10.5 C
Pristina
Tuesday, November 26, 2024

Erdoğan: Me sa duket nazizmi në Gjermani ende vazhdon

Më të lexuarat

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, në një fjalim të mbajtur në eventin “Nata e qytetarëve nga Tokati”, që është zhvilluar në Qendrën e Shfaqjeve Yahya Kemal Beyatlı në Stamboll, tha se “Unë mendoja se nazizmi në Gjermani kishte përfunduar. Por me sa duket ende vazhdon”, raporton Anadolu Agency (AA).

“Është mëse e qartë se vazhdon ende. Nëse i beson demokracisë atëherë ministri im do të takohet edhe me ministrin tënd, por edhe do të mbajë takimin në një sallë atje. Përse shqetësoheni? Në të njëjtën mënyrë ka ndodhur edhe me një ministër tjetër. Tani vërejtëm se edhe Holanda ka bërë të njëjtën deklaratë. Këto nuk veprojnë me vullnetet e tyre. Tani mendojnë se Tayyip Erdoğan do të mbërrinte në Gjermani. Unë po të kisha dëshirën vij që nesër, vij dhe nëse tentoni të më ndaloni hyrjen apo fjalimin unë atëherë e ngre botën në këmbë”, ka shtuar ndër të tjera në fjalën e tij presidenti Erdoğan.

“Llogarinë e gjakderdhjes ia kërkojmë sipas ligjit”

Në lidhje me tentativën për grusht shteti, Erdoğan është shprehur: “Në të njëjtën mënyrë edhe tradhtarëve, anëtarëve të FETO-s iu kërkojmë llogarinë sipas ligjit për gjakderdhjen e shkaktuar në natën e 15 korrikut duke vrarë 249 bijtë e këtij atdheu dhe duke plagosur 2.193 njerëz të tjerë. Tani ndaj tyre kanë nisur proceset gjyqësore dhe pamjet e reja kanë treguar edhe njëherë se sa e madhe është tradhtia e tyre. Edhe ju i vëreni se si kanë masakruar shokët e tyre të armëve dhe se si kanë qëlluar me armë këtë popull të cilit i kanë ngrënë bukën. Në historinë e Turqisë nuk është përjetuar një poshtërsi e tillë. Këto territore nuk kanë vërejtur asnjë organizatë të tillë të çoroditur kaq shumë për besimet e saj të shtrembëruara. Edhe njëherë dëshiroj të shpreh se lufta kundër FETO-s është lufta më e vështirë, më e ashpër dhe më jetësore që Shteti i Republikës së Turqisë ka kryer në vitet e fundit”.

Duke reaguar për nderimin me medalje ndaj drejtuesve të organizatës terroriste Erdoğan ka theksuar se: “Është e pamundur të pranohet një qasje e tillë e pa drejtë. Anëtarët e organizatës terroriste mund të përdorin lehtësisht çdo gjë që dëshirojnë për fushatën ‘jo’. Gjithashtu drejtuesit e organizatës terroriste nderohen me medalje nëpër rezidenca, madje në rezidencën presidenciale keni nderuar me medalje një person i cili është dënuar në Turqi me 5 vite dhe 10 muaj burg. Kjo është qasja juaj për demokracinë? Të nderoni me medalje në rezidencën presidenciale një person që është dënuar me 5 vite dhe 10 muaj në Turqi? Ja pra ky është koncepti juaj për demokracinë dhe lirinë. Dëshiroj të shpreh gjithashtu se nëse ju në vendin tuaj lironi një njeri që është dënuar në Turqi ju jeni përgjegjës dhe duhet të gjykoheni për mbështetje dhe strehim të kriminelëve. Ndërsa kthehen menjëherë mbrapsht punët kur ministrat e mi dëshirojnë të takohen në tubime me qytetarët e tyre”.

“Unë nga këtu i bëj thirrje qeverisë gjermane, i bëj thirrje botës që beson në demokraci; nëse kryejmë përpjekje për liri dhe nëse besojmë në demokraci askush nuk mund të na pengojë. Kjo duhet të dihet si e tillë”, ka shprehur Erdoğan, duke i bërë thirrje Gjermanisë që të lejojë aktivitetet rreth referendumit.

Ndër të tjera në lidhje me referendumin që do të mbahet më 16 prill, Erdoğan tha se “16 prilli është shumë i rëndësishëm, është një reformë në qeveri dhe reformë në sistem. Nuk bëhet fjalë për një ndryshim regjimi.”

“Besimi dhe stabiliteti i arritur në 15 vitet e fundit në Turqi tashmë duhet të hiqet si i lidhur me individët dhe me partitë, dhe ne këtë duhet të lidhim me një sistem. Pikërisht sistemi presidencial është ai që do të sigurojë këtë”, është shprehur në fjalën e tij Erdoğan.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit