Kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e Veteranëve të UÇK-së, Xhevdet Qeriqi po e cilëson si shumë të madh numrin përfundimtar të veteranëve të luftës.
Ai në emisionin Zona e Debatit në Klan Kosova, u shpreh se shifra prej 46,230 veteranë të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk përkon me numrin real të atyre që luftuan.
“Nuk jam i kënaqur me këtë numër, sepse mendoj se numër shumë i madh ky prej 46,230 veteranë. Ekzistojnë listat e shtabeve të përgjithshme që tregojnë numrin e ish-ushtarëve të tyre. Kemi raportime nga bashkëluftëtarët se listat janë shumë të fryra”.
Ai madje po thotë se njeh persona të cilat kanë fituar statusin e veteranit pa e kaluar asnjë ditë të vetme në luftë.
“Njoh raste që nuk kanë qenë fare në luftë por që emri iu figuron në listën e veteranëve. E përmendëm se lufta është përkrahur në forma të ndryshme, por në këtë rast po flasim për ata që kanë qenë në vijën e frontit dhe të uniformuar. Edhe ata që kanë qenë ndihmës të luftës e kanë marrë statusin e barabartë”, ka thënë Qeriqi.