Pentagoni ka njoftuar se forcat speciale amerikane kanë ndërmarrë një operacion për shpëtimin e dy pengjeve që u rrëmbyen nga kryengritësit në Afganistan muajin e kaluar, por kur ekipi i shpëtimit kur ka arritur në lokacionin e dyshuar, pengjet nuk kanë qenë aty.
Sekretari për media i Pentagonit, Peter Cook ka thënë se operacioni i shpëtimit ishte miratuar nga Sekretari i Mbrojtjes, Ash Carter dhe presidenti Barack Obama e kishte autorizuar atë.
Cook ka thënë se asnjë civil dhe personel i SHBA-së nuk është lënduar në këtë ngjarje. Ai nuk pranoi të jap më shumë detaje duke thënë se kjo gjë po bëhet për “të mbrojtur sigurinë e pengjeve dhe për shkaqe të sigurisë operacionale”.
Sipas zyrtarëve të mbrojtjes, misioni për shpëtimin e pengjeve ishte vonuar për një ditë, për shkak se nuk dihej nëse pengjet – njëri amerikan dhe një australian, që kanë punuara në Universitetin Amerikan të Afganistanit- ishin në vendin ku do të kryehej shpëtimi i tyre.
Kur forcat amerikane arritën në shtëpinë, që besohej se po mbaheshin pengjet, ata vranë shtatë luftëtarë të armikut, kanë njoftuar zyrtarët.