0.9 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

Ekipet punuese të Kryebashkisë së Stambollit në Shkup nisen drejt Turqisë

Më të lexuarat

Ekipet e Koordinimit për Katastrofa (AKOM) pranë Kryebashkisë së Stambollit (IBB) të cilët zhvilluan punime për ndihmë në zonën e goditur nga katastrofa e përmbytjeve në Shkup dhe rrethinë, pasi bënë turne në qytet u nisën në rrugën e kthimit për në Stamboll, raporton Anadolu Agency (AA).

Ekipet e IBB-AKOM-it të cilët i përfunduan para dy ditëve punimet në zonat e goditura nga katastrofa e vërshimeve, sot në Shkup bënë turne nëpër qytet, për të vazhduar më tej rrugën e kthimit për në Stamboll.

Ekipet e IBB-së turnenë në Shkup e realizuan të shoqëruar me himnin Mehter dhe duke i zbukuruar me flamuj automjetet që i përdorën për ndihmë. Ndërkaq, punimet e tyre në zonat e prekura zgjatën 11 ditë.

Ramiz Sümbül, Zv/Drejtori i Drejtorisë së Zjarrfikësve të Pjesës Evropiane të Stambollit, që njëherësh kryente detyrën e skuadrës së zjarrfikësve në zonën e prekur, tha se i ka bërë të lumtur fakti që qoftë edhe pak kanë arritur t’i mbulojnë plagët e banorëve të goditur nga vërshimet.

“Gjithsesi, është e qartë mirësia që qytetarët e Maqedonisë kanë ndaj popullit tonë. Kjo mirësi është rezultat i të qenët pranë njëri-tjetrit në ditë të mira dhe të këqija, ndërsa përsëritja e kësaj edhe sot, rifreskimi i kësaj miqësie dhe vëllazërie, prodhoi kënaqësi të madhe”, tha Sümbül, duke uruar që katastrofat e tilla të mos përsëriten.

Sümbül po ashtu tha se “Gjithkush po e sheh dhe e di që populli turk është pranë të shtypurve dhe të dëmtuarve kudo që gjenden në botë.”

Nga ana tjetër, koordinatori i ekipit të ndihmave në zonë, Fahrettin Paketçi, u shpreh se Maqedoninë e shohin si mëmëdhenë e tyre. “Këtë nuk e shohim si ndonjë mëmëdhe tjetër. Kjo është edhe mëmëdheu ynë. Ne nuk erdhëm këtu për të ndihmuar, por vetëm ta kryejmë detyrën tonë të vëllazërisë. Ne ende jemi bashkë dhe vëllezër. Zoti e bëftë të përjetshëm unitetin tonë”, tha Paketçi.

Që nga data 22 gusht, përmes mjeteve që u sollën në Maqedoni nga ana e Kryebashkisë së Stambollit, nga zonat e dëmtuara janë larguar 930.500 litra ujë dhe janë pastruar 4.750 metra rrugë, 328 lagje të banuara dhe 280 kanale, ndërsa me kamionë dhe mjete të punës janë bërë 374 vajtje-ardhje.

Si pasojë e përmbytjeve që ndodhën në Shkup dhe rrethinë, 22 persona humbën jetën dhe u shkaktuan dëme të mëdha material. Ndërkaq, një foshnje 16-muajshme e cila humbi natën e përmbytjeve, ende nuk është gjetur.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit