-1 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Muaj mjalti pafund

Më të lexuarat

I ftuar: Salih El-Barudi

Studiues i marrëdhënieve familjare. Prezantues i programit “Pëshpëritje e zëshme” dhe i programit “Lumturia kthehet sërish”. Trajnues i shumë kurseve dhe trajnimeve mbi marrëdhëniet familjare.

Prof. Xhasim El-Mutava:”Paqja e Zotit qoftë mbi ju!

Ju urojmë mirëseardhjen në emisionin tonë dhe njëkohësisht urojmë që motoja: ”Derisa lumturia të jetë tradita jonë” të bëhet realitet.

Tema të cilën do të trajtojmë sot është “Muaj mjalti pafund”, ku ne urojmë që jeta jonë të jetë e gjitha muaj mjalti.

Ky emision është veçanërisht për të sapomartuarit, ose për ata prindër që kanë fëmijë, të cilët së shpejti do të martohen. Fjala muaj mjalti përdoret zakonisht për ditët dhe javët e para të martesës. Në këtë emision, ne do të përpiqemi të diskutojmë mbi mundësitë e transformimit të gjithë jetës bashkëshortore muaj mjalit.

Por a është diçka e tillë e mundur? A ka dhe cilat janë ato barriera, të cilat shpeshherë ia ndryshojnë këtij mjalti ngjyrën dhe shijen?

I ftuari ynë në këtë emision është prof. Salih El-Barudi, të cilit i urojmë mirëseardhjen dhe fillimisht e pyesim mbi mendimin e tij rreth këtij emisioni!”

Prof. Salih El-Barudi: ”Fillimisht ju falendneroj për ftesën në këtë emision dhe veçanërisht për të diskutuar rreth një teme të tillë. Në fakt, unë dua t’i bëj një korrigjim të vogël titullit të këtij emisioni, pasi sipas meje nuk mund të ketë muaj mjalti të pafund dhe të përhershëm në jetë. Po të shohim mënyrën e prodhimit të mjaltit, do të gjejmë që ai vjen si rezultat i një sërë proçesesh që ndodhin. Ne kemi një bletë, e cila shëtit lule më lule, thith pjalmin e këtyre luleve, e vendos atë në hoje dhe proçeset dhe reaksionet vazhdojnë, derisa të prodhohet mjalti i njohur.

Edhe në jetën familjare mes dy bashkëshortëve, duhet të ndodhin një sërë proçedurash, bashkërendimesh, bashkëveprimesh, lidhje bashkëpunimi etj… derisa produkti të arrijë në konceptin e lumturisë bashkëshortore apo të muajit të mjaltit.

Sipas mendimit tim, një pranverë pafund është e vështirë dhe ndoshta dhe e pakuptimtë. Jeta bashkëshortore dhe familjare duhet t’i ngjajë më shumë aparatit, që mat rrahjet e zemrës, ku vija që shënon këto rrahje herë ngrihet lart herë ulet poshtë. Me qëllim që jeta të mos kthehet në rutinë dhe të bëhet e mërzitshme, ka nevojë për larmi. Ne nuk mund t’a shijojmë siç duhet mjaltin, nëse e konsumojmë çdo ditë. Me qëllim që t’a shijosh mjaltin, duhet që të privohesh prej tij për disa kohë.

Nëse në jetën bashkëshortore duam të kemi mjalt të përhershëm, duhet që të ndërgjegjësohemi, që jeta bashkëshortore është një proçes reaksionesh të shumtë, gjë e cila është normale. Vetëm duke pasur parasysh diçka të tillë, njëra palë do e dashurojë palën tjetër siç duhet”.

Prof. Xhasim El-Mutava: ”A e ka në dorë një i ri që pret të martohet, që e ardhmja e tij familjare dhe bashkëshortore të jetë muaj mjalti… jo i pafund, por të paktën me ndërprerje? A është diçka e tillë e mundur dhe nëse po, cilat janë garancitë dhe kriteret që duhet të ndjekë një i ri?”

Prof. Salih El-Barudi: ”Siç e dimë të gjithë, kemi mjalt nga lloji më i mirë dhe më i preferuar – siç kemi dhe lumturi bashkëshortore dhe familjare – por kemi dhe mjalt të cilësisë së dobët, madje nga bleta mund të marrim dhe ndonjë pickim herë pas here. Me qëllim që të sapomartuarit të mos befasohen, le të marrim nivelin më të ulët të lumturisë bashkëshortore. Më poshtë, do të tregojmë që edhe problemet bashkëshortore – pickimet e bletës – bëjnë pjesë në muajin e ëmbël të mjaltit. Veç kësaj duhet të theksoj se dëshira e mirë, vullneti dypalësh, vendosmëria dhe planifikimi janë garanci dhe kritere, që do e bëjnë jetën të ëmbël si mjalti, sado të shumta qofshin pengesat dhe barrierat”.

Mjalti vjen nga hojet apo nga bleta?

Prof. Xhasim El-Mutava: ”Kjo kërkon një marrëveshje mes dy bashkëshortëve, pasi njëri prej tyre mund të jetë mjalti kurse tjetri thumbi djegës. Kështu në raste konflikti do e kenë të vështirë të dy”.

Prof. Salih El-Barudi: ”Më kujtohet që para pesë vitesh kam ofruar një trajnim në Kuvajt me temë: ”Mjalti vjen nga hojet apo nga bleta?” Unë mendoj se mjalti vjen nga të dy, nga bleta dhe nga hojet. Bleta e mban pjalmin e vendos në hoje, duke kontribuar të dy në prodhimin e mjaltit të mrekullueshëm. Kështu janë dhe marrëdhëniet dhe lumturia bashkëshortore. Ato nuk mund të jenë të mira të njëanshme por të bashkërenduara nga të dy palët”.

Jetë e gjitha mjaltë

 

Një teleshikues nga Emratet e Bashkuara Arabe: ”Unë kam një vërejtje lidhur me titullin e këtij emisioni. Përse nuk themi “Jetë mjalti” në vend të “Muaj mjalti”? Ne e duam mjaltin dhe lumturinë bashkëshortore për gjithë jetën dhe jo vetëm për një muaj. Shumë të sapomartuar krijojnë një koncept të gabuar, duke menduar se mjalti i jetës bashkëshortore është vetëm në muajin e parë”.

Prof. Salih El-Barudi: ”Edhe unë dua t’i tërheq vëmendjen teleshikuesit, që titulli i këtij emisioni është “Muaj mjalti i pafund” me të cilën synohet një jetë bashkëshortore e lumtur deri në fund. Në fakt, termi “Muaj mjalti” nuk është shumë i njohur për ne arabët dhe muslimanët, por gjithësesi ai nënkupton një jetë të lumtur dhe të ëmbël”.

Mungesa e bashkëshortit gjatë muajit të mjaltit

 

Një teleshikues nga Zvicra: ”Nëse situatat dhe kushtet e detyrojnë një të sapomartuar, që t’a braktisë të shoqen e tij gjatë muajit të mjaltit, për arsye pune ose për emigrim jashtë vendit, a mund të konsiderohet ky një muaj mjalti?”

Prof. Salih El-Barudi: ”Mendoj se teleshikuesi kërkon të dijë nëse është kusht që bashkëshorti të qëndrojë me bashkëshorten e tij për 24 orë gjatë muajit të mjaltit apo jo? Edhe pse është bërë zakon, që të quhet muaj mjalti, në fakt nuk është kusht që të jetë një muaj i plotë. Madje shumë çifte kalojnë vetëm një ose dy javë pushime së bashku dhe pas kësaj kthehen. Kur dikush i pyet, ata i thonë se kaluan muajin e mjaltit në filan vend. E rëndësishme në jetën bashkëshortore është, që çiftet t’a duan njëri-tjetrin, të bashkëpunojnë, të jenë në kontakt por edhe nëse janë larg njëri-tjetrit, t’a mbajnë palën tjetër në zemër dhe në mendje. Në shumë këngë përmendet fakti, ku bashkëshorti ose bashkëshortja e kujtojnë me mall dhe nostalgji partnerin, i cili u mungon fizikisht, për arsye të ndryshme. Mbi një fakt të tillë flet dhe i dërguari i Zotit në një hadith, ku e karakterizon një grua të ndershme me fjalët: ”Nëse i mungon burri, ajo e ruan dhe e mbron” dhe kjo duke ruajtur pasurinë që i ka lënë në administrim, por dhe nderin, pasi ajo e ndjen që është pranë me të shoqin, e ka atë në zemër dhe në mendje. Kështu, për t’ju përgjigjur pyetjes së teleshikuesit, unë them që nëse për arsye të ndryshme burri i sapomartuar detyrohet t’a braktisë të shoqen dhe ajo sakrifikon dhe duron për hir të bashkëshortit, mendoj se kjo është treguesi më i madh i lumturisë bashkëshortore dhe pranisë së mjaltit në këtë lidhje”.

A mund të kemi muaj mjalti pa udhëtim?

 

Prof. Xhasim El-Mutava: ”Tradicionalisht, muaji i mjaltit konceptohet si një udhëtim i çiftit drejt një vendi të bukur. Sipas mendimit tuaj, a është diçka e tillë e domosdoshme? A është e mundur që një çift t’a përjetojnë muajin e tyre të mjaltit në të njëjtin vend ku jetojnë dhe banojnë?”

Prof. Salih El-Barudi: ”Në jetën bashkëshortore janë të shumta ato gjëra, të cilat ndryshojnë, por e rëndësishme është që ndjenja dhe ana emocionale të mos ndryshojë. Një poet thotë mbi të dashurën e zemrës së tij: ”Kudo që të ndodhem, ti je me mua, në mal, det, ajër apo në kasollen e vogël”.

Kështu, përderisa ne ndihemi pranë njëri-tjetrit si shpirtërisht ashtu dhe fizikisht, përderisa ndjenjat tona për njëri tjetrin janë ndjenja dashurie dhe simpatie, atëherë ne vazhdojmë të përjetojmë muajin e mjaltit, sado vite të kenë kaluar nga dita e martesës”.

 

Cili është realiteti i dashurisë?

Prof. Xhasim El-Mutava: ”Kameramani ynë doli në rrugë dhe u drejtoi këtë pyetje njerëzve që takoi: ”Cila dashuri është më e bukur, ajo para martese apo ajo pas martese?” Shumica e përgjigjeve ishin:”Dashuria pas marteses është më e bukur”. Dashurinë para martese ata e konsideronin si dashuri të adoleshentëve, të epshit dhe dashuri jo të vërtetë. Kurse ata që mendonin se dashuria më e mirë dhe e bukur është ajo para martese, e argumentonin këtë me faktin, që kjo lidhje bën që dy partnerët t’a njohin më mirë njëri-tjetrin. Cili është mendimi juaj profesor Salih?”

Prof. Salih El-Barudi: ”Nga studimet dhe leximet e mia të shumta, nuk kam gjetur një kuptim të qartë mbi dashurinë. Kjo për shkak të vlerës, madhështisë dhe bukurisë së saj. Me këtë rast më kujtohet një thënie e doktor Adil Sadekij në librin e tij, ku thotë: ”Kush mundet të ma përshkruajë dashurinë? Kush e ka këtë aftësi?” Prandaj mendoj se koncepti i dashurisë ndryshon nga një person në tjetrin. Gjatë trajnimeve tona dhe në këtë cikël emisionesh, ne përpiqemi që të shtojmë më shumë informacionin, t’a bëjmë më të prekshme këtë ndjenjë të çuditshme dhe të flasim mbi mënyrat e shprehjes së saj. Nëse të intervistuarit e mësipërm do i pyesnim mbi përkufizimin e dashurisë, vallë si do të përgjigjeshin?

Veç kësaj, mendoj se kjo varet dhe nga mosha e njeriut, kultura, besimi dhe parimet e ij. Të gjithë këto faktorë ndikojnë në mbajtjen e një qëndrimi dhe krijimin e një imazhi rreth dashurisë. Disa mund t’a refuzojnë dashurinë duke u bazuar në parime fetare”.

 

Koncepti i muajit të mjaltit

 

Një teleshikues nga Emiratet e Bashkuara Arabe: ”Nga rrjedh termi muaj mjalti dhe a është me origjinë arabe apo është term i importuar?”

Prof. Salih El-Barudi: ”Në fakt nuk kam një përgjigje të qartë mbi këtë pyetje. Mendoj se ky term është importuar nga vendet perëndimore, ashtu si festa e nënës, gjë të cilën nuk e gjejmë në Islam. Termi muaj mjalti është një term që përdoret për fillimin e jetës bashkëshortore të një çifti të sapomartuar. Përsa i përket origjinës së këti termi, nga vjen dhe ndonjë ndodhi që lidhet me të, unë nuk di gjë”.

Origjina e muajit të mjaltit

 

Një teleshikues nga Bahrejni: ”Termi muaj mjalti është një term i importuar. Ky term e ka origjinën tek vendet e Europës veriore, popullsia e të cilave në ceremoni dasmash ofrojnë pije me përmbajtje mjalti gjatë gjithë muajit të parë të martesës”.

Prof. Salih El-Barudi: ”Qëllimi me muajin e mjaltit, nuk janë vetëm tridhjetë ditë dhe axhenda e tyre. Në këtë emision, më shumë sesa rreth muajit të mjaltit dhe kohëzgjatjes së tij, ne po flasim mbi konceptin e këtij muaji”.

 

Harmonia pas muajit të mjaltit

 

Prof. Xhasim El-Mutava: ”Sapo na ka arritur një faks nga Gjermania ku një teleshikues thotë, se vetëm dy muaj pas martese ndjen që gruaja e tij nuk i përshtatet. E habitshme është, se kjo martesë ka ardhur si rezultat i një lidhjeje dashurie mes tyre më parë. Të gjithë ata, me të cilët janë konsultuar, u kanë thënë, se ajo që ndjejnë është diçka e përkohshme dhe normale, e cila do të kalojë. Ai pyet nëse diçka e tillë është e vërtetë”.

Prof. Salih El-Barudi: ”Fillimisht dua të sqaroj një pikë të rëndësishme, të cilën e neglizhojnë shumë njerëz dhe ajo është përcaktimi dhe njohja e mirë e problemit. Nëse flasim mbi mungesë harmonie, duhet që teleshikuesi ta bëjë të qartë se cilën harmoni, pasi siç e dimë ka harmoni dhe përshtatshmëri ndjenjash, mendore, fetare, shoqërore etj… Cila nga këto i mungon teleshikuesit? Prandaj për raste të tilla duhet të jemi shumë të saktë dhe konçizë.

Kurse përsa i përket dashurisë para dhe pas martesës dhe cila është më e bukur, dua të them se dallimi qëndron tek ndjenjat, fantazia, romanca dhe dëshira e papërmbajtshme për kontakte, përkëdhelje, prekje, puthje etj… janë prezente para martesës. Ato vazhdojnë dhe pas martesës, por gjatë kësaj kohe të gjithë nevojat e mëparshme janë përmbushur. Kështu, tashmë kanë filluar të shfaqen tipare dhe aspekte të tjera personale tek secili nga bashkëshortët. Vetëm tani fillon të shfaqet e vërteta e ndjenjave, që ekzistonin para martese. Në largësi nuk shfaqen të gjithë aspektet. Vetëm pasi dy bashkëshortët të kenë hequr çdo rrobë trupore, psikologjike dhe shpirtërore, vetëm atëherë ata fillojnë t’a zbulojnë siç duhet njëri-tjetrin.

Para martese kishim sakrificë, simpati dhe dashuri, kurse pas martese kemi përgjegjësi të reja. Para martese nuk e kishe pranë gruan, nuk e prisje për të ngrënë së bashku ose për të fjetur bashkë. Kurse pas martese gjithçka ka ndryshuar. Prandaj, ajo që ndjen teleshikuesi, mungesa e harmonisë dhe përputhshmërisë, besoj se është diçka normale. Proçesi i harmonisë dhe përputhshmërisë është diçka, që nuk mund të vijë vetëm nga njëra palë, por duhet bashkëpunim dhe bashkërendim”.

 

Mos përputhshmëria në fillim të martesës

 

Prof. Xhasim El-Mutava: ”Po nëse pyesim se si mund t’a arrijmë përputhshmërinë dhe harmoninë? Teleshikuesi përmendi që pas dy muajsh martese nuk ndjen harmoninë e duhur dhe se të gjithë ekspertët i kishin thënë, se kjo është diçka normale dhe që do të kalojë. A është me të vërtetë diçka normale për çdo martesë të re? A ndodh tek të gjithë, që harmonia mes dy bashkëshortëve humbet gjatë kësaj periudhe?”

Prof. Salih El-Barudi: ”Siç thamë dhe më lart, cili është qëllimi me fjalën harmoni? Ajo është një fjalë e madhe dhe e përgjithshme dhe sot kemi nevojë të jemi më të specifikuar dhe të saktë në termat që përdorim. Teleshikuesi i mësipëm mund të jetë tip, që përshtatet dhe ambjentohet me gjithçka tjetër, por përsa i përket jetës bashkëshortore ai mund të ndjejë që e shoqja nuk i bindet. Kjo e bën atë të papërshtatshëm dhe të vështirë për t’u ambjentuar me disa gjëra. Ai mund t’a dëshirojë një lloj ushqimi, ndërkohë që ajo nuk e pëlqen. Ai mund t’a pëlqejë një ngjyrë të caktuar, kurse ajo pëlqen një ngjyrë tjetër. Kështu, fillon të lindë ndjenja se këta dy bashkëshortë janë të ndryshëm. Në fakt ata janë të ndryshëm në një aspekt të caktuar gjë të cilën unë e shoh si diçka normale dhe që nuk prish punë”.

Konflikti i roleve

 

Prof. Xhasim El-Mutava: ”Kjo na bën të pyesim një pyetje tjetër: ”Cilat janë problemet më të shpeshta, që i hasim menjëherë pas martese?”

Prof. Salih El-Barudi: ”Problemet më të hasura, mund t’i përmbledhim në termin “Konflikti i roleve”. Ne në lindje kemi konceptin, që burri është më superior se gruaja dhe kjo është një trashëgimi kulturore, fetare, zakonore, shoqërore dhe kulturore. Është traditë tek ne, që është burri ai që e udhëheq familjen, ai është përgjegjës për të. Imazhi i prindërve dhe gjyshërve tanë në këtë aspekt është gdhendur thellë në memorien tonë. Burri kërkon që gruan t’a ketë në krah dhe jo para. Një fakt të tillë, unë e kam hasur edhe tek vetë ata që bëjnë thirrje dhe kërkojnë të drejtat politike të gruas. Është në natyrën e burrit, që të kërkojë dhe të luajë rolin e lidershipit dhe udhëheqësit, financiarisht dhe administrativisht. Një natyrë e tillë, e detyron burrin që që në ditët e para të martesës t’i imponohet gruas dhe të shfaqë forcën dhe aftësitë e tij.

Në krahun tjetër kemi dhe një trashëgimi të fuqishme tek gratë dhe nënat, të cilat i porosisin vajzat e tyre që janë në prag të martesës, që të shfaqin personalitet të fortë para burrave”.

Prof. Xhasim El-Mutava: ”Kush është përgjegjës për këtë konflikt rolesh, burri apo gruaja?”

Prof. Salih El-Barudi: ”Të dy së bashku!”

Prof. Xhasim El-Mutava: ”Po si mund të jetojmë një jetë pa këtë konflikt mes roleve?”

Prof. Salih El-Barudi: ”Duhet të biem dakort që në fillim mbi personin, që do të jetë lidershipi i shtëpisë, që do të përfaqësojë familjen dhe që në fund do t’i japë fund çdo debati dhe polemike. Këtu nuk kemi përse të insistojmë në idenë që fjala e fundit gjithmonë i takon burrit, ai gëzon të drejtën e ushtrimit të gjithë kompetencave, pasi çështjet e shtëpisë dhe ekonomisë familjare, i përkasin gruas”.

 

Të barabartë në përgjegjësi

 

Prof. Xhasim El-Mutava: ”Megjithatë unë njoh një burrë, që ndihet i lumtur në jetën bashkëshortore. Ai ia kishte dorëzuar të shoqes udhëheqjen dhe të gjithë çështjet e jashtme. Ajo ishte përgjegjëse për financën e familjes dhe për blerjen e gjithçkaje që u nevojitej”.

Prof. Salih El-Barudi: ”Përderisa kjo bëhet me marrëveshje dhe mirëkuptim”.

Prof. Xhasim El-Mutava: ”A është kjo një jetë e lumtur?”

Prof. Salih El-Barudi: ”Besoj se nuk është diçka e goditur dhe jam i bindur se kjo ndodh më së shumti me gratë e Gadishullit Arabik. Pas dhjetë vitesh martesë, përgjegjësitë dhe hallet do të shtohen mbi gruan. Ndërkohë që burri është mësuar që të mos i mbajë përgjegjësitë e tij, kështu gruaja fillon t’i përngjasojë më shumë një burri se një gruaje. Veç kësaj, asaj i duhet të përballet dhe me ankesat e burrit, se ajo i ka harruar përkëdheljet dhe fjalët e ëmbla që i thoshte më parë. Këto kanë ndodhur, por për shkak se ajo përballet me shumë përgjegjësi, të vetat dhe të burrit”.

Prof. Xhasim El-Mutava: ”Atëherë problemi më evident mes një çifti të sapomartuar janë rolet, që duhet të kryejë secili?”

Prof. Salih El-Barudi: ”Rolet mund të ndahen sipas natyrës, sjelljeve dhe traditës. Të gjithë këto faktorë ndikojnë në rolin, që duhet të luajë secili. Kështu, mund të gjejmë që njëri partner është shumë emocional, ndërkohë që tjetri nuk reagon fare. Njëra palë mund t’a shprehë diçka që e shqetëson me fjalë, ndërkohë që pala tjetër e shpreh atë me goditje, një i tretë me sharje, një i katërt duke thyer diçka etj… Dallimet në mënyrën e shprehjes mund të çojnë në shumë probleme dhe konflikte”.

Shprehja e dashurisë

 

Prof. Xhasim El-Mutava: ”Sapo na ka arritur një faks nga Doha, ku teleshikuesja ka një problem, pasi i fejuari i saj bën vepra të çuditshme. Në telefon, ai i thotë fjalë  të ëmbla dhe bisedon me të me orë të tëra. Por kur vjen puna për t’u takuar, ai u shmanget të gjithë takimeve me të dhe e viziton në shtëpi, vetëm pasi ajo këmbëngul, por edhe kur shkon t’a vizitojë, vizita zgjat vetëm disa minuta. Këto sjellje kontradiktore e kanë shqetësuar dhe e kanë frikësuar mbi të ardhmen e jetës së tyre bashkëshortore”.

Prof. Salih El-Barudi: ”Mendoj se njeriu kur dashuron dhe e merr malli për dikë, duhet t’a shprehë këtë dashuri qoftë me vizita ose diçka që kryen të njëjtin funksion. Në një rast të tillë, nuk ka vend për sjellje kontradiktore. Dikur është thënë: ”Fjalët si demushi, punët si kërkushi”.

Një herë, Profeti a.s qëndronte me njërin nga shokët e tij. Kur dikush kaloi pranë tyre dhe i përshëndeti, shoku i tha Profetit a.s: ”Unë e dua atë për hatër të Zotit”.

Kur e dëgjoi Profeti a.s, i tha:”Shko dhe tregoji që e do!”

Ai vajti dhe i tregoi, kurse tjetri ia ktheu: ”Të dashtë Ai për hatrin e të cilit më ke dashur.”

Prandaj dashuria dhe respekti duhen shprehur, duke zgjedhur metodat dhe mënyrat e duhura”.

Prof. Xhasim El-Mutava: ”Por a është e mundur, që i fejuari i saj të shtiret sikur e dashuron?”

Prof. Salih El-Barudi: ”Nga eksperienca e ime në çështje të tilla përgjatë dhjetë viteve të kaluara, kam zbuluar se të gjykosh dhe hamendësosh në çështje të tilla është gabim. Këtë mund t’a bëj, vetëm pasi të ulem me të dy palët. Përndryshe, nuk mund të hyjmë dhe të hamendësojmë qëllimet e të tjerëve. Nëse ai e do këtë vajzë, rezultati do të jetë padyshim martesa. Por nëse ai sillet kështu me të fejuarën e tij dhe me familjarët e saj, si do të sillet pasi të martohen?! Kjo mund të ndodhë edhe ngaqë i fejuari i teleshikueses mund të jetë i angazhuar me punë dhe udhëtime të shumta. Ne nuk e dimë qëllimin e këtij personi dhe nuk mund të gjykojmë pa fakte. Gruaja ka nevojë që burri i saj t’i shprehë dashurinë ashtu siç vepronin gjatë fejesës”.

Mjalti prodhohet si rezultat i bashkëpunimit dhe bashkërendimit

 

Një teleshikuese nga Britania: ”Këtu në Angli përdoret një thënie e urtë, që thotë: ”Një dorë e vetme nuk duartroket”. Njeriu mund të përpiqet të jetojë një jetë të lumtur, por partneri nuk e ndihmon në këtë objektiv. Nga ana ime unë mendoj, se dashuria kërkon sakrificë nga të dy palët, në të kundërt do të dështojë”.

Prof. Xhasim El-Mutava: ”Unë dua t’i kthehem përsëri prodhimit të mjaltit, ku thamë që ai nuk prodhohej as nga bleta dhe as nga hoja, por nga bashkërendimi i të dyve. E tillë është dhe dashuria dhe harmonia mes bashkëshortëve”.

Një teleshikuese nga Suedia: ”Ju thatë që vazhdueshmëria e muajit të mjaltit është e pamundur gjithë jetën, por unë dua të sjell këtu eksperiencën time me burrin. Që kur u martuam, jetonim ditë të ëmbla mjalt, të mbushura me fjalë dashurie dhe erotike. Kur na lindi fëmija i parë, angazhimet u shtuan, kështu u pakësuan dhe fjalët dhe momentet erotike. Burri im filloi të ndihej keq nga kjo gjendje. Me ardhjen e fëmijës së dytë dhe të tretë, angazhimet u shtuan më shumë dhe koha që kaloja me burrin dhe fjalët e ëmbla dhe erotike u pakësuan dhe më shumë. Kjo e çmend fare burrin tim, i cili dëshiron prej meje që gjatë gjithë kohës t’i them fjalë dashurie dhe erotike. Unë mendoj se kjo është gabim, pasi muaji i mjaltit nuk ka përse të jetë vetëm përmbajtje erotike dhe fjalë të ëmbla. Ne kemi dhe përgjegjësi dhe angazhime të shumta që na presin!”

Prof. Salih El-Barudi: ”Fillimisht unë e uroj motrën teleshikuese mbi këtë marrëdhënie me të shoqin. Fakti që burri i saj i kërkon gjatë gjithë kohës fjalë të ëmbla, gjë e cila tregon se dashuria mes tyre vazhdon në të njëjtin nivel, është tregues se ai vazhdon t’a dojë dhe se është shumë i lidhur me të. Nëse ti e pakëson furnizimin, padyshim që ai do të shqetësohet dhe nuk ndihet mirë”.

Prof. Xhasim El-Mutava: ”Ajo përmendi, që shkaku se përse ajo nuk i kushton aq vëmendje burrit sa më parë, janë angazhimet e saj me rritjen dhe edukimin e tre fëmijëve”.

Prof. Salih El-Barudi: ”Nëse një narkoman dëshiron të braktisë drogën, specialistët e ndihmojnë duke ia pakësuar dozat e drogës, derisa në fund të shkëputet plotësisht prej saj. Të njëjtën gjë duhet të bëjë dhe bashkëshortja me të shoqin. Veç kësaj, një nga konceptet e mjaltit është, që në gjërat e shëmtuara ose atë që e mendoj si të shëmtuar, të shoh të bukurën. Gjithashtu, unë dua t’a pyes teleshikuesen: ”Kush është më mirë, një burrë që më rri pas gjithë ditën, më dëshiron dhe më kërkon, apo një burrë që më braktis, më injoron, shpërfill dhe që nuk i intereson nëse dal apo hyj në shtëpi?!”

Ndoshta teleshikueseja mund të thotë në këto momente: ”Ti nuk di asgjë! Ti nuk je në vendin tim, nuk e përjeton atë që përjetoj! Unë nuk jam makinë!”

Padyshim që ajo nuk është makinë. Burrat duhet t’a dinë që jeta bashkëshortore kalon në etapa dhe faza, ku shtohen përgjegjësitë. Një familje me dy persona, padyshim që nuk është e barabartë me një familje me tre apo katër persona. Gruaja është plot ndjenja dhe ajo i përngjan më së shumti një keku të shijshëm. Fillimisht ky kek ishte e drejtë ekskluzive vetëm e jotja o bashkëshort, kurse tashmë ka dhe persona të tjerë (fëmijët) me të cilët duhet t’a ndash këtë kek. Ti duhet t’a njohësh mirë dhe natyrën e gruas. Kur detyrat dhe angazhimet i shtohen, ajo bëhet nervoze dhe mendjen e ka të zënë duke menduar mbi fëmijët, edukimin e tyre, ushqimin, arsimimin, rregullimin e shtëpisë etj… Ky është tregues, që ajo është e stresuar me gjithë këto angazhime. Ne duhet të dimë që çdo njeri fsheh në brendësi tre personalitete të ndryshme (burrin, të riun dhe fëmijën). Ndonjëherë ndodh që ky burrë dhe  baba tashmë, kërkon të luajë rolin e të riut të kohëve të hershme. Për këtë ai dëshiron dhe kërkon gruan e tij të dashur, të cilën dhe atë e kërkon të re siç ka qenë dikur. E njëjta gjë ndodh dhe me gruan. Prandaj, është mirë që kjo të kihet parasysh dhe secili të përpiqet të luajë rolin e tij”.

 

Sa ndikojnë dhuratat dhe shpenzimet në jetën bashkëshortore?

 

Prof. Xhasim El-Mutava: ”A ndikojnë dhuratat dhe shpenzimet që bën bashkëshorti, në lumturinë bashkëshortore?”

Prof. Salih El-Barudi: ”Padyshim që kjo ndikon. Ne kemi dhe një fjalë të urtë që thotë: ”Ai që të do, me të mira të mbulon!” Ky është një koncept i përhapur kryesisht tek gratë, të cilat e masin dashurinë me shpenzimet dhe dhuratat e shtrenjta, që u bëjnë burrat. Unë mendoj se gruaja i bën padrejtësi të shoqit, nëse mendon në këtë mënyrë. Padyshim që aspekti financiar është një nga aspektet me ndikim të madh në jetën bashëkshortore dhe lumturinë e tyre, por ai nuk duhet t’i kalojë kufinjtë dhe të bëhet kriter dhe matës i dashurisë”.

Frika nga martesa

 

Prof. Xhasim El-Mutava: ”Sapo na ka arritur një faks nga një teleshikuese nga Bahrejni, në të cilin thotë se është beqare dhe i frikësohet hapit që duhet të hedhë për t’u martuar. Kjo frikë i ka lindur asaj, për shkak se të gjitha shoqet e saj të martuara kanë probleme me bashkëshortët e tyre”.

Prof. Salih El-Barudi: ”Unë e këshilloj këtë teleshikuese që t’a ndryshojë konceptin që ka për martesën dhe jetën bashëshortore. Nëse një njeri planifikon që t’i hyjë një jete bashkëshortore pa probleme, unë i them që të mos lodhet kot dhe më mirë të mos martohet. Edhe të qëndrosh pa u martuar gjithë jetën, pa pasur dikë me të cilin të shkëmbesh dashuri dhe emocione, padyshim që është një problem i madh. Problemi nuk është në ekzistencën e konflikteve, por në mënyrën si i trajtojmë ato. Problemet bashkëshortore janë një test, me atë të të cilave provohen marrëdhëniet mes çiftit, nëse janë të forta”.

Shkaqet e problemeve gjatë muajit të mjaltit

 

Një teleshikuese nga Kuvajti: ”Problemet që ndodhin dhe sidomos ato që ndodhin në fillimin e jetës bashkëshortore, lindin për disa shkaqe:

1 – Ndryshimi i ambjentit. Ky problem ka nevojë për faktorin kohë, derisa bashkëshortët të ambjentohen me vendin e ri ku banojnë.

2 – Çështjet financiare. Kur nuk ekziston një plan i mirëfilltë mbi shpenzimet, jeta bashkëshortore do të tensionohet.

3 – Ekzistenca e një pale të tretë, një i afërt ose shok, i cili është burimi i problemeve”.

Prof. Salih El-Barudi: ”Ato që përmendi teleshikuesi janë të vërteta dhe nëse do të donim t’i numëronim shkaqet e problemeve, ato mund të arrijnë në mbi pesëmbëdhjetë shkaqe”.

Sa më shumë të shtohen përgjegjësitë, pakësohet mjalti

Një teleshikuese nga Katari: ”Unë mendoj se edhe gjatë fejesës mund të kemi muaj mjalti. Por nëse periudha e fejesës është e gjatë përgjegjësitë e bashkëshortit fillojnë dhe shtohen, sikur të ishte martesë e vërtetë. Këtë e them nga eksperienca ime personale”.

Prof. Salih El-Barudi: ”Është për t’u theksuar, se njeriu ka aftësi që të përshtatet sipas kushteve dhe rrethanave të reja. Këtë e vërejmë në çdo gjë, si p.sh me blerjen e një makine të re, me hyrjen në universitet etj… ku vërejmë se ai fillon të përshtatet menjëherë me ndryshimin. Pikërsisht kjo ndodh dhe me ditët e para të martesës. Të dy bashkëshortët dëshirojnë t’i shprehin palës tjetër dashurinë dhe gëzimin që ndjejnë. Këto ndjenja me kalimin e kohës fillojnë të zbehen, por kjo nuk do të thotë se ato zhduken përgjithmonë.

Muaji i mjaltit është për dy persona të martuar, të cilët kanë marrë pushimet dhe i përkushtohen njëri-tjetrit tërësisht. Më vonë kalojnë në fazën e përgjegjësive, ku numri i pjestarëve të familjes fillon të rritet, hallet shtohen etj… Megjithatë dashuria dhe respekti mbetet, gjë e cila i përngjason rrahjeve të zemrës, të cilat herë janë më të shpeshta dhe herë të ngadalta, por nuk ndërpriten”.

 

S’ka pse të kesh frikë nga seksi

 

Prof. Xhasim El-Mutava: ”Një burrë ka dërguar një faks, ku nuk ka shënuar as emrin dhe as vendin ku banon. Ai thotë se ka shtatë muaj pa bërë seks me gruan e tij. Sa herë që ai i afrohet, ajo shmanget dhe e refuzon. Prandaj ai kërkon një këshillë nga ju profesor”.

Prof. Salih El-Barudi: ”Problemet seksuale, lindin për dy shkaqe kryesore; E para, personi vuan nga probleme dhe sëmundje fizike dhe e dyta, probleme psikologjike. Përsa i përket të parës, këto probleme kurohen dhe shërohen nga doktorë të specializuar në këtë fushë. Kurse përsa i përket problemeve psikologjike, edhe këto kanë doktorët dhe psikoterapistë të specializuar. Unë mendoj, se disa gra i ekzagjerojnë gjërat dhe krijojnë koncepte të gabuara duke u nisur nga disa histori të dëgjuara apo të lexuara. Prandaj e theksoj, se nuk ka përse të kihet frikë nga kontakti seksual. Ai është një veprim të cilin Zoti e ka caktuar, me qëllim që të shtohet njerëzimi. Gjithashtu, seksi është dhe një formë e shprehjes së dashurisë”.

Marrëdhëniet e bashkëshortëve me familjet e tyre

 

Një teleshikuese nga Katari: ”Fejesa ime ka qenë e mbushur me probleme dhe e tillë ka qenë dhe nata e martesës. Problemet akoma vazhdojnë mes meje dhe bashëkshortit tim edhe pas dy vitesh martesë. Ai nuk qëndron në shtëpi, por edhe po qëndroi nuk më flet. Në fakt, unë jam grindur me familjarët e tij dhe nuk i vizitoj. Të njëjtën gjë ka bërë edhe ai me familjarët e mi”.

Prof. Salih El-Barudi: ”Unë e falenderoj teleshikuesen për faktin që na kujtoi diçka të rëndësishme – marrëdhëniet me familjarët e bashkëshortit– në jetën bashëkshortore. Marrëdhëniet e bashkëshortit me familjarët e tij i ngjajnë një gjeneratori ose një transformatori energjie. Nëse ti o bashkëshorte je grindur me prindërit e burrit tënd, dije se e ke shkatërruar gjysmën ose 3\4 e këtij transformatori energjie, ose më saktë gjysmën e jetës tënde bashkëshortore dhe familjare. Duke pasur parasysh këtë, unë u kërkoj të gjithë bashkëshorteve, që t’i trajtojnë prindërit e bashkëshortit me edukatë dhe zemërbutësi, pasi imazhi i nënës është imazhi më i pastër dhe i shenjtë në mendjen e bashkëshortit, imazh të cilin ai nuk ia lejon askujt t’ia prekë. Një nga faktorët e vazhdueshmërisë së mjaltit në jetën familjare, është që atmosfera familjare me familjarët e burrit të jetë e mirë dhe e kënaqshme.

Unë besoj se teleshikuesja duhet të përdorë zgjuarsinë dhe të fillojë një lëvizje, e cila do i normalizonte marrëdhëniet mes saj dhe nënës së burrit. Ajo duhet ta vizitojë nënën e burrit edhe nëse ky i fundit është kundër, të pajtohet, t’i kërkojë falje dhe të përpiqet me sa të mundet të fitojë simpatinë e saj. Nëse burri deri tani ka pasur qëndrime negative me ty, dije se do të fillojë të ndryshojë menjëherë”.

 

Prof. Xhasim El-Mutava: ”Kameramani ynë doli në rrugë dhe u drejtoi njerëzve këtë pyetje: ”A jeni përballur me kriza dhe probleme që në ditët e para të martesës?”

Disa prej tyre ishin përgjigjur negativisht, kurse disa të tjerë e kishin pranuar një fakt të tillë. Shkaku sipas tyre ishte ndryshimi i zakoneve dhe traditave, si dhe ndryshimi i vendbanimit. Cili është mendimi juaj profesor?”

Prof. Salih El-Barudi: ”Në fillim të jetës bashkëshortore, në mes apo në fund të saj, problemet dhe konflitet janë të pashmangshme. Por dallimi është në mënyrën e trajtimit të këtyre problemeve. Shpeshherë ne përballemi me problemet, sikur të jemi programuar për atë sjellje. Ne kemi frikë nga fjala probleme dhe gjithmonë e lusim Zotin që t’i mbajë problemet larg nesh. Por në fakt problemet janë diçka normale në jetën bashkëshortore. Ne duhet të trajnohemi dhe të edukohemi mbi mënyrën e duhur të trajtimit të këtyre problemeve. Disa njerëz përdorin artin e ekzagjerimit të problemit, ndërkohë që disa të tjerë i shpërfillin dhe i anashkalojnë.

Unë duhet t’a njoh problemin, si t’a trajtoj, si t’i njoh shkaqet që çuan në këtë problem, rrethanat, qëllimin e palës tjetër me atë që tha etj…

Unë do u jap eksperiencën time personale dhe rrugën që kam ndjekur në trajtimin e problemeve dhe konflikteve familjare. Unë bashkë me gruan ramë dakort që të gjithë problemet që kemi, t’ia rrëfejmë dhe t’ia shprehim palës tjetër. Ndonjëherë mund t’a anashkalojmë problemin dhe e vonojmë zgjidhjen e tij, por pa e harruar atë, duke vazhduar jetën tonë familjare si më parë. Më vonë, në një kohë të pështatshme, ne e hapim për diskutim këtë problem. Kjo mënyrë më ka ndihmuar shumë në zgjidhjen e problemeve. Gjithashtu, në këtë formë problemi nuk zë hapësira të shumta në mendjen time dhe nuk më harxhon shumë kohë”.

 

Një teleshikuese nga Arabia Saudite: ”Unë kam dy pyetje:

a) Kur themi që duhet të bëjmë lëshime, sa duhet të jetë kufiri i këtyre

lëshimeve? A ndikojnë lëshimet në humbjen e dinjitetit dhe karakterit të personit?

b) A është e mundur që në një martesë të pabarabartë mes bashkëshortëve, ku burri p.sh nuk ka të njëjtin arsim me gruan, dashuria t’a mbulojë ndryshimin arsimor? Apo një martesë e tillë është e prirur për të dështuar?”

Prof. Salih El-Barudi: ”Përsa i përket lëshimeve, ne nuk duhet t’i përjashtojmë normat dhe kriteret e Sheriatit islam, si dhe traditën profetike, nga jeta jonë bashkëshortore. Kur themi lëshime dhe tërheqje, nuk synojmë përdhosjen e vetes, nëpërkëmbjen e karakterit dhe dinjitetit, për shkak të palës tjetër. Por lëshimi dhe tërheqja të shihet si “më i miri prej tyre është ai që e përshëndet vëllanë me selam”.

Nëse ti ma bën qejfin, padyshim që je më i mirë se unë. Në rast lëshimi dhe tërheqje nga njëra palë, pala tjetër duhet t’a respektojë palën tërheqëse dhe të ketë konsideratë të veçantë. Për fat të keq, shumica e atyre që bëjnë lëshime dhe tërhiqen sot, e bëjnë këtë në llogari të dinjitetit dhe karakterit të tyre.

Përsa i përket pyetjes së dytë, mbi përputhshmërinë e arsimimit. Dashuria është ajo, mbi të cilën bazohet gjithçka. Ai që e do dikë, e do me gjithë qënien e tij, pozitivet dhe negativet. Gjatë konsulencave të shumta që më vijnë, hapi i parë që ndërmarr është vënia në provë e dashurisë. Nëse dashuria është prezente, edhe problemet më të mëdha gjejnë zgjidhje dhe përfundojnë”.

 

Tërheqja e gruas, a mund të çojë në shpërthimin e situatës?

 

Prof. Xhasim El-Mutava: ”Sapo na ka arritur një faks nga Doha, ku një teleshikuese pyet rreth tërheqjeve dhe lëshimeve të shumta nga ana e gruas, gjë të cilën e bën për të mbrojtur jetën familjare të saj, por që mund të çojë në shpërthimin e situatës”.

Prof. Salih El-Barudi: ”Kjo varet nga vetë personi, nëse pas lëshimeve dhe tërheqjes vazhdon t’a ruajë të keqen në mendje dhe në zemër, apo e fshin nga kujtesa dhe e hedh pas krahëve? Nëse unë e kam aftësinë që t’a harroj problemin pas këtij lëshimi, atëherë çështja është e lehtë. Por nëse këto lëshime akumulohen, ato mund të shpërthejnë një ditë”.

Mos e prish kosheren e bletës!!!

Prof. Xhasim El-Mutava: ”Ka arritur një faks nga Arabia Saudite ku teleshikuesja thotë, që jeton një jetë gjithë vuajtje dhe probleme me burrin e saj, që e tradhëton shpeshherë, që nuk e sheh në shtëpi dhe është tejet i dhunshëm”.

Prof. Salih El-Barudi: ”Unë do të përmend një paragraf nga një libër i Dale Carnegie, të cilin uroj t’a mësojmë dhe t’a kemi parasysh në raste konfliktesh dhe problemesh. Dale Carnegie thotë: ”Nëse kërkon të marrësh mjaltin nga koshereja, mos e shkatërro kosheren!”

Me këtë rast, burri nuk ka përse t’a shkatërrojë gruan e tij dhe t’a detyrojë, që t’a urrejë burrin e saj. Të njëjtat fjalë vlejnë dhe për gruan, e cila dhe ajo duhet të mos ia lejojë vetes t’a bëjë burrin t’a urrejë, të shpërfillë dhe nxjerrë nga jeta e tij. Shpeshherë janë disa tradita dhe koncepte të gabuara, të cilat e përkeqësojnë situatën.

Veç kësaj, janë disa vlera, të cilat nuk duhet të preken në raste konflitesh, si nderi, vlerësimi, dinjiteti, amaneti etj…”

 

Shkaqet e lumturisë familjare

 

Prof. Xhasim El-Mutava: ”Cilat janë lidhjet mes lumturisë dhe martesës?”

Prof. Salih El-Barudi: ”Përkujdesi, pasi secili nga bashkëshortët përkujdeset për tjetrin. Interesimi dhe përkushtimi im për bashkëshorten shfaqet dhe konkretizohet në fjalët që i them, mirësjelljen etj… Zoti thotë në Kuran mbi lidhjet bashkëshortore: ”që të qetësoheni pranë tyre…” (Rum: 21)

Këtu qetësia është qetësi shpirtërore dhe fizike. Këto që përmendëm dhe të tjera, janë faktorë dhe shkaqe të lumturisë familjare. Ne kemi nevojë që çdo ditë të kërkojmë mbi faktorët, që e shtojnë lumturinë familjare, duke u larguar nga faktorët, që e prishin dhe turbullojnë lumturinë familjare”.

Prof. Xhasim El-Mutava: ”Në fund të këtij emisioni, çfarë dëshiron t’u thuash teleshikuesve tanë, për titullin “Muaj mjalti i pafund” profesor i nderuar?”

Prof. Salih El-Barudi: ”Duhet të jetojmë vlerat, parimet dhe konceptet e bukura dhe pozitive, të cilat mishërohen në hyrjen e librit me titull: “Magjia e martesës” ku autori Adil Sadekij thotë: ”Martesa më e mrekullueshme ndodh atëherë kur:

Dëshiron të jetosh me këtë njeri deri në ditën e fundit të jetës tënde.

Nuk mund të njihesh me një person tjetër përveç bashkëshortit tënd.

Nuk mundesh t’a imagjinosh dot veten me dikë tjetër në të njëjtin shtrat.

Kur ndjen qetësinë para gëzimit, besnikërinë para kënaqësisë dhe sigurinë para epshit.

Kur nuk e konsideron partnerin thjesht si mjet për shfryerjen tënde seksuale.

Kur nuk e konsideron thjesht si mjet për t’u bërë me fëmijë dhe formimin e familjes.

Kur i ndan me të, të gjithë kënaqësitë e jetës.

Kur dëshiron të përkujdesesh për të.

Kur e përball jetën përkrah tij.

Kur qëllimi yt më i lartë është të jesh përkrah tij… thjesht të jesh përkrah tij.

Kur ndihesh mirë dhe ngushëllohesh me praninë e tij.

Kur e ndjen që marrëdhëniet e tua me këtë njeri janë të forta dhe të qëndrueshme.

Kur sinqeriteti dhe besnikëria janë thelbi dhe esenca e këtyre marrëdhënieve.

Kjo do të thotë që ti je martuar se e ke dashur dhe e ke dashur pasi je martuar me të!!”

Prof. Xhasim El-Mutava: ”E falenderojmë profesorin tonë të nderuar mbi informacionin e dhënë, ashtu siç falenderojmë të gjithë teleshikuesit për telefonatat dhe vëmendjen e kushtuar. Në fund, derisa lumturia të bëhet tradita jonë, paqja e Zotit qoftë mbi ju!”

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit