2.2 C
Pristina
Saturday, November 23, 2024

Regjimi i Asadit skandal në Këshillin e Sigurimit të OKB-së

Më të lexuarat

Përfaqësuesi i regjimit të Asadit në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, Beshar Xhaferi ka shkaktuar skandal duke i paraqitur në Këshillin e Sigurimit (KS) fotografitë e masakrës në Halep nga regjimi si “sulme të kryera nga opozita”, raporton Anadolu Agency (AA).

KS i OKB-së pardje organizoi mbledhje urgjente për shkak të krizës humanitare në Halep. Në seancë fjalim mbajti edhe përfaqësuesi i përhershëm i Sirisë në OKB, Beshar Xhaferi. Ai paraqiti fotografi me kufomat e të vdekurve në sulmet ajrore të regjimit në lindje të Halepit.

Duke pohuar se kufomat në fotografi u përkasin civilëve të vdekur nga sulmet e opozitarëve, Xhaferi u shpreh: “Sot (30 nëntor) dhjetëra civilë u vranë nga terroristët të cilit përmes modifikimit gjenetik janë shndërruar në opozitarë të moderuar e të cilët përkrahen nga SHBA-të, Britania dhe Franca, përderisa përpiqeshin të iknin nga Halepi lindor në Halepin perëndimor, konkretisht nga zonat e kontrolluara nga terroristët në zonat ku gjendet ushtria e Sirisë.”

Gazetarët e AA-së kanë analizuar nga afër fotografinë që Xhaferi mbante në dorë dhe në këtë mënyrë nxori në shesh gënjeshtrën e regjimit. Më pas, AA ka kontaktuar me gazetarin e Qendrës Mediatike të Halepit (AMC), Arif al Arif, i cili ka shkrepur atë fotografi.

“Në vendin ku shkrepa fotografinë pamë copa predhash të mortajave” 

Në deklaratën për gazetarin e AA-së, Arif tha se fotografitë në fjalë i ka bërë në lagjen Xhub Kubbe, vend ky i cili është vend i masakrave të regjimit. Arif vazhdoi: “U trondita kur e pashë fotografinë time në duar të Xhaferit. Unë isha një nga gazetarët që shkuam në zonën e sulmit në Xhub Kubbe. Në vendin ku shkrepa fotografinë pamë copa predhash të mortajave. Regjimi në Xhub Kubbe shënjestroi drejtpërsëdrejti civilët. Shkuam në vendin e ngjarjes së bashku me ekipet e mbrojtjes civile. Xhaferi dhe regjimi janë ekspertë të gënjeshtrës. Xhaferi flet kështu në mënyrë që regjimit dhe Sirisë t’u mundësojë autoritet për t’i vrarë civilët. A është e logjikshme që opozitarët t’i qëllojnë civilët të cilët ikin nga bombat në lindje të Halepit? A nuk është regjimi ai i cili i ka bërë rrafsh me tokën spitalet? Apo vallë edhe këto i ka bërë opozita?”

“Fotografia i përket sulmit ku regjimi vrau 45 civilë” 

Ndërkaq, gazetari i AA-së në Halep, Ibrahim Ebu Leys, po ashtu kishte fotografuar vendin e njëjtë pas sulmit në fjalë. Në lidhje me gënjeshtrën e Xhaferit, Leys tha: “Një kënd të ngjashëm me fotografinë në dorën e Xhaferit e kisha shkrepur edhe unë në vendin e ngjarjes. Fotografia e Arifit i përket sulmit kur regjimi vrau 45 civilë të cilët iknin nga forcat e regjimit. Këndi i kapur në fotografi shfaq rrugën ku forcat e regjimit qëlluan me artileri dhe mortajë civilët të cilët po iknin nga sulmet e regjimit në lagjen Xhub Kubbe për të migruar në zonat e kontrolluara nga opozitarët. Edhe ekipet e mbrojtjes civile kanë mbledhur shumë dëshmi se këtë sulm e ka realizuar regjimi.”

Afërsisht 300 mijë civilë në lindje të Halepit janë të rrethuar tanimë tre muaj. Regjimi i Asadit dhe përkrahësit e tij që nga 15 nëntori i vazhdojnë sulmet me ashpërsinë maksimale nga ajri dhe toka. Në 17 ditët e fundit, si pasojë e sulmeve kanë humbur jetën më shumë se 750 civilë, ndërsa 2.500 janë plagosur. Sulmet kanë pamundësuar funksionimin e të gjitha spitaleve dhe shkollave në qytet. Mijëra civilë po vazhdojnë të migrojnë në lagjet e kontrolluara nga opozitarët të cilët i shohin si relativisht të sigurta.

Zv/Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së për Çështje Humanitare dhe Koordinatori i Gjendjeve Emergjente, Stephen O’Brien, në mbledhjen në fjalë të KS të OKB-së theksoi se lindja e Halepit prej 150 ditësh është e rrethuar nga regjimi. “Përgjërohemi që Halepi të mos shndërrohet në një varrezë gjigante, të mbrohen civilët në emër të njerëzimit dhe të sigurohet qasje në qytetin e rrethuar”, u shpreh O’Brien./AA

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit