-5.4 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Presidenti Thaçi pritet me nderime të larta në Maltë

Më të lexuarat

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, është pritur sot nga presidentja e Maltës, Marie Louise Coleiro Preca, në Pallatin Presidencial në Valeta, kryeqytetin e Maltës

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, është pritur sot nga presidentja e Maltës, Marie Louise Coleiro Preca, në Pallatin Presidencial në Valeta, kryeqytetin e Maltës, në fillim të vizitës së tij presidenciale në këtë shtet, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një njoftim zyrtar nga Presidenca bëhet e ditur se me këtë rast, presidentja, Coleiro ka shprehur se ndihet e lumtur që Malta është ndër shtetet e para që ka njohur pavarësinë e Kosovës dhe se që nga atëherë është konsoliduar si shtet. Kurse presidenti Thaçi, duke shprehur se ndihet i kënaqur që po qëndron për vizitë në vendin mik, Maltë, theksoi se ndodhet në këtë vend për të punuar dhe thelluar bashkëpunimin në mes të këtyre dy vendeve.

Më pas, presidentja Preca ka këruar nga Thaçi që marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve të shtrihen veçanërisht në fushën e ekonomisë, kurse ky i fundit ka rekomanduar që të shikohet mundësia e një takimi në mes të dy Odave Ekonomike të dy vendeve, që t’i hapet rrugë takimit të bizneseve të dy vendeve.

Duke falënderuar presidenten Preca për përkrahjen e vazhdueshme të Maltës për Kosovën, Thaçi ka thënë se “Ju shprehi mirënjohje juve si presidente, institucioneve shtetërore të Maltës për përkrahjen për Kosovën, një herë në kuadër të organizatave ndërkombëtare që veprojnë në Kosovë dhe tash si shtet i pavarur. E vlerësojmë përkrahjen tuaj në të gjitha organizatat dhe forumet ndërkombëtare ku ju promovoni dhe përkrahni Kosovën”.

Pasi Malta do të jetë kryesuese e radhës e presidencës së BE-së nga 1 janari 2017, presidenti Thaçi gjithashtu ka kërkuar nga Malta që Brukseli të mbajë vëmendjen në Ballkanin Perëndimor.

“Aspirata e vendeve të Ballkanit Perëndimor për t’u bërë pjesë e BE-së nuk guxon të pësojë. Vonesa e BE-së për të afruar rajonin e Ballkanit Perëndimor, veçanërisht Kosovën, është kërcënim për sigurinë pasi i hap rrugë ideologjive nacionaliste dhe radikale e fundamentaliste”, ka thënë presidenti Thaçi.

Kurse rreth kësaj, Presidentja Preca ka vënë në dukje se Malta do të kërkojë edhe nga vendet e tjera të BE-së që të mbajnë në vëmendje Ballkanin Perëndimor. “Duhet të konfirmojmë se Ballkani Perëndimor e ka të sigurt perspektivën evropiane”, ka thënë ajo.

Ndërkaq, edhe ministri i Punëve të Jashtme i Maltës, George Wella, i cili ishte anëtar i delegacionit maltez në takim, shprehu se “BE-ja duhet të konfirmojë në mënyrë konkrete përkrahjen për shtetet e Ballkanit Perëndimor”.

Ndërkohë, Presidenca bën të ditër se në këtë vizitë, presidenti Thaçi është pritur me nderimet më të larta shtetërore, ku para takimit, presidenti Thaçi dhe presidentja Preca kanë parakaluar para Gardës së Nderit të Maltës në sheshin kryesor të kryeqytetit Valeta. Presidenti Thaci, po ashtu ka vënë kurora lule në memorialin e dëshmorëve në kryeqytetin maltez.

Në kuadër të kësaj vizite, gjatë ditës, presidenti Thaçi do të ketë takime të shumta me përfaqësues të jetës publike dhe politike në Maltë.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit