0.9 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

Vlera e Kuranit

Më të lexuarat

Falënderimet dhe lavdërimet i takojnë vetëm Allahut të Lartësuar, i Cili e bëri obligim haxhin për ata të cilët kanë mundësi. Salavatet qofshin mbi të Dërguarin e tij, Muhamedin salallahu alejhi ue selem, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë muslimanët deri në Ditën e Gjykimit.
Me të vërtetë Kurani është fjala e Allahut të Madhërishëm, që ia zbriti Pejgamberit Muhamed salallahu alejhi ue selem për t’i treguar njerëzimit rrugën e drejtë dhe ai i cili i përmbahet Kuranit, do të jetë i udhëzuar. E kush largohet nga ai, do të jetë në një humbje të mjerueshme.

Allahu i Madhërishëm në shumë ajete ka folur për vlerën dhe pozitën e lartë të Kuranit. Allahu i Madhërishëm thotë: “S’ka dyshim se Ne e bëmë atë Kuran arabisht, në mënyrë që ju ta kuptoni. Dhe se në librin amzë (Levhi Mahfudh) te Ne, gëzon famë të lartë dhe është plot urtësi.” (Ez-Zuhruf, 3-4)
Dhe thotë: “Ata që e mohuan Kuranin kur u erdhi janë të marrë; ai është një libër ngadhënjyes (i pashoq). Atij nuk mund t’i mvishet e pavërteta nga asnjë anë; është i zbritur prej të Urtit, të Lavdishmit.” (Fusilet, 41-42)
Dhe nuk ka asnjë send që është e keqe e që Kurani nuk i është kundërvënë. Allahu i Madhërishëm thotë: “Dhe ata nuk të sjellin ndonjë shembull ty, e që Ne të mos ta tregojmë të vërtetën, duke të ofruar shpjegim të qartë e të plotë.” (El Furkan, 33)

Dhe thotë: “Përkundrazi, Ne të pavërtetën e godasim me të vërtetën dhe ajo (e vërteta) triumfon mbi të ndërsa ajo (gënjeshtra) zhduket. E juve (jobesimtarëve) u takon shkatërrimi, për atë që i përshkruani (Zotit, si fëmijë etj.).” (El Enbija, 18)

Allahu i Madhërishëm e ka quajtur Kuranin dritë dhe shërim për njerëzimin, ku thotë: “Po kështu me urdhrin tonë Ne të shpallëm edhe ty shpirtin (Kuranin). Ti nuk ke ditur çka është libri (Kurani) as ç’është besimi, por Ne atë e bëmë dritë me të cilën e vëmë në rrugë të drejtë atë që dëshirojmë prej robërve tanë. Në të vërtetë, edhe ti udhëzon për në rrugën e drejtë.” (Esh-Shura, 52)

Dhe thotë: “O ju njerëz! Juve ju erdhi nga Zoti juaj këshilla (Kurani) dhe shërimi i asaj që gjendet në kraharorët tuaj (në zemra), edhe udhëzim e mëshirë për besimtarët.” (Junus, 57)

Kurani ka vlerë aq të madhe, saqë kur e kanë dëgjuar atë xhinët, janë mahnitur dhe menjëherë i kanë besuar atij. Allahu i Madhërishëm thotë:“Thuaj: “Mua më është shpallur se një grup i vogël nga xhinët i vuri veshin dhe dëgjoi (Kuranin) dhe (kur u kthyen te të vetët) thanë: “Ne kemi dëgjuar një Kuran që mahnit, që udhëzon në të vërtetën, andaj ne i besuam atij dhe Zotit tonë, kurrsesi nuk do t’ia shoqërojmë më askënd.” (El Xhin, 1-2)

Allahu i Madhërishëm e ka marrë përsipër mbrojtjen e tij nga devijimi.
Allahu i Madhërishëm thotë: “Ne me madhërinë Tonë e shpallëm Kuranin dhe Ne gjithsesi jemi mbrojtës të tij.” (El Hixhër, 9)

Dhe gjithashtu e ka ftuar të gjithë njerëzimin që ta bëjë një Kuran të tillë, po qe se kanë mundësi, ku thotë: “Thuaj: “Edhe sikur të bashkoheshin njerëzit dhe xhinët për të sjellë një Kuran të tillë, ata nuk do të mund të bënin si ky, sado që do ta ndihmonin njëri-tjetrin.” (El Isra, 88)

Përktheu Eroll Nesimi

Artikulli paraprak
Artikulli tjetër
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit