Këto ditë u vu gurthemeli i Xhamisë Qendrore në Prishtinë. Ishte një ditë e madhe për tërë kombin. Si të mos jetë një ditë e madhe, kur qe sa vite me radhë jemi duke e pritur këtë ditë, madje me plotë të drejtë? Gjatë kohë kemi debatuar e kërkuar një truall për një xhami të madhe në kryeqytet.
Që nga koha e pasluftës, kur populli ynë me të madhe filloi t’ia mësynte xhamive, ato u mbushën dhe u stërmbushën shumë shpejt kështu që njerëzit filluan të faleshin në shi e në borë. Që nga atëherë, nevoja ka qenë shumë e madhe, ani pse ka pasur nevojë edhe para luftës. Por për faktin se ishte pushteti serb, ishte vështirë të kërkohet një gjë e tillë. Ka mbi dhjetë vjet ku një pjesë e madhe e popullit, xhematit tonë falen në shi e në borë, edhe atë në temperatura ekstreme.
Shumë kërkesa janë bërë nga Këshilli i Bashkësisë Islame të Prishtinës, e kjo kërkesë ka qenë edhe e vetë Myftiut. Ka qenë kërkesë e xhematit. Për çka edhe kanë dalë në protesta më shumë se një herë. Është bllokuar rruga, për çka edhe ka ndërhyrë policia. Gati dy vjet e kemi falë xhumanë në sheshin pas Pallatit të Rinisë. Ka pasur shumë debate e biseda në të gjitha nivelet. Nuk kanë munguar as premtimet, por ja që ato janë lëvizur e realizuar shumë ngadalë.
Kërkesat e të gjithë neve, xhemat e hoxhallarë, kanë qenë që xhamia të jetë mu në qendër të qytetit, diku afër universitetit, dhe atë për një sërë arsyesh. Gati ishte për t’u realizuar, por nuk di çka ndodhi dhe si u bë, por në fund fare krerët komunalë vendosën krejtësisht diku tjetër, respektivisht mu aty ku edhe u vu gurthemeli këto ditë. Nuk ka dyshim se të gjithë neve na ka mbetur merak shumë që nuk na u plotësua dëshira, por mbesim me shpresë te Zoti se edhe ajo do të na realizohet, dhe pas një kohe, herët apo vonë, do ta kemi një xhami në qendër të qytetit. Sido që të jetë, edhe kjo ku u caktua tani është në një vend mjaft të mirë, ngase është mu në mes të dy lagjeve shumë të frekuentuara me banorë, mes Ulpianës dhe Dardanisë. Pastaj, po ashtu edhe shumë udhëtarë që vijnë nga qytetet tjera në Prishtinë e kanë xhaminë mu rrugës së tyre. Dhashtë Zoti që kjo xhami të niset dhe të kryhet sa më shpejt si dhe të bëhet një “vello” e Prishtinës, e cila do t’ia shtojë bukurinë qytetit tonë.
Kthehemi tek gurthemeli, respektivisht tek ai tubim madhështor, i cili u organizua nga Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës, ku ai tubim mblodhi krerët kryesorë të shtetit tonë, ani pse ata nuk është lehtë t’i tubosh të gjithë së bashku. Por kësaj radhe u tubuan, me çka shihet edhe bereqeti i xhamisë që nga dita e parë e saj.
Shumë nga ata krerë mbajtën edhe fjalime rasti, duke filluar nga presidentja e vendit, pastaj kryeparlamentari deri tek kryeministri dhe kryetari i Prishtinës. Fjalimet në përgjithësi ishin të mira me pak përjashtime. Fjalim të gjatë mbajti edhe Myftiu i Kosovës, i cili foli gjerë e gjatë për rëndësinë e xhamisë në shoqëri që nga kohët e lashta, e pastaj tek ne në Kosovë duke qenë i bindur se kjo xhami do ta vazhdojë rrugën e kontributit të xhamive të mëhershme, bile edhe më shumë, ashtu siç do t’ia shtojë bukurinë qytetit tonë.
Më pas u vu edhe gurthemeli dhe njerëzit merrnin tekbir, e nuk ju mungonin as lotët e gëzimit. Ata ishin shumë të emocionuar dhe vazhduan t’ia urojnë njëri tjetrit këtë, sa që unë mbeta një kohë të gjatë pas përfundimit të tubimit. Edhe sot deri në këtë moment vazhdojnë të na vijnë urimet nga jashtë dhe brenda vendit, dhe vërtet të gjithë e konsideruan një moment shumë të rëndësishëm për qytetin tonë, për vendin tonë.
Xhamia Qendrore pritet të jetë shumë e madhe, diku rreth shtatë mijë metra katrorë, natyrisht me objekte përcjellëse, ani pse ende nuk është bërë plani përfundimtar, por vetëm ai ideor. Sido që të jetë edhe ne muslimanët më në fund po fillojmë t’i gëzojmë të drejtat tona. Sikur që thotë populli “ma mirë vonë sesa kurrë”.
Shpresojmë që qeveritarët tanë t’i kenë parasysh edhe kërkesat tona të tjera si shaminë dhe mësim-besimin, e mos të na i mohojnë ato kërkesa legjitime e nevoja elementare. Dhashtë Zoti që edhe për to të mblidhemi sa më shpejt! Aminë.
Zoti i shpërbleftë të gjithë ata që kanë ndikuar në njërën, apo mënyrën tjetër, që të jepet ky truall për xhami.
Deri në javën e ardhme me një temë tjetër! Selam alejkum.
Dr. Shefqet Krasniqi