3.7 C
Pristina
Friday, November 22, 2024

2 mënyrat që Allahu fton njerëzit ta njohin Atë

Më të lexuarat

Shenjat e Allahut që shikohen dhe shenjat që lexohen

Ibën Kajim el Xheuzije

Zoti i Lartësuar i fton njerëzit në Kur’an që ta njohin Atë nëpërmjet dy mënyrave:
Mënyra e parë: Vështrimi te veprat e Allahut.
Mënyra e dytë: Meditimi në ajetet e Kur’anit.

Të parat janë argumentet e dukshme që dëshmojnë për Allahun dhe të dytat janë argumentet që dëgjohen dhe logjikohen.
Ja disa ajete që flasin për llojin e parë:
“Padyshim se në krijimin e qiejve dhe të tokës, në këmbimin me radhë të ditës dhe të natës, në anijet që lundrojnë përmes detit me çfarë është e vlefshme për njerëzimin, në ujin që Allahu derdh nga qielli, duke e bërë tokën pas tij të gjallë, pas vdekjes së saj, në lëvizjen e të gjitha krijesave, të cilat Ai i ka shpërndarë gjithandej, në ndryshimin e drejtimit të erërave dhe të reve që mbahen mes qiellit dhe tokës: të gjitha këto janë me të vërtetë Ajete (prova, dëshmi, tregues) për popullin që ka mend.” (Bekare, 164)

“Vërtet në krijimin e qiejve dhe të tokës dhe në këmbimin e ndërsjellë të ditës dhe të natës, ka padyshim tregues për ata që kanë mend.” (Ali Imran, 190).

Ajete të tilla janë të shumta në Kuran.
Ja dhe disa ajete që flasin për llojin e dytë: “A nuk mendojnë thellë për Kuranin?” (Nisa: 82)

“A nuk e menduan ata thellë fjalën (Kur’anin).” (Mu’minun, 68)

“(Ky është) një Libër (Kur’an) gjithë bekime e mirësi, të cilin Ne ta kemi zbritur ty me qëllim që ata të mendojnë e të thellohen në Vargjet e tij.” (Sad, 29). Ajete të tilla janë të shpeshta në Kuran.
Veprat e Allahut faktojnë veprimet e Tij dhe veprimet tregojnë për cilësitë e Allahut; vepra tregon për një veprues që e ka kryer atë dhe kjo detyrimisht të shpie në përfundimin se ai ekziston, ka forcë, vullnet dhe dije, pasi është e pamundur që një veprim i lirë dhe i qëllimshëm, të kryhet nga diçka që nuk ekziston, apo që ekziston por nuk zotëron fuqi, jetë, dije dhe as vullnet.
Veçantia e çdo vepre dhe veçoritë e saj të ndryshme, tregojnë për vullnetin e lirë të vepruesit, i cili nuk vepron vetëm njëherë dhe gjithmonë njëlloj.

Të gjitha përfitimet, urtësitë dhe qëllimet e mira që shihen te veprat e Allahut, flasin për Urtësinë e Allahut.
Kur veprat e Tij kanë mirësi dhe dobi, ato flasin për Mëshirën e Tij. Kur në veprat e Tij shfaqet forca dhe ndëshkimi, ato flasin për Zemërimin e Tij.
Kur në to shfaqet bujaria dhe përkujdesja, ato flasin për Dashurinë e Tij.
Kur në to shfaqet nënshtrimi dhe ulja, ato flasin për Urrejtjen dhe Pakënaqësinë e Tij.
Kur te veprat e Tij shfaqet një fillim i dobët e i mangët, më pas rritja e përsosmëria, dhe në fund zhdukja e shkatërrimi, e gjitha kjo fakton ndodhinë e ringjalljes. Lindja, rritja dhe vdekja e bimëve dhe e kafshëve tregon se ringjallja është e mundshme.

Dhe kur gjurmët e Mëshirës dhe Mirësisë së Tij shfaqen te krijesat, ato flasin për vërtetësinë e Profetëve të Zotit.
Dhe kur te krijesat shfaqet përsosmëria dhe bukuria, e cila nëse nuk do të ishte, do t’i bënte ato të mangëta, kjo tregon se Ai që i dhuroi këto është i pari që i zotëron këto cilësi.
Veprat e Allahut janë ato që më mirë se çdo gjë tjetër flasin për cilësitë e Tij dhe vërtetojnë fjalët e Profetëve, të cilët folën për madhështinë e cilësive të Tij. Veprat e krijuara dëshmojnë vërtetësinë e ajeteve Kur’anore dhe ajetet Kur’anore nxisin argumentimin me anë të shenjave të krijimit.

Allahu i Lartësuar thotë: “Ne do t’u shfaqim atyre Shenjat Tona në gjithësi dhe në vetë veten e tyre, derisa t’u bëhet e qartë se ky (Kurani) është e vërteta. A nuk mjafton për Zotin tënd se Ai është Dëshmues përmbi gjithçka?” (Fussilet, 53) E pra, Kur’ani është i vërtetë dhe Allahu tregon se në mënyrë të pashmangshme Ai do t’u shfaqë atyre argumentet e Tij në gjithësi, të cilat flasin për vërtetësinë e ajeteve Kuranore. Më pas thotë se dëshmia e Tij, është më se e mjaftueshme për të treguar vërtetësinë e fjalëve të Tij, fjalë më të cilat Ai dëshmon për vërtetësinë e Profetit të Tij.
Argumentet e Allahut tregojnë vërtetësinë e fjalëve të Tij dhe Ai Vetë dëshmon për vërtetësinë e Profetit të Tij me anë të argumenteve të Tij. Allahu është Vetë Dëshmues dhe po ashtu për Të dëshmohet nga të tjerët; Ai është Vetë argumenti dhe shërben si argument për të tjerët; Ai Vetë është argument po për Veten e Vet. Një njeri që e njihte mirë Zotin, pati thënë: “Si mund të kërkoj argument për Atë i Cili është Vetë argument për çdo gjë?!” Çdo argument që të kërkosh për Allahun, dije se Allahu është më i Dukshëm sesa ai. Ndaj edhe Profetët iu drejtuan popujve të tyre duke u thënë: “A mos keni dyshim në Allahun, Krijuesin e qiejve dhe të tokës?” (Ibrahim, 10)

Allahu është më i Njohuri se çdo i njohur, më i Famshëm se çdo i famshëm, më i Qartë se çdo argument. Gjërat në realitet nëpërmjet Tij janë njohur, ndonëse ato përdoren për të argumentuar ekzistencën e Tij.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit