-1 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Adem Ramadani, njeriu që la gjithçka për Allahun

Më të lexuarat

Ai është ndër më të njohurit në të gjitha trojet shqiptare në këndimin e ilahive (lirikave me karakter islam), si dhe i pari, i cili në kulmin e karrierës së tij si këngëtar, bëri një hap të guximshëm, duke u distancuar njëherë e përgjithmonë nga karriera e tij, vetëm për hir të Zotit; duke mos e ditur se do t’i kompensohej me diçka më të mirë nga ajo që kishte lënë. Me një repertor të pasur, prej afërsisht 70 ilahish të ndara në 8 albume, me të cilat është prezantuar ndër vite para publikut, Adem Ramadani është një artist që përhap mesazhe pozitive dhe e paraqet fenë islame në një formë të bukur dhe lehtësisht të prekshme e të kuptueshme për të gjithë, çka e bën të konsiderohet si një përcjellës i denjë i kulturës islame me përmasa mbarëkombëtare. Për të gjithë admiruesit, kureshtja është e madhe të dinë më tepër rreth tij, si dhe të njihen nga afër me jetën e tij private e atë profesionale (artistike), si dhe mbi planet e tij më të afërta. Të gjitha këto dhe të tjera, ai i rrëfen në këtë intervistë për “Drita Islame”.

I lindur në Shkup të Maqedonisë; i diplomuar në Fakultetin Pedagogjik, Adem Ramadani jeton dhe vepron në vendlindjen e tij. është i martuar dhe ka tre fëmijë – një vajzë dhe dy djem. është i punësuar pranë Komisionit për Marrëdhënie me Bashkësitë Fetare, po në Shkup.

Heqja dorë nga karriera e mëparshme ka qenë shumë e vështirë, pasi, siç shprehet ai, për t’u marrë një hap i tillë, së pari duhet guxim dhe vendosmëri, të jesh i gatshëm për t’u përballur me sfida nga më të ndryshmet, megjithatë, thotë se këtë e ka arritur gradualisht, derisa më 27 gusht 2004, ai do të kishte dhe kontaktin e fundit me muzikën.
Pas kësaj, ai u rrethua nga shumë sfida e probleme, por me ndihmën e Allahut, arriti t’i tejkalojë, saqë tashmë as që dëshiron t’i kujtojë. “Besimi në Allah, i ngulitur thellë në shpirt, më ka bërë të vendosur për të ndërmarrë një hap të tillë. Gjatë tërë kohës e kam parë me sytë e mi përkrahjen e Tij, dhe s’më ka lënë të kem nevojë shumë për njerëzit, megjithatë i falënderoj të gjithë ata që më kanë ndihmuar dhe mbështetur”, shprehet Ramadani.

Familja dhe të afërmit nuk kanë qenë të gatshëm për ta përkrahur këtë vendim dhe ndryshim rrënjësor të tij, duke i thënë: “Pse largohesh nga diçka e cila të sjell të mira materiale dhe famë?!”, por Ademi e justifikon këtë qëndrim të tyrin me faktin se në atë kohë ata s’kishin shumë njohuri fetare, prandaj dhe reagonin ashtu. Kur e pyet nëse është penduar për këtë kthesë në jetën dhe profesionin e tij, ai përgjigjet: “Nuk jam penduar që jam larguar nga ajo që bëja më parë, por jam penduar se pse nuk e kam bërë diçka të tillë më herët. Kur braktisa muzikën, nuk e kisha planifikuar që do të merrem me ilahi. Allahu më ka mundësuar një karrierë më të mirë dhe tregti më të begatë se ajo e mëparshmja. Më herët shkoja nëpër dasma, por edhe tani shkoj nëpër dasma për të kënduar, nuk kam humbur asgjë, përpos që kam fituar në karrierë dhe në të gjitha aspektet”. Adem Ramadani ndihet mirënjohës ndaj Allahut që i mundësoi për të zgjedhur rrugën në të cilën ndodhet, edhe pse tregon se ka qenë i lidhur me Allahun që i vogël, kujton faljen e namazit dhe agjërimin e ramazanit që në klasë të pestë.
E para ilahi me të cilën është prezantuar në publik titullohet “Allahut rob s’un ju bona”, ndërsa për sa i përket teksteve të ilahive, thotë se në 95% të tyre i shkruan vetë.
Albumi i tij i fundit është ai i vitit 2012, ndërsa pas tij ka bërë disa ilahi, e fundit është ajo kushtuar hoxhës së nderuar nga Sllupçani, Mulla Jakup Asipit. Prej vitesh merr pjesë si i ftuar në shumë aktivitete kulturore islame në Kosovë, Maqedoni, Shqipëri, Diasporë, etj., ku është pritur e pëlqyer shumë. Përveç kësaj, së bashku me grupin e tij të përbërë nga hafizi i mirënjohur Xhemail Nuhiu, hoxha i nderuar Ferid Selimi dhe bashkëpunëtorë të tjerë, ftohet në dasma e gëzime të besimtarëve, ku shpalos repertorin e tij të gjerë me ilahi, me të cilat kënaq të pranishmit.
Kohët e fundit, Adem Ramadani është bërë edhe hafiz Kur’ani. Që në vitin 2005, nisi të mësojë përmendësh pjesë kuranore, por jo me nijetin për t’u bërë hafiz, ndërsa në vitin 2011, i hyri seriozisht kësaj çështjeje, të cilën e finalizoi me sukses në vitin 2015, nën drejtimin e hafizit Isa Bekteshi. Ndër planet e tij të afërta, është realizimi i një albumi me pjesë të përzgjedhura nga Kur’ani. Tashmë që është hafiz, i prin në namaz besimtarëve në xhaminë e lagjes së tij, kur mungon imami. Megjithatë, nga modestia që e karakterizon, pohon se ka nevojë ta përforcojë e përmirësojë akoma më tepër këndimin e Kur’anit.
Adem Ramadani ka kryer edhe ritualin e Haxhit, eksperiencë të cilën e përshkruan me këto fjalë: “Haxhi është një ibadet shumë interesant, e zhvesh njeriun nga të gjitha preokupimet e dynjasë, nga e përditshmja, e afron më afër natyrshmërisë së vet…”. Kujton me shumë nostalgji herën e parë kur vështrimi i tij u përball me Qaben, moment që e frymëzoi të kompozojë ilahinë me titull: Qaben s’pari kur e pashë. “Kur je para një shtëpie të cilën gjatë gjithë jetës e ke paramenduar, dhe për një moment ndodhesh para saj, është diçka e papërshkrueshme me fjalë”, shprehet ai. Emocione të veçanta ka përjetuar edhe në Arafat, ku të gjithë i luten Allahut dhe e dinë se nuk kanë përkrahje tjetër përveç Tij.
Të tre fëmijët e tij kanë prirje për të kënduar, por i vogli, Ubejdi, ka më shumë talent. “Inshallah do t’i përgatis një ilahi që ta këndojë djali”, shton më tej Ademi.
Kur e pyet për raportin e tij me Zotin dhe se çfarë do të thotë të jesh besimtar në ditët e sotme, ai thotë: “Të jesh besimtar, nuk do të thotë të mos kesh probleme; vetë fakti kur ti e kujton se je në rrugë të drejtë, të jep siguri në këtë jetë dhe të jep shpresë se tek Allahu do të fitosh shumë”.
Kur duam të zbulojmë se cilat janë projektet e tij në vijim, Ademi përgjigjet: “Këtë dimër do të ulem të punoj diçka, pasi deri tani kam qenë shumë i zënë me nxënien përmendësh të Kur’anit dhe me punën time të përditshme”, ndërsa mesazhi që jep për këdo është: “Ta besojnë Allahun ashtu siç Ai ka kërkuar, dhe jo ashtu siç duan njerëzit. Fakti që njeriu është lënë i lirë të zgjedhë në jetën e tij, nuk do të thotë se nuk ka përgjegjësi, pasi ka shpërblim dhe dënim, xhenet dhe xhehenem. Njeriu është lënë i lirë të zgjedhë fatin e tij dhe kjo është sprova më e madhe. Duhet t’i gëzohemi faktit se kemi një Zot të Mëshirshëm, të Butë dhe të Dashur me ne…”.
Ky është në pak fjalë profili i Adem Ramadanit, këngëtarit të famshëm që la gjithçka për hatër të Allahut.

Qani Sulku

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit