4.5 C
Pristina
Thursday, January 9, 2025

Shkatërrohet rrjeti shqiptaro-serb

Më të lexuarat

Policia e Kosovës ka arrestuar gjashtë persona dhe ka konfiskuar gjashtë kilogramë heroinë në dy lokacione të ndara, në Prishtinë dhe Prizren.

Grupi i heroinës ka qenë i përbërë prej shqiptarëve dhe serbëve të Kosovës, të cilët përmes kanaleve të tyre kanë tentuar që drogën ta transportojnë për në shtetet perëndimore.

Në operacionin policor, i koduar me emrin “Ylberi”, policia përveç drogës ka konfiskuar edhe 50 mijë euro para kesh, armë e municion të ndryshëm.
Kapiten Bahri Shala, Drejtor i Njësitit Kundër Drogës tha se, operacioni i fundit ka qenë i përkrahur edhe nga njësitet tjera policore dhe hetimet përkitazi me këtë rast janë ende në proces e sipër.

“Kemi arrestuar 6 persona, mirëpo në kërkim policor janë edhe 2 të tjerë”, tha i pari i antidrogës. Sipas tij, droga është futur në Kosovë nga shteti fqinj, Maqedonia, ndërsa prejardhja e saj është Afganistani.
Ai tha se vlera totale e gjerave të konfiskuar është rreth 120 mijë euro.

Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, ka deklaruar se
sa herë që të ketë operacione policore, ai do të jetë i pranishëm në konferenca për t’i paraqitur sukseset.
“Këto suksese do të ndikojnë edhe në procesin e liberalizimit të vizave dhe në ngritjen e imazhit të Kosovës”, tha ministri Rexhepi. Ai përveç konfiskimit të drogës tha se jemi të interesuar të shkatërrojmë rrjete kriminale.

Ndërsa Shpend Maxhuni, Drejtori i Policisë së Kosovës, pohoi se, për dallim nga vitet e kaluara, ky vit është më i dallueshëm në luftën kundër narkotikeve.
“Nga fillimi i këtij viti, kemi shtuar kapacitetet në departamentin kundër drogës dhe tani po vërehen rezultantet konkrete”, tha drejtori i Policisë. / Valdrin Krasniqi /kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit