-0.5 C
Pristina
Sunday, December 29, 2024

Të rinjtë kosovarë pa perspektivë, por jo të pashpresë

Më të lexuarat

Në Kosovë, pjesa më e madhe e popullatës janë të rinjë, me një mesatare prej 29,5 vjet, e që vlerësohet se është vendi me popullatën me të re në Evropë.

Mundësitë për edukim të mirëfilltë, fundi i izolimit mbeten dëshirat kryesore të të rinjve kosovarë.

Dita e Kombeve të Bashkuara për të Rinjtë, Kosovën e gjen me shumë të rinj të papunë, pa liri të lëvizjes dhe pa perspektivë, thonë vetë ata në një anketë për Radion Evropa e Lirë.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, shkalla e papunësisë tek të rinjtë është 55.9 për qind.

Naim Ramizi, mendon se rinia kosovare jeton e izoluar, pa liberalizim vizash, ndonëse siç thotë ai nuk e meriton.

“Ëndrra ime dhe e çdo të riu në Kosovë, është lëvizja e lirë në Bashkimin Evropian. Ne jemi një rini që jetojmë në geto. Veq prangat na mungojnë”.

Ndryshe, ministri i Integrimit Evropian në Qeverinë e Kosovës, Bekim Çollaku, ka thënë disa herë se pritjet e institucioneve dhe qytetarëve të vendit janë që në vitin 2016 do të udhëtojmë pa viza në shtetet e zonës Schengen.

Sipas tij , kjo nuk ka të bëjë me optimizëm apo pritje të pabazuar, por ka të bëjë me bindjen pasi është arritur të përmbushen kushtet e kërkuara dhe se do të vlerësohet pozitivisht puna serioze, nga ana e institucioneve dhe shteteve anëtare të BE-së.

Një tjetër i ri nga Prishtina, Dardan Zhegrova, në ditën e Kombeve të Bashkuara për të rinjtë, thotë se do donte që mundësitë e punësimit për të rinjtë të jenë më të mëdha.

“Ëndërra ime ëshë që të realizohen disa qëllime të miat, si ta kem një studio timen dhe të punoj. Gjithashtu të kemi lëvizje të lirë, si shumë të rinjë moshatarë në botë”.

Agnesa Neziri, studente e Fakultetit të Mjekësisë, dëshirën më të madhe e ka që t’i ofrohet një mundësi e mirë, që në një të ardhme të afërt të kryej një specialzimim jashtë Kosovës.

“Kisha dasht ta kryej specializimin diku jashtë Kosovës, pasi që studioj mjekësi”, thotë Agnesa.

Edhe Blin Murati mendon se rinia kosovare meriton mundësi më të shumta në të gjitha aspektet, pasi që tash për tash mundësitë qoftë për punësim apo lëvizje të lirë janë të kufizuara.

“Kisha dashur që Kosovën ta shoh sa më përpara. Të zhvillohet rinia dhe të jemi të lirë, ashtu siç edhe e meritojmë”.

Erëza Mati ka një dëshirë, që rinia të ketë rrugë të hapura për shkollim jashtë Kosovës.

“Personalisht mendoj se duhet të kemi mundësi për shkollim sa më të mirë”, ka thënë Erëza.

Edhe Artan Morina, 22-vjeçar, student në Fakultetin Ekonomik, shprehet i brengosur për mundësitë e pakta që ka rinia në Kosovë.

“Shumë pak mundësi kanë të rinjtë në Kosovë. Sidomos kur bëhet fjalë që të rinjtë të shëtisin në Evropë, për shkak të liberalizimit të vizave. Mendoj se shkak është edhe papunësia e madhe në Kosovë. Andaj mendoj se mundësitë që i ofron Kosova për të rinjtë, janë tejet të vogla në shumë aspekte”.

Ndryshe, Dita Ndërkombëtare e Rinisë më 12 gusht është caktuar nga Kombet e Bashkuara në vitin 1999, me miratimin e rezolutës 54/120. Ajo është menduar si një mundësi për qeveritë dhe të tjerët për të tërhequr vëmendjen për çështjet rinore në mbarë botën. /rel/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit