0 C
Pristina
Saturday, January 11, 2025

IHH pranë Somalisë, e cila lufton me thatësirën

Më të lexuarat

“Nëse në muajin prill nuk do të bie shiu i pritur, atëherë shqetësohemi se do të ketë një thatësirë më të rëndë dhe se do të vdesin më shumë njerëz”, tha Avcı

MOGADISHU (AA)- Fondacioni Humanitar Turk për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut (IHH) ka dhënë ndihmë me ushqim dhe ujë për mijëra familje që po luftojnë për të mbijetuar në kampet në Somali ku thatësirat po shkaktojnë uri, sëmundje dhe vdekje, raporton Anadolu Agency (AA).

Zyrtari i njësisë për marrëdhënie të jashtme të IHH, Yusuf Avcı në një deklaratë për AA njoftoi se qyteti Baidoa, i cili ndodhet 250 kilometra larg prej kryeqytetit Mogadishu, është qyteti i cili preket më së shumti nga thatësirat. Ai bëri të ditur se këtu gjatë 15 ditëve, çdo ditë me cisterna prej 12 tonesh, do të bëjnë shpërndarjen e ujit dhe po ashtu edhe shpërndarjen e produkteve ushqimore.

Avcı tha se qytetarët të cilët nuk mund të gjejnë ujë nga fshatrat 50-60 kilometra larg prej Baidovës, emigrojnë në qendrën e qytetit duke ecur me orë të tëra. Duke bërë të ditur se në Baidova ka 75 qytete nga tenda, Avcı tha se ka shqetësime për rritjen e këtij numri.

Duke u shprehur se janë me dhjetëra mijëra njerëz që po jetojnë në tenda të vendosura në qendër të qytetit, ose në vende improvizuara prej shufra druri në madhësi prej 1 metër katrori, të cilët po mundohen të mbijetojnë me mbështetjen e organizatave humanitare, Avcı rikujtoi se edhe në vitin 2011 ky shtet kishte përjetuar një thatësirë të rëndë të ngjashëm me sot, ku kishin vdekur 250 mijë njerëz.

“Nëse në muajin prill nuk do të bie shiu i pritur, atëherë shqetësohemi se do të ketë një thatësirë më të rëndë dhe se do të vdesin më shumë njerëz”, tha Avcı.

Duke nënvizuar se popullsia e Somalisë ka nevojë për ndihma në mënyrë emergjente, ai u shpreh se mjekët të cilët do të vijnë pas një kohe të shkurtër nga Turqia do të bëjnë ekzaminime mjekësore falas për somalezët.

Në anën tjetër, Nişad Hasan (48) i cili po mundohet të mbijetojë me ndihmat ushqimore të IHH-së tregoi përjetimet e tij për AA-në. Hasan tha se për shkak të thatësirës kanë lënë shtëpitë e tyre dhe se gjatë këtyre dy javëve po jeton në kampe prej tendash në Baidova, ku kanë mbërritur duke ecur me orë të tëra.

“Nuk kemi parë një thatësirë të tillë për një kohë të gjatë. Toka u tha, ujë nuk ka, ushqim nuk ka, gjithë kafshët kanë ngordhur. Po të mos kishim ardhur nga fshati këtu, do të vdisnim ose nga uria ose nga sëmundja. Falënderoj Allahun që tani nga fyti jonë kalon një gllënjkë ujë”, tha Hasan.

Në Baidova ku mijëra njerëz po mundohen të mbijetojnë për shkak të thatësirave, IHH do të shpërndajë përgjatë 15 ditëve për 300 familje produkte ushqimore, të cilat do t’iu mjaftojnë për një muaj.

Qeveria e Somalisë para disa kohe për shkak të thatësirave që po e ndikojnë gjithë vendin, kishte shpallur gjendjen e fatkeqësisë kombëtare.

Edhe në deklaratën e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) u njoftua se që nga fillimi i vitit 2017 në Somali kanë vdekur 343 persona për shkak të epidemisë së kolerës. Theksohet se në shtetin ku jetojnë 12 milionë banorë 6,2 prej tyre kanë nevojë për ndihma humanitare.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit