3.4 C
Pristina
Wednesday, November 27, 2024

Mafia e minierave po keqpërdor licencat

Më të lexuarat

Ekspertë të fushës së minierave dhe mineraleve dhe të ekonomisë kanë shfaqur brengën e tyre se po bëhen keqpërdorime të mëdha në sektorin e dhënies së licencave për miniera dhe minerale.

Sipas të dhënave zyrtare, mësohet se deri më tash në vitin 2016 janë lëshuar mbi 30 leje pune. Analistët thonë se ka dyshime serioze se ekziston një lloj tregu ilegal në këtë fushë, por që është shumë vështirë për ta verifikuar,shkruan gazeta Kosova Sot.

Dhënien e lejeve të punës në këtë fushë e bënë Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale, që është një agjenci e pavarur, e përcaktuar me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Bazuar në ligjet aktuale, është KPMM-ja ajo që i rregullon aktivitetet minerare në Kosovë, në përputhje me Ligjin Nr. 03/L-163 për Minierat dhe Mineralet, Ligjin Nr. 04/L-158 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit Nr. 03/l-163 për Minierat dhe Mineralet, aktet nënligjore të nxjerra në përputhje me Ligjin e Minierave dhe Mineraleve, dhe Strategjinë Minerare. KPMM-ja vepron në interes të publikut dhe i ushtron në mënyrë të pavarur kompetencat dhe funksionet, të cilat i janë dhënë sipas Ligjit të Minierave dhe Mineraleve.

Bazuar në të dhënat zyrtare të Komisionit për Miniera dhe Minerale, që i ka dhënë zëvendësdrejtori i KPMM-së, Gani Nekaj, mësohet se aktualisht në këtë fushë në tërë territorin e Kosovës veprimtarinë e tyre e zhvillojnë 137 kompani vendore dhe të huaja, që janë të licencuara.
Ndërkaq, nga po ky burim mësohet se vetëm në vitin 2016 me leje pune në këtë fushë janë pajisur më shumë se 30 kompani vendore e të huaja, kurse në vitin 2015 kjo shifër ka qenë përgjysmë më pak.

Lidhur me çështjen, drejtori i dikurshëm i minierave në Flotacionin e Kizhnicës dhe Novobërdës, tash profesor universitar, Shaip Latifi, thotë se Kosova është ndër vendet me pasuritë më të mëdha të qymyrit. Basenet më të rëndësishme të qymyrit (linjitit) në Kosovë janë Baseni i Kosovës, Baseni i Dukagjinit dhe Baseni i Drenicës. Në strategjinë e Energjisë thuhet se llogaritet se në tri basenet e qymyrit janë rreth 12 miliardë tonelata qymyr.

Nëse e marrim për kalkulim qymyrin që shpenzohet për prodhimin aktual të energjisë nga KEK-u (në mes të 10-11 milionë tonelata në vit), i bie që me rezervat e qymyrit mund të prodhohet edhe 10 shekuj sasia e energjisë që prodhohet nga KEK-u.

Eksperti Latifi ka thënë se ka raste kur po merren licencat e punës, siç është rasti me “Fox Marble” të Etrur Rrustemajt, dhe se të njëjtat kompani nuk po bëjnë asgjë për vite të tëra, derisa ta gjejnë dikë që ka dhjetëra miliona euro për të investuar, pasi që ata që i kanë marrë licencat nuk i kanë paratë, por vetëm shikojnë të gjejnë viktima financiare dhe të kapitalizojnë licencat që i kanë marrë përmes lidhjeve politike.

“Një shembull i tillë, i keq, i mënyrës sesi po merren licencat e punës është edhe rasti me ‘Fox Marble’ të Etrur Rrustemajt, e cila si kompani sa jam në dijeni nuk ka bërë asgjë për vite të tëra, me shpresën se do ta nisë veprimtarinë, derisa ta gjejnë dikë që ka dhjetëra miliona euro për të investuar, pasi që ata që i kanë marrë licencat nuk i kanë paratë, por vetëm shikojnë të gjejnë viktima financiare dhe të kapitalizojnë licencat, që i kanë marrë përmes lidhjeve politike”, theksoi ai

Sipas Latifit, komisioni i verifikon këto raste, por, për fat të keq, kanë qenë ndikimet e klaneve të caktuara, që janë të mëdha dhe të njëjtat bëjnë pengesa dhe presion në punën e komisionit, që tenton të veprojë drejt e sipas ligjit.

“Këtu vërtet bëhet fjalë për biznese shumë të shtrenjta, me kapital të madh dhe në të njëjtën kohë me rreziqe shumë, shumë të mëdha. Ka pasur shumë raste të vendorëve e të huajve që e kanë nisur këtë aventurë dhe të njëjtët janë tërhequr nga investimet e mëtejme shumë të shtrenjta dhe disa nga ata madje edhe kanë ngelur rrugëve”, theksoi ai.

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga koalicioni qeverisës, njëherësh edhe kryetar i Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Tregti dhe Industri, Muhamet Mustafa (LDK), tha për “Kosova Sot” se nuk ka asnjë nevojë për ashpërsim kriteresh për dhënien e licencave të punës për fushëveprimtari, sepse kriteret janë të njëjta dhe ato vlejnë si për mikun tonë, gjeneralin Wesley Clark, e për të gjithë të tjerët.

Një kompani, në krye të së cilës është Clark-u, ka marrë dritën jeshile nga Qeveria për të investuar në shfrytëzimin e thëngjillit, përmes teknologjive të reja të gazifikimit, por ende nuk është marrë vendimi final për lejimin e punës së saj.

Mustafa ka sqaruar se projekti në fjalë do të diskutohet më tutje nga Qeveria e Kosovës dhe do të merret vendimi për të.

Sipas Mustafës, kriteret e dhënies së licencave të punës për fushën minerare do të jenë të njëjta për të gjithë të interesuarit, përfshirë këtu edhe Wesley Clark.

“Ne do t’i trajtojmë investitorët potencialë me respekt, duke e parë interesin publik interesin e investitorit interesin e zhvillimit ekonomik dhe ruajtjes së ambientit dhe mjedisit, si dhe gjëra të tjera, që komisioni tashmë për të gjitha këto i ka marrë konkluzat dhe vendimet dhe ato kanë mbetur asisoj”, ka theksuar Mustafa

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit