1.4 C
Pristina
Friday, November 15, 2024

Mundësia e fundit e Iranit?

Më të lexuarat

Nëse duam të sigurohemi se Irani kurrë nuk do të ketë një armë bërthamore, garancia e vetme është ndryshimi i dëshirës iraniane për ta pasur një të tillë. Dhe mënyra e vetme për ta bërë këtë është të mbahen negociata, sesa të përdoret forca. Askush nuk i ka llogaritur pasojat e një lufte. Gjithsecili ka arsye të mirë të ulet dhe të bisedojë

Madrid – Raundi i fundit i negociatave për programin bërthamor iranian ndërmjet Iranit dhe të ashtuquajturit grupi “5+1” (pesë shtetet anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara – Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar, Rusia, Franca dhe Kina – plus Gjermania”, tashmë kanë nisur. Pas pothuajse një viti e gjysmë qorrsokaku, negociatat e janarit të vitit 2011 nuk çuan askund, ky është një rast për një dialog që të gjithë së bashku të gjejnë një zgjidhje paqësore për konfliktin pothuajse dhjetëvjetësh (në të cilin kam pjesë drejtpërdrejt nga afër si negociator kryesor prej vitit 2006 deri më 2009, si përfaqësues i Perëndimit me Iranin).

Qëllimi i bisedimeve, të kryesuara nga shefja e Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton, dhe nga kryenegociatori iranian, Saeed Halili, është që të bindet Irani të heqë dorë nga pasurimi i uraniumit dhe të bashkëpunojë sipas rezolutave të Këshillit të Sigurimit dhe zotimeve të tij karshi Traktatit për ndalimin e përhapjes së armëve të shkatërrimit në masë. Por shumë faktorë kanë vënë theksin në rëndësinë strategjike të negociatave të fundit.

Së pari, kushtet e brendshme ekonomike dhe politike në Iran kanë ndryshuar me të madhe pas raundit të fundit të negociatave. Presioni ndërkombëtar është grumbulluar që nga momenti kur Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Bërthamore konfirmoi nëntorin e kaluar se programi bërthamor iranian po përparonte drejt prodhimit të armëve bërthamore, sesa drejt zotimeve iraniane se kishte qëllime paqësore për prodhim të energjisë atomike. Pasuan sanksione të reja për eksportin e naftës iraniane dhe për transaksionet bankare të Bankës Qendrore të Iranit.

Edhe pse rritja në nivel botëror e energjisë i ka dhënë një shtytje pozitive Iranit gjatë muajve të fundit, sanksionet e kanë bërë të veten më shumë se kurrë në mesin e iranianëve. Riali ka humbur 40 për qind të vlerës së vet që nga muaji tetor (duke bërë më pak të mundshme rritjen e importeve), dhe tansaksionet financiare janë bërë shumë më të rralla dhe të vështira për Qeverinë, bizneset dhe pronarët e patundshmërive.

Me fjalë të tjera, lidershipi iranian është i ndarë dhe i dobët. Marrëdhëniet ndërmjet presidentit Mahmoud Ahmadinejad dhe liderit suprem, ajatollahut Ali Khamenei, vazhdojnë të tensionohen, derisa tensione ka edhe në mesin e Gardës Revolucionare. Mbetet të shihet se çfarë ndikimi do të kenë në negociata këto zhvillime ekonomike dhe politike.

Së dyti, qëndrimi rajonal i Iranit është shkundur nga vala e revoltave arabe, veçanërisht pas kryengritjes në Siri – një vend vendimtar, marrë parasysh marrëdhëniet e veta strategjike me Iranin dhe Rusinë. Në të vërtetë, Siria është aleatja kryesore e Iranit në Lindje të Mesme, dhe vendi i vetëm jashtë zonës së ish-Bashkimit Sovjetik ku Rusia ka një bazë ushtarake. Rusia ka nevojë të pajtohet me rolin e saj në këto negociata për shkak të interesave të saj në Siri, që tashmë janë bërë shumë më të ndërlikuara.

Strategjia në lidhje me monarkitë sunite të Gjirit tashmë ka ndryshuar. Sot këto shtete kanë qëndrime diametralisht të ndryshme në raport me Sirinë dhe Iranin, sesa për dekada me radhë. Të prirë nga Katari dhe Arabia Saudite, e kanë pranuar hapur mundësinë e armatosjes së rebelëve sirianë me qëllim të rrëzimit të presidentit Bashar al-Assad. Rezervat e mjaftueshme të Arabisë Saudite kanë bërë që në tregun botëror të mos ndihet fort eksporti i naftës iraniane.

Kina, me varësinë e saj energjetike në rritje nga shtetet e Gjirit, duhet t’i peshojë me kujdes këta faktorë në tryezën e negociatave. Së bashku me Rusinë, Kina ka mbështetur Sirinë në Këshillin e Sigurimit, dhe është mësuar kohëve të fundit se Irani ka ndihmuar së fundi Sirinë t’ia dalë mbanë pas sanksioneve ekonomike, duke ofruar bartje të naftës nga Siria me një kompani shtetërore për në Kinë.

Së treti, Izraeli tashmë ka shprehur pakënaqësinë e vet me raundin e fundit të negociatave. Ai assesi nuk po bëhet rehat. Me avancimin e programit bërthamor të Iranit dhe paqartësinë politike që po shpërthen në rajon, Izraeli nuk e përjashton një aksion ushtarak në Iran në këtë vit, në rast se, sipas fjalëve të ministrit izraelit të Mbrojtjes, Ehud Barak, Irani kalon “vijën e imunitetit”.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, duke folur muajin e kaluar para anëtarëve të AIPAC-ut, grupi më i madh lobist izraelit në Shtetet e Bashkuara, theksoi urgjencën e situatës. Por negociatat do të jenë të gjata me shumë ngritje dhe rënie, dhe këtij kompleksiteti do t’i shtohen edhe zgjedhjet presidenciale amerikane në fund të këtij viti, derisa republikanët shprehin një qëndrim të afërt me atë të Netanyahut.

Në fund, presidenti amerikan, Barack Obama, e di fort mirë se rizgjedhja e tij varet nga shmangia e gabimeve. Por si mund të mbarohen negociatat e njëra palë të dalë fituese derisa tjetra dëshiron që të zgjasin sa më shumë? Perceptimi politik do të jetë shumë i rëndësishëm në këto negociata.

Tani për tani, Amerika po mban një kanal hapur për dialog direkt me Iranin (sikur e kishte paralajmëruar Barakun sekretari amerikan i Mbrojtjes, Leon Panetta, para disa muajsh). Në ditën e parë të negociatave në Stamboll, Jalili e pranoi një kërkesë të delegacionit amerikan për një takim bilateral brenda kontekstit të negociatave, dhe të gjitha palët thonë se gjërat janë në rrugën e duhur.

Nëse duam të sigurohemi se Irani kurrë nuk do të ketë një armë bërthamore, garancia e vetme është ndryshimi i dëshirës iraniane për ta pasur një të tillë. Dhe mënyra e vetme për ta bërë këtë është të mbahen negociata, sesa të përdoret forca. Askush nuk i ka llogaritur pasojat e një lufte. Gjithsecili ka arsye të mirë të ulet dhe të bisedojë.

(Autori ishte ministër i Jashtëm i Spanjës (1992-1995), sekretar i përgjithshëm i NATO-s (1995-1999) dhe Përfaqësues i Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri të Bashkimit Evropian (1999-2009). Ai tani është president i Qendrës për ekonomi dhe gjeopolitikë globale, ESADE. Komenti është shkruar për rrjetin botëror të gazetarisë, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”).kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit