6.2 C
Pristina
Sunday, November 17, 2024

Respektimi i të drejtave të njeriut, sfidë për institucionet

Më të lexuarat

Avokati i Popullit, Sami Kurteshi dhe drejtori i KMDLNJ-së, Behxhet Shala, kanë thënë se respektimi i të drejtave të njeriut në Kosovë edhe më tutje mbetet sfidë për institucionet e vendit.

Ata kanë vlerësuar se Kosova aktualisht nuk mund të krenohet me respektimin e të drejtave të njeriut, shkruan “Epoka e Re”.

Kurteshi e Shala janë ndarë të pakënaqur me mbështetjen e institucioneve të vendit, duke thënë se qasja ndaj institucionit të Avokatit të Popullit pasqyron edhe qasjen ndaj të drejtave të njeriut në vend.

Avokati i Popullit, Sami Kurteshi ka vlerësuar se Kosova është larg përmbushjes së këtij kriteri të rëndësishëm.

“Si shoqëri e organizuar nuk mund të krenohemi me respektimin e të drejtave të njeriut. Ende jemi larg nga kjo kënaqësi”, ka thënë Kurteshi në një bisedë për “Epokën e re”. Ai ka treguar se vetëm gjatë këtij viti një mijë e 600 raste kanë kërkuar ndihmën e tij.

“Në dy vjetët e fundit kemi një rritje mbi 25 për qind të rasteve të paraqitura në institucion që kërkojnë ndërhyrjen e Avokatit të Popullit. Në vitin 2011 kanë qenë mbi një mijë e 450 raste, kurse këtë vit rreth një mijë 600 raste”, është shprehur Kurteshi, duke shtuar se zgjidhja me sukses e kërkesave gjatë dy vjetëve të fundit është rritur për disa për qind. “Nëse sukses konsiderohet zgjidhje pozitive, përqindja e rasteve me zgjidhje pozitive në dy vitet e fundit ka një kërcim rreth 30 për qind. Në vitin 2011 rreth 60 për qind të rasteve të cilat i ka trajtuar Avokati i Popullit janë zgjidhur pozitivisht”, ka deklaruar Kurteshi.

Ndërkaq, drejtori i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe të Lirive të Njeriut (KMDLNJ), Behxhet Shala, ka thënë të dielën për “Epokën e re” se në Kosovë nuk ka kushte minimale për respektim të të drejtave të njeriut.

Sipas tij, Kosova në këtë fazë të zhvillimit nuk është e gatshme t’i përmbushë këto kërkesa.

“Kërkohet që të drejtat e njeriut të respektohen sipas standardeve ndërkombëtare, ndërkaq në Kosovë nuk ka as kushte minimale për respektim të të drejtave të njeriut, sepse të drejtat e njeriut garantojnë një zhvillim normal, një vend pune, një shkollim të mirë dhe shërbime shëndetësore cilësorë, infrastrukturë të mirë. Të gjitha këto hyjnë në kuadër të respektimit të drejtave të njeriut. Mirëpo Kosova në këtë fazë të zhvillimit të saj nuk është e gatshme t’i përmbushë këto kërkesa”, është shprehur Shala. /Tg/kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit