Ish-shefi i Shërbimit Informativ të Kosovës, Kadri Veseli, ka vendosur të hyjë në Partinë Demokratike të Kosovës si anëtar i thjeshtë. Ai nuk ka pranuar të kooptohet drejtpërdrejt në strukturat drejtuese të kësaj partie, si shumë deputetë e ministra aktualë, që në pesëvjeçarin e fundit të qeverisjes së PDK-së cilësohen si “parashutistë” të Hashim Thaçit.
Një burim nga PDK-ja ka paralajmëruar se brenda pak ditësh Veseli do të anëtarësohet në Degën e PDK-së në Mitrovicë, dhe më pas do t’i nënshtrohet sistemit zgjedhor që do të aplikohet nga kjo parti gjatë muajve nëntor-dhjetor.
“Veseli do ta marrë librezën e PDK-së në Mitrovicë dhe do t’i hyjë procesit zgjedhor në parti prej bazës”, ka thënë burimi i gazetës “Koha Ditore”.
“Ai (Veseli v.j.), nuk dëshiron të hyjë si të tjerët që kanë hyrë deri tani. Angazhimi i tij në PDK do të jetë çështje e përkrahjes dhe jo luftë për karrige”, ka shtuar burimi, që është zyrtari i lartë nga PDK-ja.
Ish-shefi i SHIK-ut, sipas këtij burimi, do të përpiqet të sjellë në PDK “një koncept të ri dhe njerëz të rinj”. /Telegrafi/