Një i ri palestinez është qëlluar për vdekje të martën gjatë përleshjes me forcat izraelite në qarkun e okupuar të Jerusalemit, raporton Anadolu Agency (AA).
Ministria palestineze e Shëndetësisë përmes një kumtese ka thënë se i riu 19 vjeçar, Ahmad Otham, ishte plagosur rëndë nga një plumb snajperi i shkrepur nga forcat izraelite gjatë përleshjeve në lagjen Kafr Aqab.
“Palestinezi i plagosur në gjoks më vonë iu nënshtrua plagëve të marra në një spital në afërsi”, thuhet në kumtesë.
Përleshjet e ashpra në lagjen Kafr Aqab shpërthyen të martën, pasi disa automjete izraelite u futën në lagje për të prishur shtëpinë e një palestinezi të vrarë më herët nga forcat izraelite.
Sipas të dhënave palestineze, afërsisht 255 palestinezë janë vrarë që nga shpërthimi i valës së fundit të dhunës izraelito-palestineze që filloi vitin e kaluar.
Izraeli nga ana e tij thotë se 42 izraelitë janë vrarë në sulmet e palestinezëve gjatë periudhës së njëjtë. /AA