3 C
Pristina
Saturday, November 23, 2024

Çfarë e mban bashkë Evropën?

Më të lexuarat

2013 BE e ka shpallur vitin e qytetarëve. Banorët e BE duhet të reflektojnë në lidhje me indentitetin e tyre evropian. Në kërkim të tij janë prej kohësh politikanët dhe shkencëtarët. Në kërkim të një fantome?
“Një gjerman nuk peceptohet në Paris si diçka ekzotike, por atij i vishen atribute të caktuara”, thotë Maya Diehm. “Kur kërkoja banesë më ka rënë në sy për shembull , se gjermanët konsiderohen si tejet të rregullt dhe të njerëz, të cilëve mund t’u besosh.” Njëzetepesë vjeçarja nga Renania jeton prej një viti e gjysëm në Paris. Më parë ajo kishte studjuar atje një semestër. Në Francë ajo e ndjen vetën njësoj në shtëpi si në Gjermani. Megjithatë të dy vendet janë mjaft të ndryshëm nga njëri-tjetri. Maya Diehm mendon se identiti shtetëror kombëtar mund të përcaktohet, por ajo pyet veten, nëse kjo mund bëhet edhe me identitetin evropian? A mund të pretendosh se ekziston një identitet evropian?

Në vitin 1973 të nëntë shtetet e atëhershme të Komunitetit Evropian vendosën të krijojnë një “identitet evropian”. Para njëzet vjetësh u sajua një lloj nënshtetësie evropiane për BE, që është e shtypur në pasaporta. Shumë gjermanë, italianë, apo francezë nuk e kanë të qartë, se janë edhe qytetarë evropianë. Këtë Komisioni Evropian dëshiron ta ndryshojë këtë vit me fushata informative dhe debate publike. “Ju evropianët”, thuhet jashtë Europës, sidomos në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, prej kohësh. Brenda BE është ndryshe. Këtu qytetarët përcaktohen sipas shtetit të tyre kombëtar, sipas vendlindjes.

Paqja dhe liria:Vlera të Europës
“Identiteti Europian është shumë kompleks, në fund të fundit ai mund të kuptohet si vetëdije kolektive e Evropës“, shpjegon Profesor Volker Kronenberg, politolog në Universitetin e Bonit. “Kjo vetëdije është shumë komplekse.” Ka pika të ndryshme historike dhe kulturore, të cilat në shumë vende përkojnë me njëra tjetrën dhe krijojnë atë, që sot do të thotë “evropian”.

Samiti i Maastrichtit 1991, futja e nënshtetësisë evropiane
Politologu Kronenberg i konsideron në rradhë të parë paqen, lirinë dhe mirëqënien gurët e mozaikut, që janë shumë të rëndësishëm për vetëdijen e qytetarëve në Evropë. Sidomos gjatë viteve të themelimit qëllimet e përbashkëta kanë formuar identitetin evropian: Njerëzit kërkonin mbrojtje nga përsëritja e tmerrit të luftës së Dytë Botërore.

Njeriu në rradhë të parë në Europë
Konfliktet dhe krizat kanë bërë që Europa të zhvillohet. “Europa përballon, por ajo është më tepër se një mburojë”, thotë politologu nga Boni.
Antikiteti grek dhe romak, iluminizmi, humanizmi dhe në këtë mënyrë të drejtat e njeriut, janë konceptet kyçe historike të kulturës europiane. Që njeriu të jetë në qendër me lirinë e tij, është merita kryesore e iluminizmit europian. Për Maya Diehm, e cila jeton në Francë, përkatësia kombëtare nuk luan ndonjë rol të madh. „Me përkatësinë kombëtare unë nuk përcaktohem si person“, thotë Maya Diehm. “Ndoshta kjo është arsyeja pse jam evropiane”, shton ajo.
Europa mund të mbështetet në vlera të tilla si të drejtat e njeriut dhe liria, sidomos për të përballuar krizën e tanishme.Kërkesa për më shumë Europë është shumë e rëndësishme, mendon Volker Kronenburg. “Por Europa nuk është laborator, në të cilën mund të krijohen artificialisht më tepër institucione, apo institucione më të fuqishme.” Europa është zhvilluar gjithmonë vetiu, vetë, pa plan të qartë.”

Kufijtë e identitetit
Sipas sondazheve me porosi të Komisionit Europian në Bruksel, në vitin 2011 një e katërta e qytetarëve të BE e konsideronin BE si shpërdorim parash. Sipas Eurobarometrit vetëm gjysma shohin se anëtarësimi në BE ka sjellë avantazh. Identiteti evropian duket se nuk ka mbërritur ende tek qytetaret dhe qytetarët. Filozofja franceze Janie Pélabay i tha portalit të Internetit “Euractiv”, se identiteti nuk është vlerë në vetvete, por një model, që ne e njohim nga shtetet e vjetra kombëtare. “Problemi nuk është aq shumë të dish, nëse mund ta kalosh këtë model në Evropë, por nëse duhet bërë kjo. Nuk ka “komb evropian” dhe BE nuk është i destinuar të bëhet një shtet nacional në format të madh”, thotë Janie Pélabay. Europa do të mbetet gjithnjë multikulturore dhe multinacionale, beson shkencëtarja franceze. “Mbi të gjitha kemi të bëjmë me një bashkim të një tipi krejtësisht të ri ndërmjet popujve dhe shteteve kombëtare, diferencat e të cilëve do të mbeten dhe duhet të mbeten.”
Këto konstatime BE dëshiron t’ua sjellë tani pranë qytetareve dhe qytetarëve të tij në vitin 2013 dhe në kohën e duhur para zgjedhjeve për Parlamentin Evropian vitin e ardhshëm. Pjesëmarrja në votime e krahasuar me votimet kombëtare ka qenë deri tani e ulët. Komisioni i BE shpreson se do të rrisë gatishmërinë e angazhimit demokratik./DW

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit