Rashid al-Gannushi, lider i partisë tuniziane Lëvizja an-Nahda, deklaroi sot se Turqia meriton denjësisht lidershipin e botës islame.
Në një intervistë për “Agjencinë Anadolli” (AA), kreu i Nahdas, forcë politike kjo që dha kontribut të madh në vendosjen e regjimit demokratik në Tunizi gjatë procesit të ashtuquajtur Pranvera Arabe, cilësoi si “hipokrizi dhe oportunizëm” qëndrimin e vendeve perëndimore karshi tentativës së 15 korrikut për grusht shteti në Turqi nga organizata terroriste guleniste/struktura e shtetit paralel (FETO/PDY).
“Pritej që sistemet demokratike perëndimore të qëndronin menjëherë kundër grushtit të shteti dhe të realizonin vizita në Turqi. Perëndimi duhej të mbështeste vendosmërinë e popullit dhe ekzekutivit turk kundër puçit ushtarak, por kjo nuk ndodhi. Qëndrimet e tyre karshi grushtit të shtetit ishin mërzitshëm hipokrite, oportuniste dhe të zbehta”, tha Rashid al-Gannushi.
Ai rikujtoi se në Turqi, vend ky me një vetëdije demokratike të rrënjosur, i tërë populli dhe partitë opozitare bënë qëndresë të paparë ndonjëherë kundër puçit.
“E denjë për demokraci dhe sovranitet, Turqia meriton gjithashtu lidershipin e botës islame dhe rajonit në përgjithësi. Disa ditë më parë, miliona persona u tubuan bashkë me Presidentin Recep Tayyip Erdogan dhe me liderët e forcave politike opozitare duke shpalosur unitet kombëtar kundër grushtit të shtetit. Të gjithë ne mbetëm gojëhapur dhe admiruam tablonë e krijuar nga kjo turmë e jashtëzakonshme”, tha lideri i Lëvizjes an-Nahda duke iu referuar Mitingut të Demokracisë dhe Dëshmorëve në Yenikapi të Stambollit.
Populli turk – vijoi ai – vërtetoi përmes këtij qëndrimi se “jetojmë në epokën e demokracisë” dhe se “ka marrë fund periudha e puçeve ushtarake”.
Rashid al-Gannushi vuri në pah se tentativa për grusht shteti në një epokë demokratike shkakton regres në vend dhe kjo s’është veçse “krim dhe skandal”.
Politikani tunizian u ndal gjithashtu mbi deklaratën “Fethullah Guleni është më afër nesh sesa vena e qafës sonë”, bërë nga disa anëtarë të FETO-s.
“Ky është devijim dhe çoroditje. Deklarata në fjalë është katërçipërisht e papranueshme. Kjo është një situatë që i përket Hyjnisë. Më afër nesh sesa vena e qafës sonë është vetëm Krijuesi ynë (Kaf, 16). Emrat dhe cilësitë e Allahut nuk mund dhe s’është e lejueshme të përdoren për një njeri, që është krijesë e Tij, pavarësisht se kush mund të jetë ai”, vlerësoi Gannushi.
Më tej, lideri i Nahdas saktësoi se nuk ka dijeni rreth ndonjë kërkese të qeverisë turke në lidhje me aktivitetet e FETO-s në Turqi.
Por – siguroi Rashid al-Gannushi – nëse organet zyrtare turke paraqiten me një kërkesë të tillë, ne do t’i bëjmë thirrje ekzekutivit tunizian që të përgjigjet pozitivisht dhe të veprojë me urgjencë në këtë drejtim