2.8 C
Pristina
Thursday, November 14, 2024

Izraeli bën gabim që nuk njeh Kosovën

Më të lexuarat

Fakti që Izraeli, në çështjen e Kosovës, e gjen veten në të njëjtën listë me Kinën, Rusinë, Iranin – vendet që natyrisht kundërshtojnë pavarësinë e Kosovës – është shumë shqetësues, thotë Yonatan Touval, analist i politikës së jashtme izraelite.
“Qëndrimi zyrtar është se Izraeli do të ishte i lumtur që të njihte pavarësinë e Kosovës në momentin që ka një marrëveshje ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Zyrtarët izraelitë paraqesin këtë vendim parimor, duke thënë se nuk do t’ju pëlqente të shihnin pjesëtarë të komunitetit ndërkombëtar që njohin Palestinën si shtet të pavarur dhe sovran, para arritjes së një marrëveshjeje përfundimtare nga ana e Izraelit”, thotë ai në një intervistë për “Radion Evropa e Lirë”.
Sipas tij, ky është pozicionimi zyrtar, i cili atë e pengon.

“Edhe pse Jerusalemi e paraqet këtë argument si një pozicionim zyrtar, unë them se është – nëse mund ta përdor këtë term – pozicionim patologjik: patologjik në kuptimin e ankthit kombëtar. Pozita zyrtare, pra, niset nga ankthi kombëtar i Izraelit, që ka të bëjë me problemin e pazgjidhur ndërmjet tij dhe Palestinës”.

Touval merret edhe me gjoja analogjinë në mes të konfliktit kosovaro-serb, në njërën anë, dhe konfliktit izraelito-palestinez, në anën tjetër.

“Dhe, kushedi se për çfarë arsyesh, ekziston një afinitet i çuditshëm ndërmjet Serbisë dhe Izraelit. Kjo ndoshta lidhet me faktin se të dyja vendet po përballen me sfida të ngjashme të minoriteteve, që paraqesin kërkesa territoriale për pjesët e tokave të tyre historike. Në rastin e Serbisë bëhet fjalë për Kosovën, ndërsa në rastin e Izraelit bëhet fjalë për vendin e shenjtë të Jerusalemit. Ne të gjithë e kemi dëgjuar frazën se Kosova është Jerusalemi i Serbisë. Atëherë, në rastin e Izraelit, Palestina është Kosova e këtij vendi. Nëse Izraeli do ta pranonte Kosovën, do të ishte njësoj sikur ta pranonte Palestinën”.

Por, kjo anologji, sipas tij është absurde.

“E gjithë analogjia ndërmjet Izraelit dhe Serbisë është paksa absurde, por, siç e thashë, ajo vjen nga një ankth i brendshëm dhe është vështirë të argumentosh me këtë ankth”.

Të shumtë janë ata që argumentojnë se rasti i Palestinës dhe ai i Kosovës nuk mund të tërhiqen në paralele, sidomos kur dihet se Kosova ka edhe mbështetjen e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.

“Fakti që Kosova ka mbështetjen e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë i bën gjërat edhe më keq, sepse nxit ankthin e Izraelit që Palestina mund të fitojë përkrahjen e subjekteve të ndryshme ndërkombëtare. Kjo është njëra nga arsyet më të mëdha përse Qeveria e Izraelit është kundër përpjekjeve të Palestinës që të fitojë njohjen nga Kombet e Bashkuara më vonë këtë muaj”.

Serbia e sheh Izraelin si aleat të rëndësishëm. Touval nuk mohon se marrëdhëniet në mes të Serbisë dhe Izraelit luajnë rol në pozicionin e Izraelit ndaj Kosovës.

“Për fat të keq, ky është një gabim tjetër i Jerusalemit. Jam i sigurt se marrëdhëniet midis Izraelit dhe Serbisë do të mbijetojnë edhe me njohjen e pavarësisë së Kosovës nga ana e Izraelit. Në fakt, një gjë e tillë mund të përcjellë sinjal konstruktiv te Beogradi, se aleati i tij pret arritjen e një marrëveshjeje me Prishtinën. Në anën tjetër, nëse qëndrimi i Jerusalemit ndaj Kosovës synon t’iu diktojë miqve të tij se si të sillen ndaj Palestinës, atëherë Serbia ka dëshmuar të kundërtën. Vitin e kaluar, Serbia ka votuar për pranimin e Palestinës në UNESCO, pavarësisht dëshirës së Izraelit. Beogradi, po ashtu, ka deklaruar se nuk do të kundërshtojë rezolutën për njohjen e shtetësisë së Palestinës në Kombet e Bashkuara. Pra, ky është një drejtim i gabuar”.

Në një publikim të tij, Touval ka thënë se njohja e Kosovës nga Izraeli “nuk do të minonte interesat e tij strategjikë, por madje mund t’i avancojë ata”. Në pyetjen se cilat do të ishin përfitimet e Izraelit në këtë drejtim, analisti izraelit përgjigjet: “Ajo çfarë kam dashur të them me këtë është se njohja e pavarësisë së Kosovës nuk është vetëm një çështje e vogël diplomatike dhe dypalëshe ndërmjet Jerusalemit dhe Prishtinës. Është diçka më e thellë, e cila ka të bëjë me vetë qëndrimin e Izraelit ndaj Palestinës, rajonit dhe botës. Fakti që Izraeli, në çështjen e Kosovës, e gjen veten në të njëjtën listë me Kinën, Rusinë, Iranin – vendet që natyrisht kundërshtojnë pavarësinë e Kosovës – është shumë shqetësues”.

Touval deklaron se për arsye strategjike, “për të mos thënë morale”, Izraeli duhet të jetë në anën e aleatëve të mëdhenj në botë – Shteteve të Bashkuara dhe shumicës së vendeve të Evropës që kanë njohur Kosovën.

“Pra, e përsëris, njohja e Kosovës nuk është vetëm një çështje e vogël diplomatike, por është një test i vërtetë se si Izraeli qëndron në botë, si e sheh veten dhe nga do të shkojë në të ardhmen. Sipas mendimit tim, njohja e Kosovës do të ishte një hap i pjekur diplomatik, i cili do të shkonte paralel me një politikë më të hapur dhe më konstruktive për gjetjen e një zgjidhjeje të përhershme paqësore me Palestinën, për arritjen e marrëveshjeve rajonale ndërmjet Izraelit dhe fqinjëve arabë, si dhe për pozitën afatgjate të Izraelit në botë”. /Telegrafi/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit