-1.6 C
Pristina
Monday, December 30, 2024

Mësojeni se cila është pasuria e konfiskuar nga gjykata në ‘Rastin e Pasaportave’

Më të lexuarat

Përveç dënimeve me burg e gjobë, së paku dy prej të dënuarve të rastit të “Pasaportave” u është konfiskuar edhe pasuri për të cilat gjykata ka vlerësuar se është blerë me paratë e fituara nga krimi.

Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës më 28 korrik mori njoftimin nga Gjykata e Arbitrazhit në Paris se obligohet t’i paguajë kompanisë austriake “OeSD” 5 milionë euro si pasojë e shkëputjes së njëanshme të kontratës për prodhimin e pasaportave biometrike.

Lidhur me këtë rast, Gjykata Themelore në Prishtinë më 18 dhjetor 2014 kishte dënuar 8 persona për mashtrim, ndërsa dënimi më i lartë i ishte shqiptuar Natali Veliajt – 12 vjet burg. E njëjta ishte dënuar edhe me gjobë – 25 mijë euro.

Të dënuar në këtë rasti ishin edhe Fisnik e Betim Blakaj, Ergyn Dogani, Imer Fazlija, Nazmi Thaqi, Jakup Blakqori dhe Sefedin Shala, dënimet e të cilëve më pas u zbutën nga Gjykata e Apelit.

Krahas dënimeve me burgim, Gjykata Themelore kishte konfiskuar edhe disa prona të paluajtshme të personave të përfshirë.

Personit kryesor sipas aktakuzës në këtë rast, Natali Veliajt, i ishte konfiskuar një banesë në Prishtinë me sipërfaqe 100 metra katrorë, në vlerë prej 100 mijë euro, për të cilën Prokuroria pretendon se u ble me paratë të cilat Velija nuk ia transferoi kompanisë austriake OeSD.

Banesë lidhur me këtë rast i ishte konfiskuar edhe të akuzuarit tjetër të këtij rasti, Ergyn Dogani.

Sipas Prokurorisë banesa ishte blerë me paratë e fituara nga krimi dhe ishte në vlerë afër 45 mijë euro, transmeton kallxo.com.

Doganit nga Gjykata Themelore i ishte konfiskuar edhe një restorant që ndodhet në pjesën perëndimore të stadiumit të Prishtinës me sipërfaqe prej 567 metra katrorë. Vlera e këtij restoranti konsiderohet 250 mijë euro.

Por, për dallim nga dy rastet e para të konfiskimit, të cilat u konfirmuan nga Gjykata e Apelit, në rastin e restorantit u vlerësua se nuk ishin identifikuar asetet si duhet.

Gjithashtu, përpos konfiskimeve, Gjykata Themelore i kishte obliguar të akuzuarit që proporcionalisht t’i paguajnë kompanisë austriake shumën prej 1.4 milion euro, por Gjykata e Apelit e kishte ndryshuar këtë duke i udhëzuar palët e dëmtuara që pretendimet e tyre t’i adresojnë në procedurë civile, megjithëse nuk është përcaktuar se cila është pala e dëmtuar.

Natali Velija, e dënuar me 12 vjet burgim nga Gjykata Themelore e Prishtinës për veprat penale krim i organizuar, pastrim i parave dhe mashtrim, tani është dënuar me dënim unik prej 8 vjet burgim për dy vepra penale – mashtrim dhe pastrim i parave.

Edhe të akuzuarit tjetër Fisnik Blakaj, i cili ishte dënuar me 11 vjet burgim, i është zbutur dënimi. Tani, ai do të vuajë 6 vjet burgim për veprën penale të pastrimit të parave.

Dënimet për veprën penale të pastrimit të parave u janë zbutur edhe të dënuarve të tjerë, Betim Blakaj, Ergyn Dogani, Imer Fazlija dhe Nazmi Thaqi.

Nazmi Thaqi dhe Betim Blakaj janë dënuar me nga një vit burgim, ndërsa Imer Fazlija me dy vjet, e Ergyn Dogani me pesë vjet burgim.

Jakup Blakqori dhe Sefedin Shala u shfajësuan nga vepra penale për të cilën akuzoheshin – pranim i mallrave të vjedhura.

E akuzuara kryesore në këtë rast, shtetasja gjermane, Natali Velija, më 18 dhjetor të vitit të kaluar u dënua me 12 vjet burgim dhe 25 mijë euro gjobë, ndërsa Fisnik Blakaj me 11 vjet burgim dhe shumë të njëjtë gjobë ndërsa këto dënime u zbutën më pas nga Apeli.

Të dy u ngarkuan për t’ia paguar kompanisë austriake OeSD shumën prej 1.4 milion eurove që i mungonte në llogari. Kjo kompani e kishte fituar tenderin për prodhimin e pasaportave biometrike të Kosovës.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit