1.7 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Merreni seriozisht Turqinë

Më të lexuarat

Carl Bilt

Një Turqi demokratike dhe europiane mund të jetë një urë për të shtrirë reformat dhe modernitetin në botën myslimane; një Turqi e armiqësuar dhe autoritare, mund të sjellë konflikt dhe zënka në kufijtë lindorë të Europës. Ajo që ndodh në Bosfor na prek të gjithëve

Stambolli, në Turqinë perëndimore, është një nga qytetet më të mëdha të Evropës. Si Konstandinopojë, ishte kryeqyteti i perandorive romake dhe bizantine, dhe pas pushtimit dhe riemërtimit nga Mehmeti II në vitin 1453, shërbeu si kryeqyteti i Perandorisë Osmane për afro 500 vjet.

Përgjatë gjithë historisë së tij, qyteti në anën perëndimore të ngushticës së Bosforit që ndan Europën nga Azia, ka qenë epiqendra e marrëdhënieve gjeopolitike mes Perëndimit dhe Lindjes. Dhe Stamboll do të vazhdojë të luajë atë rol, duke pasur parasysh rëndësinë e marrëdhënies së Europës kryesisht të krishterë, me botën e gjerë muslimane.

Turqia vetë doli nga rrënojat e Perandorisë Osmane, dhe jeta politike turke ka qenë shpesh e trazuar, shenjuar prej vizioneve dhe aspiratave konkurruese, sukseseve dhe dështimeve. Megjithatë, gjatë dy shekujve të fundit, reformatorët që kanë kërkuar të modernizojnë Turqinë, kanë parë nga Evropa për të gjetur frymëzim.

Kjo ishte padyshim e vërtetë për presidentin e parë të Turqisë, Mustafa Kemal Ataturk, i cili vuri në zbatim reforma autoritare në vitet 1920 dhe 1930, për të laicizuar vendin; kjo ka qenë e vërtetë edhe për Recep Tayyip Erdoganin, i cili, gjatë 13 viteve të fundit, fillimisht si kryeministër i Turqisë dhe tani si president i saj, është shfaqur si një personalitet i fortë në skenën botërore.

Erdogani dhe partia e tij për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP), e kaluan dekadën e parë në pushtet duke vënë në zbatim reforma mbresëlënëse ekonomike dhe  – po, është e vërtetë – demokratike. Turqia, anëtarësimi i të cilës në Bashkimin Doganor të Bashkimit Evropian po mbështeste tashmë transformimin e saj ekonomik, iu afrua kualifikimit për anëtarësimin përfundimtar në BE – një proces që forconte motivimin e vendit për të bërë përparim në reformat demokratike. Shpresa se Turqia më në fund kishte kapërcyer historinë e saj me diktatura ushtarake, po fitonte forcë.

Megjithatë, shumë gjëra ndryshuan në vitet e fundit. Bisedimet e pranimit të Turqisë me BE-në pothuajse janë ndalur, për shkak, pjesërisht të armiqësisë ndaj Turqisë në disa vende anëtare të BE-së. Motivet prapa kësaj armiqësie janë të ndryshme, por efekti i përgjithshëm ka qenë që të “armiqësojë” shumë turq, të cilët tashmë ndihen të refuzuar nga Evropa, e cila dikur i frymëzonte. Nuk është çudi, që shumë turq tani shohin gjetkë për frymëzim dhe mundësi.

Për më tepër, situata brenda Turqisë është përkeqësuar gjatë viteve të fundit, me shoqërinë turke që është polarizuar rrezikshëm, nën tensionin e konflikteve të përshkallëzuara në Siri dhe Irak. Kërcënimet nga fraksionet militante kurde janë rishfaqur pas një armëpushimi të gjatë, dhe Shteti Islamik ka nisur një seri sulmesh terroriste në Stamboll dhe Ankara. Eshtë një dëshmi e aftësisë rimëkëmbëse të Turqisë që, edhe në kushte të tilla, sërish ka arritur të presë deri në tre milionë refugjatë.

Politika turke që nga viti 2013 ka vuajtur edhe nga një luftë civile e pamëshirshme, e heshtur dhe gjithnjë e më shkatërrimtare, ndërmjet AKP-së dhe ish-aleatëve të saj në lëvizjen gulenistëve, një komunitet islamik i udhëhequr fillimisht nga predikuesi në mërgim Fethullah Gylen, i cili tani jeton në Shtetet e Bashkuara, pranë Filadelfias.

AKP-ja dhe gylenistët ishin të bashkuar dikur, në përpjekjen për të çrrënjosur “shtetin e thellë” Kemalist – një rrjet i supozuar agjentësh anti-demokratikë, nacionalistë, të vendosurnë strukturat e sigurisë shtetërore, me një mision për të mbështetur vizionin laik të Ataturkut. Pjesë e kësaj përpjekjeje të bashkuar ishin, në vitin 2007, gjyqet e gjeneralëve të lartë turq, që bazoheshin në prova të fabrikuara – një episod që shumëkush tani pajtohet, se e futi vendin në rrugë të gabuar.

Që nga ajo kohë, ka patur papushim paralajmërime për infiltrimin e gulenistëve në forcat e policisë, gjyqësorit, dhe pjesë të ushtrisë. Kjo luftë civile e heshtur ka përkeqësuar në mënyrë të konsiderueshme zhvillimin demokratik të vendit, me qeverinë e zgjedhur që ka marrë masa më autoritare, për të reaguar ndaj kërcënimit të perceptuar të gulenistëve, për përmbysjen e saj.

Lufta e heshtur civile u bë e zhurmshme, me grushtin e dështuar të shtetit në korrik, që shumica e vëzhguesve besojnë se ishte orkestruar nga forcat guleniste, edhe pse vetë Gyleni ka mohuar çdo përfshirje. Në qoftë se grushti i shtetit do të kish patur sukses, Turqia me gjasë do të ishte zhytur në një luftë të hapur civile, me asnjë zgjidhje në horizont, dhe me shuarjen e gjithë shpresave për demokraci.

Një gjë e mirë që solli puçi i fundit është se, pas viteve të tëra ndarje, ai ka bashkuar partitë politike demokratike të Turqisë, rreth qëllimit të përbashkët të mbrojtjes së demokracisë kundër kërcënimeve të brendshme, në të ardhmen. Mungesa e ndjeshmërisë së Perëndimit ndaj Turqisë gjatë kësaj periudhe traumatike, ka qenë e habitshme; nuk mund të jetë në interesin e asnjë  vendi perëndimor, që presidenti rus Vladimir Putin, ishte i pari që u takua me Erdoganin, pas grushtit të shtetit.

Askush nuk duhet të jetë i habitur, që Turqia tani është duke u përpjekur të pastrojë gylenistët nga pozitat e pushtetit. Çdo shtet që do të përballej me kryengritje nga brenda, do të bënte të njëjtën gjë. Sigurisht, ne nuk duhet të injorojmë abuzimet menjëherë pas puçit; por ne duhet të vëmë veten në vendin e autoriteteve. Është e vështirë të dish në këtë fazë, nëse qeveria po i hedh rrjetat shumë gjerë, apo jo aq gjerë sa duhet, por gabimi në secilin drejtim, vetëm sa do të krijojë probleme të reja.

Zyrtarë të lartë turq, në një takim me Sekretarit e Përgjithshëm të Këshillit të Evropës Thorbjørn Jagland, kanë premtuar që të mbështesin sundimin e ligjit, në përputhje me anëtarësimin e Turqisë në Këshill. Në çdo rast, do të ketë mundësi për Këshillin që të adresojë abuzimet, pasi furia të ketë rënë disi.

Turqia është në një udhëkryq historik, por është ende shumë herët të thuhet se ku po shkon vendi. Nëse tendencat e mëparshme drejt polarizimit dhe autoritarizmit do të vazhdojnë, Turqia mund të arrijë në një pikë pa kthim. Por në qoftë se uniteti kombëtar, bazuar në angazhimin e përbashkët për demokraci, në fund të fundit do të mbizotërojë, klima politike e Turqisë do të përmirësohet, duke lejuar rifillimin e procesit të paqes me kurdët, reformat e mëtejshme progresive politike, dhe ringjalljen e shpresës për integrimin e ardhshëm në Evropë.

Dhe ta keni të qartë: Qëndrimi i Perëndimit ndaj Turqisë ka shumë rëndësi. Diplomatët perëndimorë duhet të rrisin angazhimin me Turqinë, për të siguruar një rezultat që reflekton vlerat demokratike dhe është i favorshëm, si për për interesat perëndimore, edhe për ato dhe turke.

Një Turqi demokratike dhe europiane mund të jetë një urë për të shtrirë reformat dhe modernitetin në botën myslimane; një Turqi e armiqësuar dhe autoritare, mund të sjellë konflikt dhe zënka në kufijtë lindorë të Europës. Ajo që ndodh në Bosfor na prek të gjithëve.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit