Autoritetet turke thonë se kanë marrë një vendim të gjykatës për të bllokuar qasjen në internet të filmit anti-islamik, që ka nxitur reagime nga myslimanët.
Urdhri i lëshuar nga gjykata të mërkurën, erdhi një ditë, pasi që kryeministri Recep Tayip Erdogan ka urdhëruar zyrtarët që të gjejnë mënyra për të parandaluar qasjen në videon “Pafajësia e Myslimanëve”, e cila ka shkaktuar përhapjen e protestave.
Ministria për Komunikime e Turqisë tha të martën se ka kërkuar nga Google Inc dhe YouTube që ta heqin videon. Dhjetëra njerëz, përfshirë ambasadorin e SHBA-së në Libi, janë vrarë në dhunën e shkaktuar në protestat kundër filmit, transmeton REL.
Erdogani ka kritikuar vendet perëndimore që nuk kanë ndërmarrë hapa për të parandaluar fyerjet ndaj vlerave islamike, por gjithashtu ka kritikuar protestat e dhunshme kundër të filmit. /Tg/kohaislame