Një tërmet me fuqi prej 7.9 ballë sipas Rihterit ka goditur sot shtetin Papua Guinenë e Re në Paqësor, raporton Anadolu Agency (AA).
Qendra Amerikane për Hulumtime Gjeologjike (USGS) lajmëron se epiqendra e tërmetit është regjistruar 41 kilometra në veriperëndim të qytetit Panguna, në ishullin Bougainville në Papua Guinenë e Re.
Dridhja ka ndodhur në thellësi prej rreth 136 kilometrave dhe nuk ka shkaktuar vdekje në njerëz, as dëme materiale.
Departamenti për paralajmërim të cunamit në Paqësor paralajmëroi për cunam të mundshëm në mbarë rajonin që përfshinë Papua Guinenë e Re, Ishujt Solomon, Nauru, Pohnpei, Kosraeu, Vanuatu, Chuuk dhe Indonezinë. Paralajmërimi disa orë më vonë është tërhequr.
Drejtori i Observatorit për Gjeologji në Papua Guinenë e Re, Chris Mckee deklaroi se epiqendra e tërmetit ka qenë në thellësi të madhe dhe se ky fakt ka hequr mundësinë e cunamit në rajon.
Papua Guinea e Re gjendet në “Unazën e ashtuquajtur të Zjarrtë të Paqësorit” që njihet për nga tërmetet e shpeshta dhe vullkanet aktive.