Kryeministri Sali Berisha shprehu keqardhjen në Parlament, që Partia Socialiste, jo vetëm nuk i dha Shqipërisë shansin për të marrë statusin e vendit kandidat, duke mos votuar tre ligjet, por, siç tha kryeministri, përpiqet të desinformojë shqiptarët se kusht për marrjen e statusit nuk jane tre ligjet, por zgjedhet e ardhshme.
Duke mbajtur këtë qëndrim, kryeministri Berisha kritikoi indirekt edhe ambasadoren e Gjermanise dhe ambasadorin e Holandës, të cilët më herët kishin shprehur në media qëndrime që e lidhin statusin me zgjedhjet.
”Çfarë ndodh me ju? Ju përpiqeni të gjeni çdo fije bari për t’u kapur dhe për t’i bërë dëm procesit të integrimit. Mblidhet Këshilli i të gjithë Ministrave të Jashtëm të Bashkimit Europian dhe paraqet si kërkesë plotësimin e tri kërkesave të Komisionit Europian, ndërsa ju nuk citoni 27 ministra të BE-së, por citoni deklaratat konfuze të një ambasadori tjetër, i cili nuk shpreh askurrkund mendimin e Këshillit Europian, që shprehet gjithmonë nëpërmjet ministrit kryesues të presidencës së radhës së BE-së”, deklaroi Berisha.
Kryeministri Berisha tha se per shkak te refuzimit të Partisë Socialiste për të njohur përgjegjësine e saj direkte për bllokimin e statusit duke mos votuar tre ligjet, zyrtarët më të lartë europianë po bëjnë deklarata të shpeshta për të sqaruar vendimet e Këshillit Europian.
”Duhet të dalin çdo tri ditë, të huajt e t’ua lexojnë kushtet, vetëm e vetëm që t’ju thonë “mos u bëni e keqja e Shqipërisë”. Ata e bëjnë për ju, me keqardhje të madhe, ata nuk duan të shohin një forcë politike si të keqen e qytetarëve të vet, ata nuk mund të shohin në Europë një forcë politike si të keqen e procesit të integrimit, sepse të tilla nuk kanë qenë as partitë më ekstremiste të Ballkanit”.
Sipas kryeministrit Berisha, strategjia bllokuese dhe fushata 4-vjeçare e mashtrimeve të kryetarit të Partise Socialiste, Edi Rama, do të marre fund me disfatë në zgjedhjet e 23 qershorit.
”Disfata ju vjen nga mashtrimet e përditshme që ju bëni shqiptarëve. Jeni shndërruar në një megamakineri shpifjesh dhe trillimi të përditshme. Dilni mbi interesat e karriges së kryetarit, sepse ju jap fjalën e nderit se, në këtë mënyrë, ai nuk do ta shohë veçse me dylbi karrigen e Kryeministrit. Faleminderit”, përfundoi fjalën e tij kryeministri.