18.7 C
Pristina
Tuesday, April 30, 2024

Stoltenberg: Turqia është e rëndësishme për NATO-n dhe Europën

Më të lexuarat

Duke dhënë vlerësime në lidhje me Turqinë, Stoltenberg tha se “Turqia është aleat i rëndësishëm për NATO-n për shumë arsye. Një nga këto arsye është pozita e Turqisë

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka deklaruar se pozita gjeografike e Turqisë e bën atë aleat të rëndësishëm për aleancën, raporton Anadolu Agency (AA).

Stoltenberg mbajti fjalim në aktivitetin me temë “Mbrojtja e Evropës dhe Siguria Transatlantike” të organizuar nga thinktanku German Marshall Fund. Duke dhënë vlerësime në lidhje me Turqinë, Stoltenberg tha se “Turqia është aleat i rëndësishëm për NATO-n për shumë arsye. Një nga këto arsye është pozita e Turqisë. Në lindje Turqia kufizohet në Detin e Zi me Rusinë dhe Gjeorgjinë, ndërsa në jug me Irakun dhe Sirinë, vende këto në të cilat është e pranishme dhuna dhe DEASH-i. Pozita gjeografike e Turqisë e bën atë aleat të rëndësishëm për aleancën.”

“Ngelemi të detyruar ta kujtojmë rëndësinë e madhe që Turqia ka për aleancën”

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s rikujtoi se Turqia në të njëjtën kohë po strehon deri në tre milionë refugjatë. “Në të njëjtën kohë, Turqia është aleatë i rëndësishëm për kontributin gjatë detyrave tona në Afganistan dhe Kosovë. Rrjedhimisht, sa herë që kemi vështirësi si në lindje, ashtu edhe në jug, jemi të detyruar ta kujtojmë rëndësinë e madhe që Turqia ka për aleancën”, vazhdoi ai.

Duke folur edhe për takimin mes presidentit të Turqisë Recep Tayyip Erdoğan dhe atij rus Vladimir Putin, Stoltenberg vlerësoi se “E konsideroj pozitive që liderët e shteteve të NATO-s të takohen me liderin rus. Këtë e kanë bërë shumë liderë dhe kjo gjë është normale. Takimet nuk kanë kuptimin palët kanë mendimin e njëjtë, por të paktën tregojnë se jemi në dialog.”

Stoltenberg rikujtoi se personalisht kishte bërë thirrje për dialog mes dy shteteve pas rrëzimit të aeroplanit rus vitin e kaluar, duke shtuar më tej se kontakti mes Erdoğanit dhe Putinit ka po ashtu rëndësi për luftën kundër DEASH-it.

“U emocionova kur pashë Parlamentin e Turqisë të bombarduar”

Stoltenberg theksoi se ka qenë i emocionuar kur gjatë vizitës në Turqi në shtator kishte parë Kuvendin Turk (TBMM) të bombarduar. “Gjatë tentativës për grusht shteti u bombardua kuvendi derisa deputetët ishin brenda. Ky njëkohësisht ishte sulm edhe ndaj institucioneve demokratike në Turqi. Kam biseduar me të gjitha partitë dhe të gjitha më kanë treguar se e dënojnë tentativën për puç”, u shpreh Stoltenberg.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s tha se Turqia ka të drejtë t’i gjykojë personat që qëndrojnë pas tentativës për grusht shteti, mirëpo, siç theksoi ai, është e rëndësishme që kjo të bëhet në korniza të parimit të sundimit të ligjit. Në lidhje me këtë, ai tha se e sheh si të rëndësishëm kontaktin midis Këshillit të Evropës dhe Turqisë.

“Disa persona turq me detyrë në NATO kanë aplikuar për azil”

“Është e vërtetë se disa persona që punojnë në komandën e NATO-s kanë aplikuar për azil në shtetet ku gjenden në detyrë. Vendimi në lidhje me këtë u ngelet shteteve në fjalë. Kishte ndryshime në personelet turke me detyra ushtarake në komandën e NATO-s. Besoj se Turqia do t’i plotësojë këto vende. Se kush do të emërohet në këto vende do të caktojë Turqia”, tha Stoltenberg.

“Evropa duhet ta kuptojë rëndësinë e rolit që luan Turqia”

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s kujtoi se Turqia është e rëndësishme për Evropën në zgjidhjen e krizës së refugjatëve. “Është e rëndësishme që Evropa ta kuptojë rëndësinë e rolit që luan Turqia në menaxhimin e krizës së refugjatëve që kanë ngelur në Evropë.

Stoltenberg tha se NATO është e themeluar mbi vlera si demokracia, sundimi i ligjit dhe liria individuale. Siç tha ai, autoritetet turke e kanë informuar gjatë vizitës së tij se personat që qëndrojnë pas puçit të dështuar do të gjykohen mbi themelet e sundimit të ligjit. Ai shtoi se ditën e diel do të jetë në Stamboll për të marrë pjesë në Asamblenë Parlamentare të NATO-s.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit