0.3 C
Pristina
Sunday, November 17, 2024

Fushata në SHBA: Mos e përmend luftën

Më të lexuarat

 

 

 

Aktualisht, shumë çështje po e dominojnë fushatën presidenciale në Shtetet e Bashkuara – papunësia, taksat, ekonomia, Irani – por vendi ku Amerika është në luftë për më tepër se 11 vite, nuk është në mesin e tyre. 

Presidenti Barack Obama dhe rivali i tij republikan, Mitt Romney, e kanë përmendur Afganistanin vetëm rrallë gjatë fjalimeve në fushatë, ndërsa komentet kanë qenë të shkurtra.

Zoti Romney nuk e ka përmendur Afganistanin gjatë gati 40 minutave të fjalimit të tij, kur ai e pranoi nominimin e partisë.

Për këtë arsye, në adresë të tij ka pasur edhe kritika nga vetë republikanët.

Komenti në rrjetin Fox News i Steve Haysit nga revista konservatore The Weekly Standard, ishte tipik për kritikat në adresë të zotit Romney.

“Ishte gabim, mendoj se ishte gabim. Nëse kjo ishte një lajthitje ose pjesë e lënë pas dore, nuk e di se cila ishte gjë më e keqe, por ishte gabim. Ju i keni 70 mijë e më tepër trupa në terren në Afganistan tash, dhe ju duhet të flisni për ata. Njerëzit duan ta shohin liderin e partisë që flet për diçka që është e rëndësishme, siç është lufta”, tha Steve Hays.

Shtetet e Bashkuara janë në luftë në Afganistan më gjatë se asnjëherë më parë. Më se 2 mijë amerikanë janë vrarë, qindra mijëra janë plagosur, ndërsa janë shpenzuar 574 miliardë dollarë.

Sipas kryeredaktorit të organizatës Gallup Poll, Frank Newport, kur amerikanët pyeten të thonë se cila është çështja më e rëndësishme për vendin, më pak se 1% përgjigjen “Afganistani”.

Kjo ndodhë, për arsye se njerëzit janë aq të shqetësuar për ekonomi dhe papunësi, thotë ai.

Frank Newport thekson se ekziston “korelacion i madh” ndërmjet asaj se çka tregojnë sondazhet dhe çka thonë politikanët.

“Kandidatët i lexojnë sondazhet dhe po ashtu i kanë edhe ekipet e tyre të hulumtimit, prandaj ata qartas janë të vetëdijshëm se cilat janë çështjet kryesore. Ne nuk dëgjojmë që Afganistani të jetë diskutuar as nga Obama e as nga Romney, me gjasë për shkak se këshiltarët e tyre u thonë se nuk është çështje e lartë për publikun dhe se nuk është pikë e diferencimit”, thotë Frank Newport.

Para dy vitesh, Barack Obama dhe liderët e NATO-s, e caktuan dhjetorin e vitit 2014, si datë kur do të përfundojnë operacionet luftarake në Afganistan.

Ky vendim e ka zgjidhur çështjen e politikës së Shteteve të Bashkuara në Afganistan në mendjet e shumë amerikanëve, që siç tregojnë sondazhet, janë të lodhur nga lufta.

Vala aktuale e sulmeve të afganëve të uniformuar ndaj ushtarëve amerikanë dhe pjesëtarëve të tjerë të trupave ndërkombëtare në Afganistan, i ka shtuar ndjenjat se sa më i shpejtë të jetë kthimi i ushtarëve amerikanë, aq më mirë do të jetë.

Në një editorial të gazetës New York Times, më 14 tetor, me titull “Koha për paketim dhe largim”, është kërkuar përshpejtimi i tërheqjes gjatë vitit 2013, pasi “Shtetet e Bashkuara nuk do t’i arrijnë bile as synimet e reduktuara të presidentit Obama”.

Gazeta kishte konkluduar se “dy vite më tepër të luftës, dy vite të dërgimit të 1% të amerikanëve që të luftojnë me uniformë dhe të vdesin e të plagosen, është kohë e gjatë”.

Sipas sondazhit të Gallupit, më se gjysma e publikut ka qëndrim të njëjtë.

Në këtë temë, Michael O’Hanlon, në Instituti Brookins me seli në Uashington, thotë:

“11 vite në atë që ishte shumë e vështirë dhe frustuese dhe kuptohet, përpjekje e përgjakshme, amerikanët me të vërtetë janë të lodhur nga kjo. Ata kanë dyshime nëse ne po arrijmë çkadoqoftë afër qëllimeve tona optimale të dëshiruara. Ata janë, po ashtu, përgjegjës mjaft ta dinë se ne, me gjasë, nuk duhet të nxitojmë me daljet dhe ne duhet ta kemi planin për dalje brenda dy vitesh”, thotë Micheal O’Hanlon.

Data e tërheqjes nga Afganistani disa herë ishte pika kryesore e dallimit ndërmjet presidentit Obama dhe rivalit të tij Romney, i cili e ka kritikuar presidentin se armikut ia ka shpallur planet ushtarake.

Por, aktualisht, ai ka thënë se pajtohet me zotin Obama se “qëllimi duhet të jetë për ta kompletuar tranzicionin e suksesshëm te forcat e sigurisë afgane deri në fund të vitit 2014”.

Mungesa e mospajtimit ndërmjet dy kandidatëve është tjetër arsye e madhe se përse nuk dëgjohet shumë lidhur me këtë luftë, thotë Frank Newport nga Gallupi.

“Kandidatët flasin për çështjet deri në shkallën që ato të janë të rëndësishme për votuesit dhe për të cilat ata mendojnë se kanë avantazh ndaj rivalit dhe mund ta përdorin kundër tij. Prandaj, Afganistani nuk diskutohet shpesh në fushatë, për shkak se kandidatët dhe këshilltarët e tyre mendojnë se kjo çështje nuk e plotëson ndonjërin nga këto kritere”, thotë Frank Newport./rel

 

 

 

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit