-1.2 C
Pristina
Tuesday, November 26, 2024

A ËSHTË I MUNDUR SKENARI SIRIAN PËR MAQEDONINË?

Më të lexuarat

Në Maqedoni është një lojë shahu, që luhet në më tepër tabela në të njëjtën kohë. Ka edhe diçka që duhet ta kemi parasysh kur e analizojmë situatën politike në Maqedoni dhe përreth. Populli shqiptar i pranon maqedonasit pa kushtëzime, kanë marrëveshje për shtet të pavarur, por nuk kanë një pajtim historik rreth rregullimit të brendshëm.

Shkruan: Rizvan Sulejmani, Shkup

Maqedonia prej më shumë se një vit të tërë gjendet në krizë. Tanimë nuk flitet vetëm për krizë politike, por edhe për krizë të sigurisë, që mund të transferohet në regjionale e gjeopolitike. Mediat, që një vit më parë qesheshin kur përmendej skenari ukrainas, tani atë e shohin si mundësi. Disa muaj më herët në një intervistë më të gjerë për  revistën “Shenja” i kisha parashikuar tre skenarë të mundshëm: skenarin evropian, atë Ukrainës dhe atë sirian.

Pas intervenimit të fundit diplomatik të Gjermanisë dhe Amerikës, me dërgim të emisarëve të vet, përsëri e shtroj këtë pyetje: pse? Pikësëpari duhet të potencoj se kriza politike, që sot duket se është futur në binare, por nuk janë tejkaluar të gjitha rreziqet, e ka gjenezën dhe historinë e vet. Ajo mori dinamikë dhe përmasa të gjera pas publikimit të të ashtuquajturave “bomba” të liderit të opozitës Zoran Zaev. Nëse parashikimet e mia të para disa kohëve për këto skenarë të errët ishin intuitive dhe bindje që buronin nga një lidhje logjike e ngjarjeve, matja e opinionit publik sikur e vërteton këtë.

Për ta shpjeguar kompleksitetin e situatës, analiza do të bëhet në tri nivele; në atë lokal, regjional dhe global. Si është situata momentale në vend? Për ta kuptuar atë, mjafton të ndiqet opinioni publik. Anketat tregojnë se ka këndvështrime të ndryshme mbi baza etnike për mundësitë e daljes nga kriza. Në pyetjen se “Si e vlerësoni rolin e faktorit ndërkombëtar, BE-së dhe SHBA-së?”, 45% e popullatës e sheh si negativ dhe vetëm 42% pozitivisht. Shikuar mbi baza etnike, nëse 72% e shqiptarëve e shohin si pozitiv, te popullata maqedonase kështu e shohin vetëm 33%, kundrejt 53% që kanë qëndrim negativ. Po ashtu edhe kredibiliteti i institucioneve të drejtësisë ka rënie. Në një notim prej 1-5 Prokuroria Speciale Publike ka notë mesatare 3.22, kurse gjykata dhe Prokuroria e Përgjithshme kanë notë mesatare të njëjtë prej 2.22. Notat më të larta për Prokurorinë Speciale Publike vijnë nga pjesa e popullatës shqiptare. Me notë më të lartë 4 dhe 5 e kanë notuar 72% e shqiptarëve dhe vetëm 42% e maqedonaseve. Për Prokurorinë e Përgjithshme të Marko Zvrlevskit, që perceptohet si e VMRO-DPMNE-së, 27% maqedonasve e vlerësojnë me notë 4 deri në 5 dhe vetëm 17% shqiptarë. Vlerësimin për tre liderët më të rëndësishëm në vend, Gruevski, Zaevi dhe Ahmeti, janë në sa vijon: mendim pozitiv në nivel vendi për Gruevskin kanë 33%, për Zaevin 30%, kurse për Ahmetin vetëm 14% e popullatës; mendim negativ për Gruevskin kanë 52%, për Zaevin 48%, kurse për Ahmetin deri me 55%. Më interesante këto qëndrime janë  kur i shikoni mbi baza etnike. Te popullata maqedonase për Gruevskin kanë qëndrim pozitiv 43%, kurse tek Zaevi vetëm 24%, ndërsa për Ahmetin 12%. Qëndrim negativ për Gruveskin te komuniteti i vet kanë 41%, ndërsa për Zaevin 55%. Maqedonasit për  Ahmetin kanë mendim negativ me 51%. Qëndrimi i popullatës shqiptare për këta liderë është pothuajse dramatik: për Ali Ahmetin vetëm 17% të shqiptarëve kanë qëndrim pozitiv, kurse negativ kanë 73%; për Zaevin 44% e shqiptarëve kanë qëndrim pozitiv dhe vetëm 28% negativ; për dallim prej tij, Gruvskin shqiptarët e shohin si negativ në 87% dhe vetëm 2% si  pozitiv.

Shqiptarët janë pa mbulesë politike. Ata nuk e shohin shpëtimin në kapacitetet e veta, por tek maqedonasit. Nga këto të dhëna, por edhe disa të dhëna të tjera që ne në këtë rast nuk i trajtojmë, shihet qartë se kontroll më të madh mbi popullatën maqedonase edhe më tutje ka Gruevski, kurse shqiptarët kanë simpati serioze për Zajevin. Më e rrezikshme për momentin është se shqiptarët nuk kanë lider të besueshëm, ngase vetëm 17% kanë besim tek Ali Ahmeti. Çka mund të konkludojmë? Tek maqedonasit çdo ditë e më tepër faktori ndërkombëtarë e humb kredibilitetin dhe me të ngushtohet hapësira e veprimit e BE-së dhe SHBA-së, ndërsa shqiptarët besojnë tek BE-ja dhe SHBA-ja, por në llogari të humbjes së besimit te liderët e vet dhe tek institucionet shtetërore.

Nëse kjo është situata në vend, të shohim si reagon regjioni në këtë rrethana! Kur e analizojmë ndikimin e rrethanave regjionale në punët e brendshme të Maqedonisë, por edhe refleksin e punëve të brendshme të këtij vendi në regjion, duhet t’i kemi parasysh disa faktorë. E para – Republika e Maqedonisë është shtet multienik, ku komuniteti i dytë më i madh, shqiptarët, nuk është një pakicë dosido. Ata përbëjnë zyrtarisht mbi 25% të popullsisë, por duhet të kemi parasysh se nuk është bërë regjistrim 14 vite me radhë. Nëse e kalkulojmë dinamikën demografike, ajo tani duhet ta tejkaloj 30%-shin. Gjithsej popullatë jomaqedonase, sipas po të njëjtës statistikë zyrtare të vitit 2002, ka mbi  36%. Nga ana tjetër, populli shqiptar është popull autokton dhe shtrihet përgjatë kufirit Kosovë-Shqipëri në mbi 200 km. Shqiptarët kanë identitet të fuqishëm, të ndërtuar me traditë e kulturë dhe tanimë i kanë tri universitet në gjuhën e tyre. Forca e tyre politike, ekonomike, pse jo edhe e sigurisë, është garanci se nuk mund të sundohet me ta as me represion dhe as me dhunë. E dyta – populli maqedonas, me mbi një milion, është i vetmi që nuk ka pakica serioze që vepron politikisht jashtë territorit të tij. Identitet i tyre ka brishtësi kulturore dhe historike, ngase në shumë segmente gërshetohet me popuj të tjerë sllavë dhe ortodoksë përreth, që mund të shihet si popull pa kërthizë. Popujt përreth tanimë i kanë definuar qëndrimet e tyre rreth këtij shteti dhe kësaj etnie. Ajo mund të definohen me sa vijon: grekët “shtet duam, maqedonas nuk duam”; bullgarët mbajnë qëndrimin “një popull, dy shtete”, kurse serbët “dy shtete, një kishë”. Kur i kemi këto parasysh, lehtë mund të konstatohet se çdo konflikt, qoftë ndëretnik, qoftë intra-etnik brenda vetë popullit maqedonas, ka reflekse tek fqinjët. Mu për këto rrethana politikbërja në Maqedoni është një lojë shahu, që luhet në më tepër tabela në të njëjtën kohë. Ka edhe diçka që duhet ta kemi parasysh kur e analizojmë situatën politike në Maqedoni dhe përreth. Populli shqiptar i pranon maqedonasit pa kushtëzime, kanë marrëveshje për shtet të pavarur, por nuk kanë një pajtim historik rreth rregullimit të brendshëm. Në nivel regjional popullit shqiptar dhe atij serb, që kanë një armiqësi historike, u gërshetohen interesat në shumë vende, por nuk kanë arritur pajtim dhe një marrëveshje se si do të bashkëjetojnë me këto sfida. Në shumë raste lufta e tyre për primat në regjion transformohet nga Tirana, Prishtina e Beogradi në Shkup. E njëjta vlen edhe për rivalitetet serbo-bullgare, greko-shqiptare dhe bullgaro-greke. Këto rrethana bëjnë që kriza politike në Maqedoni të transferohet lehtë në problem multilateral regjional. Niveli i tretë i problemeve, që kanë ndikim në këtë shtet që jeton në paqe negative ose konflikt të ngrirë, janë sfidat globale. Tanimë disa herë kisha shkruar se bota përjeton transformime marramendëse nga bota bipolare kah ajo unipolare me tendenca të multipolarizmit deri tek zero polare. Ngjarjet e fundit, duke filluar me terrorizmin, kriza financiare dhe kriza e refugjatëve, sikur i bastardojnë vlerat universale, si liria dhe drejtësia, mbi të cilën pretendohej të funksionojë rendi botëror. Këto vlera shkilen me të madhe në emër të sigurisë. Demokracia liberale çdo ditë e më tepër sfidohen me populizmat e fenomenit Putin, Erdogan dhe, tanimë, edhe Trump. Evropa ka surrogatet e tyre në personalitetet e Orbanit, Lepenit… Këto sigurisht se nuk janë njerëz të rënë nga qielli, por pasojë e krizave, që i përjeton demokracia dhe rendi i ri botëror.

Për pasojat ndaj shqiptarëve nga zgjedhja e mundshme e Trump-it për president, kisha shkruar më herët. Tani do të cekë “trampizmin” si fenomen. Pa marrë parasysh a do të bëhet ose jo Trampi president, “trampizmi” do të jetë sfidë që kërkon zgjidhje. Kjo për ne është me rëndësi, ngase SHBA-të i kemi shpallur partner strategjik. Luftimi i këtij fenomeni kujtoj se do t’i marrë energji popullit amerikan dhe do t’i mbetet pak kohë për miqtë ndërkombëtarë. Amerika përjeton përçarje dhe fragmentime të thella shoqërore, që sot pasqyrohet në figurën e dy ekstremeve, Trump dhe Sanders. Thuhet se 400 njerëzit më të pasur të Amerikës posedojnë pasuri sa tërë bruto-prodhimin vendor i Indisë – një shtet me 1.3 miliardë popullatë. Ose 20 pasanikët më të më të mëdhenj të këtij vendi posedojnë sa gjysma e popullatës amerikane, që i takojnë pjesës së ulur të shoqërisë. Llogaritet se fushatën presidenciale në këtë shtet mbi 50% e financojnë 175 kompanitë kryesore të këtij vendi. Shtrohet pyetja ku mbeti demokracia. Apo, si do të funksionojë ajo tani dhe në të ardhmen? Zgjedhja e Obamës për president liroi energji të fjetur te pakicat e margjinalizuara, si hispanikët dhe afro-amerikanët, por kjo prodhon edhe efekte anësore. Avancimi i pozitës së këtyre grupeve të margjinalizuara, përveç që e rriti mirëqenien e tyre, ajo e rriti edhe krenarinë dhe vetëbesimin. Tanimë nuk mund të vritet zezaku në rrugë pa u ballafaquar me rezistencë e protesta. Këshilltarja kryesore e sigurisë së Obamës dhe ish diplomate në Kombet e Bashkuara, një afro-amerikane e suksesshme, e ngriti çështjen e përfaqësimit të këtyre grupeve në Ministrinë e Mbrojtjes dhe të Punëve të Jashtme. Gjatë një interviste televizive në CNN, ajo e argumentoi këtë me faktin se ata përbëjnë 40% të popullatës, kurse janë të përfaqësuar me më pak se 15% në këto institucione. Nëse ndodhë kjo në vendin ku duhet të zgjidhet lideri botës, që është frymëzimi për demokracinë liberale, çka do të ndodhë me vendet tjera? Evropa është në udhëkryqin, që unë e quaj “Evropa e vogël dhe Gjermania e madhe”. Ajo me të madhe gërmohet në themelet e saja nga nacionalistët e populistët. Ministri i Drejtësisë i Gjermanisë, Haiko Maas, e krahason Partinë Nacionaliste dhe Islamofobe “Alternativa për Gjermaninë” me Putinin, Trump-in, Erdoganin. Donald Tusk, kryetari i Këshillit Evropian, i përgjigjet ish kryetarit të  Londrës, Boris Xhonsosn, kur ai BE-në e krahason me projektin e Napoleonit dhe Hitlerit; alternativa e BE-së është kaosi. Kur  ambasadori rus në emër të Ministrisë së Punëve të Jashtme të shtetit të vet bëri deklaratë publike, duke u vënë në anën e Gruevskit, ai paralajmëroi kthimin e interesit rus në regjion. Dautogllu në fjalimin e lamtumirës, kur u tërhoq prej kryetarit të partisë dhe postit kryeministër i Turqisë, në një nga pesë parimet prej të cilëve kurrë nuk do të heqë dorë ai dhe partia e tij numëroi “gjeografinë shpirtërore”, që duket se kufizohet me ish Perandorinë Osmane.

Ballkani i mbetur ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit, Jugut dhe Veriut, sfidohet seriozisht nga këto përplasje në heshtje për dominim, qoftë në aspektin  ideologjik, qoftë edhe në asketin ekonomik e politik. Në momente kur perspektiva evropiane është venitur, por për qëllime politiko-psikologjike ruhet iluzioni, liderët politikë në regjion enden nga njeri skaj në tjetrin.

Kriza e fundit politike në Maqedoni e pasqyroi në praktikë këtë realitet të ri në regjion, por edhe më gjerë në Evropë e Amerikë. Pas shpërthimit të demonstratave PRO dhe KUNDËR zgjedhjeve të 5 qershorit, u prononcuan pothuajse të gjithë kryetarët e qeverive përreth. Borisovi i Bullgarisë ishte i drejtpërdrejtë, duke u deklaruar se nuk do të kishte dashur të përshëndetet me ish kryeministrin Gruevski. Vuçiqi u vu në rolin e paternalistit, duke u dërguar porosi atërore maqedonasve nga rreziku për destabilizim të Maqedonisë. Në Serbi  me ose pa pëlqimin e tij operonte Bozhinovski, një gazetar maqedonas që shpërndante përgjime të autorizuara dhe të paautorizuara. Sipas informatave të pakonfirmuara, ai ka qenë direkt nën mbrojtjen e ministrit të policisë, socialistit Daçiq. Si kundërshpërblim i janë dhënë në posedim mbi 2000 përgjime për politikanë shqiptarë dhe afro 500 për politikanë maqedonas. Para ngjarjeve të 9 majit të 2015, Beogradi e paralajmëroi Maqedoninë për operim të grupeve të armatosura. Liderët politikë të Tiranës dhe Prishtinës janë pa ide dhe strategji. Ambasadorët Orav si përfaqësues i BE-së dhe ai amerikan, Bejli, pasi përjetuan devalvimet nga mediat pro-qeveritare. u përforcuan me përfaqësues special të ministrit të Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Johanes Hajndel, dhe me zëvendësin e ndihmësit të Sekretarit Amerikan, Hojt-Brus-Li-Ji. Karakteristikë e përbashkët e dy përfaqësuesve është se erdhën, panë dhe shkuan, por zgjidhje nuk ofruan. Erdhën ndaras dhe shkuan ndaras. Prandaj shprehim një shqetësim, jo me fakte, por nga intuita. Kemi përshtypjen se çekanët e tyre nuk rrahin në të njëjtin vend dhe nuk favorizojnë të njëjtët aktorë. Shumë aktorë, por pak faktorë. Aktorë që kanë kapacitet për të prishur, por jo faktorë për të ndrequr. Kjo e mban hapur dilemën: a është i mundur skenari sirian në Maqedoni?

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit