Hadithi nr. 14 në vazhdim
Transmetohet nga Aishja, Allahu qoftë i kënaqur prej saj, se i Dërguari sal-Allahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kush shpik në fenë tonë diçka që nuk është me urdhrin tonë, ajo është e refuzuar.”(Sahih-autentik)
Hadithin e transmeton Buhariu (nr. 2697), Muslimi (nr. 4467) dhe të tjerët.
Rëndësia e hadithit:
Ky hadith, që është ndër hadithet e mëdha dhe me vlerë të madhe, është nga fjalët përmbledhëse të Muhamedit sal-Allahu alejhi ue sel-lem. Dijetarët e kanë vlerësuar si ndër më të rëndësishmit dhe kanë thënë se është bazë e refuzimit të të gjitha risive, shpikjeve, marrëveshjeve, kontratave të cilat janë në kundërshtim me fenë e Allahut. Pra, me këtë hadith refuzohen të gjitha risitë si në adhurime (ibadate) ashtu edhe në marrëdhënie (muamelate). Ndodh që dikush të thotë se me këtë hadith është për qëllim personi i cili e ka shpikur risinë dhe jo ai i cili e praktikon atë më pas. Atëherë themi se është transmetimi tjetër në Muslim, po ashtu nga Aishja, Allahuqoftë i kënaqur prej saj, ku i Dërguari sal-Allahu alejhi ue sel-lem thotë: “Kush vepron një vepër që nuk është nga feja jonë, ajo vepër është e refuzuar.” Pra, ky hadith në mënyrë të qartë refuzon çdo lloj vepre që është risi, e shpikur në fenë tonë, qoftë ai shpikësi i veprës apo ai që e praktikon më vonë.
Për këtë arsye, dijetarët këtë hadith e kanë cilësuar si bazament për refuzimin e çdo risie-bidati në fe, prandaj është më se e domosdoshme për hoxhallarët që këtë hadith ta madhërojnë, t’i kushtojnë rëndësi, t’ua mësojnë njerëzve dhe të argumentojnë me të për refuzimin e risive (bidateve) si në fjalë, vepër apo bindje.
Imam Ibën Rexheb el Hanbeli, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Ky hadith është bazë nga bazat e Islamit dhe është peshore e veprave praktike ashtu sikurse hadithi “Veprat janë sipas qëllimit” është peshore e veprave shpirtërore. Pra, ashtu si për çdo vepër me të cilën nuk është për qëllim Allahu i Madhëruar, kryesi i saj dihet se nuk ka shpërblim për të, ashtu çdo vepër që nuk është me urdhërin e Allahut dhe të Dërguarit të Tij ajo është e refuzuar. Transmetohet nga imam Ahmedi se ka thënë: “Bazat e Islamit janë të ngritura mbi tre hadithe; hadithi i Omerit radijallahu anhu, “Veprat janë sipas qëllimit”, hadithi i Aishes, “Kush shpik në fenë tonë diçka që nuk është prej saj, ajo është e refuzuar” dhe hadithi i En-Nu’man ibën Beshirit, “Hallalli është i qartë dhe harami është i qartë”.” Ndërsa imam Is’hak ibën Rahavejhu (Rahuja) thotë: “Katër hadithe janë prej bazave të Islamit: tre që u përmendën më lart dhe hadithi “Me të vërtetë krijimi juaj bëhet në barkun e nënës…”
Këso fjalësh që tregojnë rëndësinë e këtij hadithi kanë thënë edhe shumë dijetarë të tjerë.
Kuptimi i këtij hadithi
Ky hadith me kuptimin e tij të drejtë tregon se çdo vepër që nuk ka argument në fe (sheriat), është e refuzuar, ndërsa me kuptimin e tij jo të drejtpërdrejtë tregon se çdo vepër që ka argument në fe nuk është e refuzuar.
Me fjalën”fi emrina hadha – në çështjen tonë këtë” është për qëllim feja dhe ligji, d.m.th. “kush shpik diçka në fenë tonë…”, pra janë për qëllim gjërat e shpikura në fe e jo siç dëgjojmë shumë prej “hoxhallarëve” kur u argumenton kundër bidateve të përhapura në vendin tonë, ata duke u tallur të thonë se edhe automobilat, aeroplanët e çdo gjë e kësaj bote janë risi. Atyre u themi se ju në realitet ose talleni me fenë e Allahut ose hadithin në fjalë nuk e keni kuptuar, sepse i Dërguari sal-Allahu alejhi ue sel-lem shumë qartë thotë “fi emrina hadha – në çështjen tonë këtë”, ndërsa në një transmetim tjetër është “në fenë tonë”. Prandaj, u drejtohemi të gjithë atyre që mendojnë kështu, që t’ia kenë frikën Allahut dhe të mundohen t’i kuptojnë fjalët e të Dërguarit sal-Allahu alejhi ue sel-l-lem ashtu si janë.
Pra, e gjithë krejt kjo na bën të kuptojmë se çdo vepër që është jashtë urdhrave të fesë dhe jashtë binarëve të saj apo është në kundërshtim me parimet e fesë, është e refuzuar.
Fjala e tij “që nuk është me urdhrin tonë” tregon se veprat e të gjithë njerëzve duhet të jenë nën urdhrin e fesë dhe se ligjet e fesë të jenë zotëruese dhe vendimtare me urdhrat dhe ndalesat e saj dhe pastaj vepra që është nën urdhrat e sheriatit dhe në ujdi me të është e pranuar. Në të kundërtën është e refuzuar.
Imam Kadij Ijadi këtë hadith e sqaron kështu: “Kush shpik në Islam ndonjë mendim (thënie) që nuk e mbështet në Kur’an apo Sunnet me ndonjë argument, qoftë ai argument i qartë apo i fshehur, qoftë i shqiptuar apo i nxjerrë me meditim, ai mendim është i refuzuar pra, i papranuar, dhe hadithi aludon për atë se muslimanët e kanë obligim ta refuzojnë këtë mendim apo thënie dhe nuk lejohet për askënd që ta pasojë atë. Mirëpo, mund të thuhet se me këtë hadith është për qëllim vetë personi, që do të thotë është i refuzuar dhe i papranuar.”
Imam Ibën Rexhebi, Allahu e mëshiroftë, duke e sqaruar këtë hadith thotë:
“Veprat janë dy llojesh: adhurime dhe transaksione, marrëdhënie (marrëveshje).
Sa u përket adhurimeve, atëherë themi se çdo adhurim që në tërësi është jashtë ligjit të Allahut dhe të Dërguarit sal-Allahu alejhi ue sel-lem, ai adhurim është i refuzuar dhe kryesi i atij adhurimi hyn nën fjalën e Allahut: “A mos kanë ata ortakë (zota ose idhuj) që u përcaktuan atyre fe, të cilën nuk e urdhëroi Allahu?” (Sure Shuura: 21) Pra, kush afrohet tek Allahu me ndonjë adhurim që Allahu dhe i Dërguari i Tij nuk e kanë cilësuar si adhurim, ai është i kotë dhe i refuzuar (p.sh. festimi i ditëlindjes së Muhamedit sal-Allahu alejhi ue sel-lem, d.m.th. Mevludi apo tubimi i afro pesëdhjetë personave në ditën e shtatë të vdekjes së ndokujt për të kënduar dëshminë -La ilahe il-Allah-, që tek ne njihet si Qelime e shumë e shumë adhurime të tjera, të cilat nuk kanë fare bazë në Kur’an apo në Sunnet), ndërsa kush kryen ndonjë adhurim që në esencë është i ligjshëm, mirëpo më vonë është shtuar në të diçka që nuk ka argument apo është lënë mangët diçka që është e kërkuar, atëherë themi se ky adhurim është në kundërshtim me ligjin e Allahut sipas masës së asaj që i është shtuar, gjegjësisht që i është pakësuar.
Por, a është vepra e tij e refuzuar apo jo? Këtu nuk mund të themi se është e pranuar apo e refuzuar, mirëpo shikohet në gjënë të cilën e ka lënë mangët; në qoftë se ajo është nga pjesët apo kushtet e adhurimit dhe bën që adhurimi të jetë i papranuar, si p.sh. në qoftë se nuk merr abdest për namaz duke pasur mundësi ose lë rukunë apo sexhden gjatë namazit, atëherë themi se kjo vepër është e kotë dhe e refuzuar dhe personi obligohet që ta përsërisë, mirëpo në qoftë se gjëja që lë nuk çon deri te prishja e adhurimit, si p.sh. kush lë namazin me xhemat, këtij personi nuk i thuhet se vepra e tij është e refuzuar, por thuhet është e mangët, kuptohet tek ata të cilët thonë se namazi me xhemat është obligim.
E në qoftë se ka shtuar diçka në adhurim që nuk është e ligjshme, atëherë ajo shtesë është e refuzuar, d.m.th. nuk mund të jetë adhurim dhe nuk shpërblehet për të, mirëpo nganjëherë shtesa që vepron në adhurim e prish adhurimin dhe e bën të papranueshëm që në esencë, si p.sh. kush shton një rekat me qëllim në namaz etj. Nganjëherë shtesa në adhurim nuk e bën adhurimin të kotë dhe nuk e largon nga esenca e tij, si p.sh. kush merr abdest nga katër herë apo agjëron natën së bashku me ditën e kështu me radhë.
Ndërsa sa u përket marrëdhënieve (muamelat), si p.sh. kontratat, prishjet e tyre etj., atëherë themi se në qoftë se ndryshohen ligjet e fesë, atëherë ato vendime janë të refuzuara që në esencë, bie fjala: të vendoset që ligji për amoralitet të jetë dënim me të holla etj. Për këtë tregon ngjarja në kohën e të Dërguarit sal-Allahu alejhi ue sel-lem, kur i tha personit i cili i rrëfeu se djali i tij kishte bërë amoralitet me gruan e një personi dhe si dëmshpërblim prindi i kishte dhënë personit në fjalë njëqind dele dhe një shërbëtor. Atëherë i Dërguari sal-Allahu alejhi ue sel-lem i tha: “Njëqind delet dhe shërbëtori të kthehen ty, ndërsa djali yt duhet të rrihet me njëqind shkopinj dhe të largohet nga vendi për një vit.”
Kurse sa u përket marrëveshjeve që janë të ndaluara me sheriat (fe) qoftë për shkak të mungesës së ndonjë kushti të marrëveshjes, qoftë për shkak të ndonjë padrejtësie që i bëhet ndonjërës palë a qoftë për shkak se marrëveshja në fjalë largon nga përmendja e Allahut që është obligative (p.sh. të mos lejohet falja e namazit) apo edhe diçka tjetër nga këto shkaqe që u përmendën, atëherë kjo marrëveshje a është e refuzuar apo është e vlefshme? Këtu ka mospajtime mes dijetarëve, sepse disa raste tregojnë se është e refuzuar, ndërsa raste të tjera tregojnë se marrëveshja është e vlefshme.
Realiteti i kësaj çështjeje besoj se është, e Allahu e di më së miri, në qoftë se shkaku për çka është e ndaluar marrëveshja është gjë që ka të bëjë me të drejtën e Allahut, atëherë ajo marrëveshje është e kotë dhe është e pavlefshme. Kemi për qëllim -të drejtën e Allahut- që edhe nëse të dy palët bien dakord, prapë e drejta e Allahut mbetet, shembuj nga kjo rregull p.sh. kemi kurorëzimin me dikë që është e ndaluar, martesa me të, të gjitha kontratat e kamatës, ato duhet patjetër që të prishen edhe nëse ndodhin, sepse sheriati-ligji i konsideron të pavlefshme, gjithashtu shitja e alkoolit, e cofëtinës, derrit, idhujve, qenit dhe të gjitha gjërat që janë të ndaluara të shiten. Mirëpo, nëse shkaku për çka është e ndaluar marrëveshja ka të bëjë me të drejtën e njeriut, atëherë varet nga palët në marrëveshje; nëse pajtohen, obligohen t’i përmbahen marrëveshjes, por nëse dëshirojnë, e prishin marrëveshjen. Shembuj të këtij rasti kemi nëse një prind e marton të bijën e tij të ve duke mos marrë pëlqimin e saj, por në realitet duhet të merret pëlqimi i saj. Atëherë në këtë rast, nëse e bija bie dakord, kurorëzimi është në rregull, mirëpo nëse e bija dëshiron ta prishë kurorën, ka të drejtë. Për këtë tregon rasti kur i Dërguari sal-Allahu alejhi ue sel-lem e ka kthyer kurorëzimin e një gruaje që ishte e ve më herët sepse babai i saj e kishte martuar duke mos qenë ajo dakord.
Në këto çështje ka shumë fjalë për t’u thënë, mirëpo ne u mjaftuam me këtë duke shpresuar që hadithin të cilin e sqaruam ta kuptojmë sa më mirë dhe sa më drejtë.
Literatura e konsultuar:
1. Kurani Fisnik me përkthim të Hz Sherif Ahmetit.
2. “Suneni i Ebu Davudit”, me verifikim tё haditheve nga dijetari Muhamed Nasirudin Albani. Mektebet el mearif-Rijad, botimi i parё.
3. “Suneni i Ibёn Maxhes”, me verifikim tё haditheve nga dijetari shqiptar Muhamed Nasirudin Albani, me pёrkujdesje tё dijetarit Mesh’hur ibёn Hasen Al Selman. Mektebet el mearif-Rijad, botimi i parё.
4. “Fet’hul Barij sherhu Sahih el-Buhari”, autor hafidh ibën Haxher el-Askalanij, El Mektebetu el-asrije,vBejrut, pa vit botimii).
5. “El Minhaxh sherh Sahih Muslim ibën el Haxhaxh”, autor imam Muhjidin En Neveviu, me verifikim të Esh-Shejkh Halil Me’munë Shejha, Darul Ma’rife –Bjerut botimi i nëntë.
6. “Sqarimi i Sunenit të Ibën Maxhes”, nga imam Ebul Hasen el Hanefij, i njohur si imam Sindij, Darul ma’rife- Bejrut, botimi i tretё.
7. “Xhamiul- ulumi uel-hikemi”, autor Ibën Rexheb El-Hanbeli, Darul-Ma’rife Bejrut, pa vit botimi).
Pӫrgatiti: Mr. Fidan XHELILI
Burimi: www.shkollaislame.com