10.5 C
Pristina
Tuesday, November 26, 2024

“Kush i posedon katër veçori…”

Më të lexuarat

Blloku i ri i haditheve të kësaj dite, janë dhjetë porosi të mrekullueshme, nëpërmjet të cilave Resulull-llahu (a.s) na tërheq vëmendjen drejt përvetësimit të veçorive pozitive prej tyre, si dhe distancimit nga të dëmshmet e përmendura në to, në rrugën e ndërtimit të një personaliteti që reflekton me dinjitet, vlerat e praktikuara të Islamit në çdo kohë.

Edhe këto hadithe i kam nxjerrë nga përmbledhja e dijetarit të shquar, Imam Xhelaleddin Es-Sujuti (v. 911 h.), me titull: “El-Xhamius-Sagir fi ehadithil-Beshirin-Nedhir”, (botimi i parë, Bejrut, 1990).

Hadithet e kësaj dite, nisin me fjalën e të Dërguarit (a.s): “Kush i posedon katër veçori…”, ose: “Katër persona…”, ose: “Po i posedove katër veçori…”, a: “Kujt i janë dhënë këto katër…” e të ngjashme.

1. “Po i posedove katër veçori, mos u dëshpëro për çfarë mund të kesh humbur nga kjo jetë: Sinqeriteti i fjalës, ruajtja e amanetit, mirësjellja dhe ruajtja nga ushqimi haram!” – (Hadithi nr. 912, f. 62. Ahmedi, Tabaraniu, Hakimi dhe Bejhekiu, nga Ibn Omer).

Në komentimin e këtij hadithi, Imam Mennavi në “Fejdul-Kadir”, ndër të tjera, shkruan: [“Sinqeriteti i fjalës”, dmth, kontrollimi i gjuhës dhe ruajtja e saj nga gënjeshtra dhe shpifja.] – (vëll. 1, 576).

2. “Katër veçori të mbetura nga koha e xhahilijetit (injoranca para Islamit), nuk do të lihen nga ymmeti im: Mburrja me të parët e fisit, cënimi i prejardhjes farefisnore, parashikimi i motit me anë të yjeve dhe vajtimi i të vdekurit!” – (Hadithi nr. 913, f. 62. Muslimi, nga Ebu Malik El-Eshari).

Në komentimin e këtij hadithi, Imam Mennavi në “Fejdul-Kadir”, ndër të tjera, shkruan: [“Katër veçori të mbetura nga koha e xhahilijetit”, dmth, gjynahe, që do t’i veprojnë, duke e ditur se janë të ndaluara… Thotë Ibnul-Arabiu: “Këto janë lajme të fshehta, që nuk i di kush prej njerëzve, përveç të dërguarve. Ata lajmëruan për gjëra që do të ndodhnin, para se të realizoheshin dhe, realisht ndodhën. Këto katër vepra të ndaluara, një pjesë e mirë e ymmetit i veprojnë, edhe pse e dijnë se janë të ndaluara!”] – (vëll. 1, 576-577).

3. “Katër persona e kanë hak ndihmën e All-llahut: Luftëtari, ai që martohet, njeriu korrekt me punën e të zotit dhe haxhiu!” – (Hadithi nr. 914, f. 62. Ahmedi, nga Ebu Hurejra).

4. “Kush i posedon katër veçori, është munafik (hipokrit) i pastër dhe, kushdo që ka një nga këto veçori, ka një hise të hipokrizisë, derisa të heqë dorë prej saj: Kur flet gënjen, kur premton nuk e mban premtimin, kur jep besën mashtron dhe, kur bie në konflikt anon nga e keqja!” – (Hadithi nr. 916, f. 62. Ahmedi, Bukhariu, Muslimi etj., nga Ibn Amr).

5. “Kush i posedon katër veçori, All-llahu do ta bëjë trupin e tij haram për xhehnemin dhe do ta mbrojë nga shejtani: Ai që e zotëron veten e tij kur dëshiron diçka, kur ka neveri prej diçkaje, kur shijon të ketë diçka dhe kur zemërohet!

Dhe, kush i posedon katër veçori, All-llahu do ta mbulojë me mëshirën e Tij dhe do ta fusë në xhennet: Ai që strehon një të mjerë, që mëshiron të dobëtin, që kujdeset për atë që ka nën dorë dhe që shpenzon për prindët e tij!” – (Hadithi nr. 917, f. 62. Hakim Tirmidhiu, nga Ebu Hurejra).

6. “Kujt i janë dhënë këto katër veçori, i është dhënë e mira e kësaj bote dhe e të përtejmes: Një gjuhë që bën dhikër, një zemër që falënderon, një trup që e duron sprovën dhe një bashkëshorte që nuk e tradhëton në veten e saj dhe pasurinë e tij!” – (Hadithi nr. 918, f. 62. Tabaraniu dhe Bejhekiu, nga Ibn Abbasi).

7. “Katër veçori nga traditat e të dërguarve (të All-llahut), janë: Turpi, parfumosja, martesa dhe përdorimi i misvakut (pastrimi i dhëmbëve)!” – (Hadithi nr. 919, f. 62. Ahmedi, Tirmidhiu dhe Bejhekiu, nga Ebu Ejjubi).

8. “Fjalët më të mira janë katër; nuk të dëmton me cilëndo fillon: Subhanall-llah, Elhamdulil-lah, La ilahe il-lall-llah, All-llahu ekber!” – (Hadithi nr. 929, f. 63. Ibn Maxheh, nga Semura).

9. “Katër persona i urren All-llahu: Shitësi që bën shumë betime, i varfëri mendjemadh, plaku imoral dhe prijësi tiran!” – (Hadithi nr. 932, f. 63. Nesaiu dhe Bejhekiu, nga Ebu Hurejra).

10. “Katër veçori janë prej thesareve të xhennetit: Fshehja e sadekasë, mbulimi i fatkeqësisë në jetë, ruajtja e lidhjeve farefisnore dhe shprehja: La haule ve la kuvvete il-la bil-lah!” – (Hadithi nr. 935, f. 63. Khatibi, nga Aliu).

Përktheu nga arabishtja dhe përshtati në shqip:
Muhamed B. Sytari
Shkodër, më 7 janar 2017

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit