10.7 C
Pristina
Saturday, September 21, 2024

Nga Amir B. AHMETI*: A ka kufij liria e shprehjes?

Më të lexuarat

I.

Ndoshta kjo është hera e tretë që shkruaj për fushën e gazetarisë dhe mediave. Jo nga këndvështrimi im profesional, sepse nuk jam gazetar profesionist, por nga këndvështrimi analitik i gazetarisë në vendin tonë, si rrjedhojë, i plasimit të informacioneve, të cilat në disa raste na bëjnë të mendojmë dy herë për pavarësinë e disa prej këtyre mediave për informacionet që na i servojnë.

Në fund të javës së kaluar, në Kosovë u ndez një debat i ashpër për lirinë e shprehjes, apo më mirë të thuhet, për lirinë e fjalës së gazetarëve, por falë Zotit u përmbyll shpejt. Jo se u zgjidhën të gjitha dilemat se a ka apo nuk ka liri të fjalës nga ana e gazetarëve, apo dhe e kundërta, a ka kufij liria e fjalës së gazetarëve dhe e shprehjes në përgjithësi. Këtë debat e nxiti një deklaratë e një zyrtari komunal të Prishtinës, Hysni Durmishit nga radhët e Vetëvendosjes, i cili u shpreh se kur ata të vijnë në qeverisje do t’i tërheqin zvarrë gazetarët e pushtetit. Kjo deklaratë ishte e papranueshme për të gjithë gazetarët, madje edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës reagoi ndaj deklaratës së Durmishit. Të gjithë në një mënyrë apo tjetër u solidarizuan me gazetarët; reaguan dhe kritikuan ashpër Durmishin. Madje edhe vetë kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje iu bashkua reagimeve, derisa vetë Durmishi tërhoqi “kërcënimin” e tij.

II.

Sikur Durmishi të thoshte “disa gazetarë”, e jo “gazetarët”, do të kuptohej pak më ndryshe. Aq më tepër nëse do të thoshte, “prokuroria dhe gjykatat duhet të marrin masa ndaj disa gazetarëve për këtë ose atë arsye,” kishte me qenë edhe më korrekte. Mendoj jo vetëm më korrekte si shprehje, por edhe si kërkesë dhe nevojë, që nënkupton se edhe gazetarët duhet ta kenë barrën e përgjegjësisë dhe etikën e raportimit për çdo informacion që u servohet lexuesve. Kjo nuk do të nënkuptonte se të gjithë gazetarët janë joprofesionistë dhe të anshëm në raportimet e tyre. Por do të përçonte sinjalin se një numër i konsiderueshëm gazetarësh, për arsye që ata i dinë, nuk janë në krye të detyrës. Madje, mund të them lirisht se arsyet janë të njohura dhe nga shumë prej nesh. Disa media, jo vetëm në Kosovë, por edhe në trojet e tjera shqiptare, e ndoshta edhe më gjerë, janë krejtësisht në dispozicion të politikës, të një grupi të biznesit, e po ashtu edhe të një ideologjie. Kjo e fundit është mjaft e përhapur në shumë media. Madje rreziku i saj është se në mënyrë tinzare dhe në emër të lirisë së shprehjes dhe fjalës së lirë po përhapin ideologjinë antiteiste, duke prishur kështu harmoninë dhe ekuilibrin e besimeve te populli ynë.

III.

Liria e fjalës apo shprehjes gjithsesi duhet të respektohet, dhe nuk guxojmë asnjëherë ta cenojmë, sepse atëherë po cenojmë një prej lirive elementare të të drejtave të njeriut dhe të shoqërisë demokratike. Por vërejtja ime është që kjo liri të mos keqpërdoret, se, në fund të fundit, ata të cilët i kanë shkruar e promovuar këto të drejta u kanë vënë edhe një aneks këtyre kartave të të drejtave, ku tregohet qartë se kjo liri ka edhe kufij. Ajo liri përfundon kur cenon të drejtat e tjetrit. Pra, liria e fjalës nuk nënkupton se mund të thuash çfarë të duash në kurriz të tjetrit, nuk nënkupton se mund të fyesh, shpifësh e sajosh lajme të paqena e të paargumentuara dhe të mos bartësh përgjegjësi për atë që thua apo shkruan.

IV.

Në Kosovë, ende nuk di nëse një gazetar është dënuar për shpifje, për sajesë apo shkelje të etikës profesionale mediatike. Kjo kishte me qenë mirë nëse nuk ekzistojnë gazetarë që sajojnë lajme të tilla. Por e vërteta është ndryshe, dhe ne jemi dëshmitarë që ka lajme të tilla.

Në vitin 2002, një gjykatë në Milano ka dënuar dy gazetarë italianë (Furio Kolombo dhe Klaudio Papajani) për shpifje ndaj kryeministrit të Shqipërisë. Ish-kryeministri Nano u dëmshpërblye me 200 mijë euro dhe me 25 mijë euro të tjera për pagesën e avokatëve. Po ashtu, ish-presidenti i Kosovës, Behxhet Pacolli, është dëmshpërblyer nga një medium në Zvicër për shpifje ndaj tij. Ndërsa në botën perëndimore ka edhe mjaft shembuj të tjerë të kësaj natyre. Për këtë, unë edhe dyshoj se derisa të mos kemi dënime kundër disa lajmeve bombastike, të sajuara, madje edhe ksenofobike e me elemente të urrejtjes dhe mosdurimit fetar e racor, tek ne nuk do të zhvillohet gazetari profesionale, e paanshme dhe e pavarur.

Me këtë rast nuk dua të gjykoj askënd, por vërtet kam dëshirë që gazetaria jonë të jetë sa më profesionale dhe e kujdesshme me servimin e lajmeve për lexuesit e saj. /tesheshi.com/

*Autori është ish-deputet i Kuvendit të Kosovës

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit