoftë ai apo pa të, me shami qoftë ajo apo pa shami, kjo ka demaskuar dhe ka shfaqur haptas figurën e tyre të vërtetë. Urrejtja e këtyre antiteistëve nuk është as mjekra, as pantallonat e shkurtëra dhe as shamia, por thjesht është islamofobia dhe antiteizmi i tyre i paskrupullt ndaj besimit islam dhe muslimanëve. Tani është e qartë se ata nuk urrejnë dukjen tonë, por urrejnë besimin tonë. Kurse ne nuk do t’i urrejmë ata për injorancën e tyre, por do t’u qëndrojmë ballëhapur në mbrojtje të vlerave tona të shumta, e pse jo, edhe të besimit tonë të drejtë. /tesheshi.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit