Bashkimi Evropian ka lejuar pesë vende që të vazhdojnë zbatimin e kontrolleve kufitare në pjesët pa pashaporta të zonës Shengen.
BE-ja lëshoi një deklaratë të martën, duke lejuar Austrinë, Gjermaninë, Danimarkën, Suedinë dhe Norvegjinë, që nuk është anëtare, për të zgjatur masat kufitare deri më 11 maj.
“Duke filluar nga 11 shkurti 2017 kur vendimi i mëparshëm skadon, Austria, Gjermania, Danimarka, Suedia dhe Norvegjia duhet të zgjasin kontrollet e përkohshme kufitare proporcionale për një periudhë maksimale prej tre muajsh,” tha deklarata, duke iu referuar kontrolleve që ishin përtërirë tashmë nga nëntori.
Njoftimi vjen mes shqetësimeve në rritje në BE se anëtarët e bllokut do të mund të përballen me një fluks të ri të refugjatëve nga Afrika.
Italia ka regjistruar më shumë se 180.000 të ardhur, kryesisht nga Libia, vitin e kaluar, duke bërë që BE-je të vazhdonte me kufizimet e ndërmarra pasi më shumë se një milion njerëz erdhën në kufijtë e Evropës në fillim të vitit 2015.
Një marrëveshje midis BE dhe Turqisë në marsin e kaluar shkaktoi pakësimin e dyndjes, dhe Brukseli tha se zona e Shengenit, që përfshin 22 vende të BE-së si dhe Norvegjinë, Islandën, Zvicrën dhe Lihtenshtejnin, mund të kthehet në funksionim të plotë deri në fund të vitit 2016. Megjithatë, Komisioni i BE-së tha muajin e kaluar se “kushtet … që lejojnë për një rikthim të zonës Shengen në një funksionim normal ende nuk janë plotësuar në tërësi.”
Bashkimi Evropian e ka mburrur gjithmonë Shengenin si një nga arritjet e tij madheshtore dhe si një gur themeli në parimin të tij të lirisë së lëvizjes. Kontrollet e vazhdueshme do të mund të luhen në duart e partive anti-refugjate të ekstremit të djathtë në të gjithë Evropën, që e kanë kapitalizuar në masë të madhe një Shengen të shkatërruar, si një shenjë të nevojës së BE-së për gjithnjë e më shumë kontrolle kufitare. / Gazeta Impakt