Nëse Allahu është me ty, kush mund të jetë kundër teje? Nëse Allahu është kundër teje, atëherë kush mund të jetë me ty?! Askush.
Nëse e ke fituar dashurinë e Allahut, atëherë çfarë ke humbur? S’ke humbur asgjë. E në qoftë se e ke humbur dashurinë e Allahut, çfarë ke fituar? S’ke fituar asgjë.
Rezultatet, frytet, veçoritë dhe gjurmët që rezultojnë nga dashuria e Allahut ndaj teje nuk mund të llogariten e as të numërohen. Prej këtyre përmendim: Kur të do Allahu, dashurinë ndaj teje e mbjell në zemrat e njerëzve, ndërsa nëse të duan njerëzit, ky është kapital që s’mund të vlerësohet me çmim, që të të duan njerëzit, të të duan ata që janë përreth teje.
Kur të do Allahu, Ai ta jep urtësinë. “Cilitdo që i është dhënë urtësia, vërtet që i është dhënë një mirësi e madhe.” (Bekare: 269)
Njeriut që i është dhënë urtësia lumturohet edhe me të hyrat e kufizuara, kurse atij që nuk i është dhënë urtësia mjerohet edhe me të hyrat e pakufizuara.
Njeriut që i është dhënë urtësia lumturohet edhe me një grua të shkallës së dhjetë, ndërsa atij që nuk i është dhënë urtësia mjerohet edhe me gruan e shkallës së parë.
Njeriut që i është dhënë urtësia, armikun e bën mik, ndërsa atij që nuk i është dhënë urtësia mikun e bën armik. Pra, dhunti që nuk mund të vlerësohet me çmim nëse Allahu ta fal urtësinë. Urtësia jepet nga Allahu si shpërblim për imanin e besimtarit dhe qëndrueshmërinë e tij në fenë e Allahut, e ajo është si fryt i dashurisë së Allahut. Pra, të të dhurohet urtësia.
Nëse Allahu të dhuron urtësi, Ai ta jep qetësinë. Qetësinë ekzistuese, nga të qenit i kënaqur, i lumtur, optimist, i fuqishëm, të kesh vetëbesim, gjykim të drejtë, largpamësi…me këtë qetësi lumturohesh edhe nëse humb çdo gjë, kurse me humbjen e saj mjerohesh edhe nëse posedon çdo gjë.
Njeriut mund t’i jepet pasuri e shumtë, shëndet, fuqi, aftësi e mos t’i jepet urtësi, i tilli është më i mjeruar. Prandaj është thënë: Allahu i jep shëndet, mençuri, pasuri dhe bukuri shumë prej krijesave të Tij, kurse qetësinë i jep të zgjedhurve nga robërit e Tij.
Qetësia (rehatia) është një ndër shkaqet më të mëdha të lumturisë së njeriut. Është fryt prej fryteve të dashurisë së Allahut. Nëse të do Allahu, kjo është e paimagjinueshme. Të të dojë Krijuesi i qiejve dhe i tokës, në dorën e të Cilit është çdo gjë, në dorën e të Cilit është ai që është sipër teje, ai që është poshtë teje, rreth teje, në dorën e të Cilit është shëndeti yt, familja jote, fëmijët e tu, në dorën e të Cilit është jeta dhe vdekja jote, furnizimi yt! Prandaj, njeriu kur e njeh Allahun, ai ka njohur çdo gjë, ndërsa nëse nuk e njeh Allahun, atij i ka humbur çdo gjë.
Prej kuptimeve të dashurisë së Allahut ndaj teje, është të të frymëzojë të jesh i kënaqur e i pajtuar. Je i kënaqur me ekzistencën tënde, kënaqesh me gjendjen tënde, kënaqesh me të hyrat e tu, me familjen e fëmijët e tu. Të qenit i kënaqur është prej shkaqeve të lumturisë, prandaj dhe besimtari është i kënaqur me atë që i ka caktuar Allahu.
Pasha Allahun që nuk ka zot tjetër pos Tij, sikur të çash gjoksin e besimtarit që e njohu Allahun, do të vëreje në të lumturinë, që sikur t’u shpërndahej banorëve të vendit të tij do t’i mjaftonte. Allahu i Lartësuar thotë: “Vërtet që namazi të ruan nga shthurja dhe nga çdo vepër e shëmtuar dhe vërtet që përmendja e Allahut është më e madhe!.” (Ankebut: 45)
Dijetarët e komentimit të Kuranit kanë thënë: përmendja e Allahut është më e madhe në namaz, ndërsa disa prej tyre kanë thënë: Përmendja e Allahut ty duke qenë ti në namaz është më e madhe sesa përmendja jote Atë. Nëse ti e përmend Atë, ti ke kryer obligimin e nënshtrueshmërisë, mirëpo nëse të përmend Ai, të jep kënaqësinë dhe razinë, të jep qetësinë, të jep urtësinë, të jep dhuntinë që konsiderohet e çmuar për shumë njerëz, ta fal dhuntinë e sigurisë. Dhuntia e sigurisë është diçka që nuk mund të vlerësohet me çmim. Njeriu mund t’u shpëtojë mijëra fatkeqësive, mirëpo ai mbetet i frikësuar. Ti nga frika e varfërisë mbetesh i varfër, nga frika e sëmundjes je i sëmurë, pritja e fatkeqësisë është më e madhe sesa vet fatkeqësia. Tani në botë kemi sulme të zemrës që janë si rezultat i frikës nga paraqitja e sulmit të zemrës. Prandaj, kur është shkruar libri: “Si të mposhtësh shqetësimet dhe të fillosh të jetosh” është botuar në pesë milion ekzemplarë. Në botë ka shqetësime dhe stres, shkaku i të larguarit nga Allahu. “Vërtet, zemrat qetësohen me përmendjen e Allahut!” (Ra’d: 28)
Dr. Muhamed Ratib Nabulsi
Nëse Allahu është me ty, kush mund të jetë kundër teje?
