“Më të mirët ndër ju…”
Nga përmbledhja e Imam Xhelaleddin Es-Sujuti (v. 911 h.), me titull: “El-Xhamius-Sagir fi ehadithil-Beshirin-Nedhir”, (botimi i parë, Bejrut, 1990), ku ka grumbulluar 10031 hadithe, në 592 faqe, kam dëshirë të ndaj me ju disa prej haditheve, që nisin me fjalën e të Dërguarit (a.s): “Më të mirët ndër ju…”, a: “Më të mirët e ymmetit tim…”.
Qëllimi i kësaj përzgjedhjeje, është të theksoj faktin se, nëpërmjet pjesës më të madhe të këtyre haditheve, Resulull-llahu (a.s) ka promovuar dhe nxitur mirësinë dhe virtytet e larta në shoqëritë islame dhe ato njerëzore në përgjithësi.
Me fjalë të tjera, në secilin prej këtyre fjalëve frymëzuese, Zotëria i bijve të Ademit, i bën thirrje çdo muslimani që të jetë më i miri ndër të mirë, elita e elitave, i përsosuri në jetë!
1. “Më të mirët e ymmetit tim janë ata që kur shihen, përmendet All-llahu! Ndërsa, më të këqinjtë e ymmetit tim janë ata që mbartin fjalë, ata që ndajnë në mesin e të dashurve, dëshiruesit e së keqes për të pafajshmit!” – (Hadithi nr. 3976, f. 243. Ahmedi, nga Abdurrahman ibn Ganem).
2. “Më të mirët e ymmetit tim janë ata që thërrasin drejt All-llahut dhe i bëjnë robët e Tij të dashur për Të!” – (Hadithi nr. 3979, f. 243. Ibn Nexhari, nga Ebu Hurejra).
3. “Më të mirët nga bijtë e Ademit janë pesë: Nuhu, Ibrahimi, Musa, Isa dhe Muhammedi. Dhe, më i miri i tyre është Muhammedi!” – (Hadithi nr. 3981, f. 243. Ibn Asakir (dhe Bezzari, si te “Fejdul-Kadir”, vëll. 3, f. 568), nga Ebu Hurejra).
4. “Më të mirët ndër ju janë ata që e mësojnë Kur’anin dhe ia mësojnë atë të tjerëve!” – (Hadithi nr. 3982, f. 243. Ibn Maxheh, nga Sadi).
5. “Më të mirët ndër ju janë më të edukuarit ndër ju!” – (Hadithi nr. 3984, f. 243. Ahmedi, Bukhariu dhe Muslimi, Tirmidhiu, nga Ibn Amr).
6. “Më të mirët ndër ju para Islamit (në xhahilije) janë më të mirët ndër ju edhe në Islam, nëse e kuptojnë fenë!” – (Hadithi nr. 3987, f. 244. Bukhariu, nga Ebu Hurejra).
7. “Më të mirët ndër ju janë ata që më së miri e shlyejnë borxhin!” – (Hadithi nr. 3989, f. 244. Tirmidhiu dhe Nesaiu, nga Ebu Hurejra).
8. “Më të mirët ndër ju janë më të mirët me familjen e tyre!” – (Hadithi nr. 3990, f. 244. Tabaraniu, nga Ebu Kebshe).
9. “Më të mirët ndër ju janë më të mirët me gratë e tyre!” – (Hadithi nr. 3991, f. 244. Ibn Maxheh (dhe Dejlemiu, si te “Fejdul-Kadir”, vëll. 3, f. 572), nga Ibn Amr).
10. “Më të mirët ndër ju janë jetëgjatët vepërmirë!” – (Hadithi nr. 3992, f. 244. Hakimi, nga Xhabiri).
Përktheu nga arabishtja dhe përshtati në shqip:
Muhamed B. Sytari