Një sistem i unifikuar adresash do të ofrojnë shërbime më të mira publike për vendin.
Sistemi i adresave në Kosovë është konfuz. Emrat e rrugëve dhe numrat e shtëpive ekzistojnë vetëm në qytetet e mëdha dhe zonat rurale dhe qytetet e vogla nuk kanë një regjistër të adresave. Është e zakonshme të shtohen mbi zarf shënime për vendet e afërta dhe pikat e orientimit, kur dërgohet një letër.
Dhe letrat dhe dokumentet që humbasin shkaktojnë ndryshime të rëndësishme për jetën.
“Unë u pranova në një universitet në Gjermani, dhe kisha kohë … deri në fund të korrikut të pranoja ose jo të regjistrohesha. Megjithëse ata m’i kishin dërguar dokumentet, unë kurrë nuk i kam marrë ato. Në gusht mora përgjigje se vendi im i është dhënë dikujt tjetër”, tha Shyqri Hasani nga Podujeva për SETimes.
Shaban Beqiri nga Prishtina nuk ka marrë një thirrje gjyqësore.
“Korrieri i gjykatës nuk ishte në gjendje të gjente adresën time në fshatin tim në Koliq, dhe [thirrja] u kthye. Pasi kam [pyetur] çfarë po ndodh me rastin tim, gjykata më tregoi për problemet”, tha Beqiri për SETimes.
Por konfuzioni po vjen drejt fundit.
Agjencia Kadastrale e Kosovës është duke zbatuar një sistem adresash në vend, duke siguruar që të gjitha ndërtesat dhe banesat të kenë një adresë që zbaton sistemin e unifikuar.
Sistemi është i rëndësishëm për informata hapësinore, mundëson shërbime më të mira postare për qytetarët e Kosovës, bën të mundur mbledhjen më lehtë të taksave dhe ndihmon kompanitë e shërbimeve publike të mbledhin detyrimet e tyre.
“Si rezultat i sistemit të unifikuar të adresave, shërbimet do të ofrohen më shpejt dhe [në mënyrë] më të sigurt për qytetarët”, tha Amir Sogojeva, kreu i Njësisë së Sistemit të Adresave në Agjencinë Kadastrale të Kosovës, për SETimes.
“Kosova … është duke mësuar nga përvojat në rajon, por edhe nga Evropa, sidomos nga Norvegjia. Sistemi që është duke u krijuar, është një sistem shumë i avancuar dhe shumë i dobishëm për institucionet qeveritare, si dhe në përgjithësi për bizneset dhe qytetarët”, tha Sogojeva.
Për të pasur një pasqyrë mbi situatën e regjistrit të adresave në Kosovë, Agjencia Kadastrale ka zbatuar një projekt pilot në komunën e Prizrenit. Me ndihmën e zyrës së BE-së në Kosovë, rreth 200 njerëz kanë mbledhur të dhënat e adresave në terren. Projekti pritet të përfundojë në dhjetor 2013.
Qorraj thotë se sa më shpejt të zbatohet sistemi i adresave dhe të jetë i aksesueshëm për gjykatat, puna e tyre do të jetë më efektive.
Një sistem i unifikuar do të lehtësojë punën e agjencive të zbatimit të ligjit për respektimin e vendimeve gjyqësore, si dhe për të ofruar dokumentet gjyqësore për qytetarët dhe institucionet.
“Që nga fundi i luftës, gjykatat kanë hasur në vështirësi të mëdha në kryerjen e punës së tyre për shkak të adresave”, tha për SETimes Aishe Qorraj, një zyrtare për informacionin në Këshillin Gjyqësor të Kosovës.
Problemet me adresat nuk janë të pazakonta në rajon.
Në Shqipëri, sistemet e përdorura përgjatë epokës komuniste dhe më pas vetëm adresuan pallatet, jo shtëpitë apo banesat e tjera. Vendi nisi një sistem të ri vitin e kaluar.
Në Slloveni, sistemi i adresave është krijuar në vitin 1996 dhe ishte kryesisht i ngjashëm me atë të Kosovës. Të dy vendet përjetuan probleme në zonat rurale kur kaluan në adresat e reja, por që prej atëherë ato janë rregulluar./set