1.4 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

THASHETHEMET DHE PROPAGANDAT NË KOHË KRIZASH

Më të lexuarat

 

Pyetja: Disa autorë, e në veçanti nga ata që frekuentojnë internetin, kanë bërë shprehi që të publikojnë lajme të pakonfirmuara, gjë që për pasojë, jo rrallë, ka, në mos më shumë, edhe shqetësimin shpirtëror të muslimanëve, siç është rasti kur bëhen lutje për të rënë ndonjë shtet i muslimanëve, për t’u vrarë ndonjë udhëheqës i tyre, etj. Dhe tërë këto vijnë pa vërtetime, pa verifikime dhe konfirmime, madje në disa raste sheh këta autorë të shkruajnë në fund të artikullit: Kështu më ka arritur mua kurse unë nuk di se a është apo jo i vërtetë!

Çfarë mendoni për këtë dhe cila do të ishte këshilla juaj?

Përgjigja: Falënderimet i takojnë Allahut ndërsa përshëndetjet qofshin mbi Muhammedin, familjen, shokët dhe pasuesit e tij!

Krizat, pa dyshim, janë rastet me te volitshme për përhapjen e propagandave dhe thashethemeve. Ajo që dihet është se fetarisht kërkohet konfirmimi paraprak i lajmit, siç thotë Allahu:

” يا أيها الذين آمنوا إن جاءكم فاسق بنبأ فتبينوا أن تصيبوا قوما بجهالة فتصبحوا على ما فعلتم نادمين

O ju që keni besuar, nëse ndonjë i pandërgjegjshë m u sjell ndonjë lajm, ju shqyrtojeni mirë, ashtu që të mos e goditni ndonjë popull pa e ditur realitetin, e pastaj të pendoheni për atë që keni bërë”[1].
Allahu ka tërhequr vërejtjen shumë ashpër atyre që bartin çdo gjë që dëgjojnë. Hafs b. Asimi rrëfen se Pejgamberi, alejhi’s selam ka thënë:

” كفى بالمرء كذبا أن يحدث بكل ما سمع

Njeriut i mjafton gënjeshtër të flas çdo gjë që e dëgjon”[2].

Ebu Hurejre citon të dërguarin e Allahut të ketë thënë:

” كفى بالمرء إثما أن يحدث بكل ما سمع

Njeriut i mjafton si mëkat të flas çdo gjë që e dëgjon”[3].

Ka thënë Neveviu: Zakonisht, njeriu dëgjon të vërteta dhe të pavërteta, e nëse flet me tërë atë që dëgjon, atëherë ai gënjen ngase ka thënë atë që nuk ekziston, domethënie kjo e gënjeshtrës. Kjo edhe për faktin se një gënjeshtër nuk kushtëzohet paramendimi (thënia e qëllimshme e të pavërtetës).

Mugire b. Shu’be transmeton se Pejgamberi, alejhi’s selam ka thënë:

” إِنَّ اللَّهَ عَزَّ وَجَلَّ حَرَّمَ عَلَيْكُمْ عُقُوقَ الْأُمَّهَاتِ وَوَأْدَ الْبَنَاتِ وَمَنْعًا وَهَاتِ وَكَرِهَ لَكُمْ ثَلَاثًا قِيلَ وَقَالَ وَكَثْرَةَ السُّؤَالِ وَإِضَاعَةَ الْمَالِ

Allahu i Madhëruar ua ka ndaluar arrogancën dhe kundërshtimin e nenave, varrosjen e vajzave dhe ndalimin (e asaj që e keni obligim) e marrjen (e asaj që nuk iu takon) kurse ua ka urryer thashethemet, pyetjet e shumta dhe humbjen e pasurisë”[4].

Hafidh b. Haxheri në koment të pjesës “Ua urren thashethemet” citon Muhib Taberiun të ketë thënë: Hadithi përmban tri domethënie:

Aludim se të folurit e shumtë urrehet ngase të shpie në gabim,

Dëshira për të rrëfyer për të tjerët “Tha filani kështu e u tha kështu”. Vërejtja për këtë bëhet që të mos teprohet ose për shkak se ai për të cilin flitet urren të thuhet ajo për të, dhe

Kjo është për rrëfimin e gjerave fetare që nuk kanë mendim të njëjtë dijetarët për to, siç mund ta hasësh: Ka thënë filani kështu e filani ashtu. Aspekti i ndalimit vjen nga thënia e shumtë e tyre që me gjasë nuk mund të shpëtojë nga gabime, e në veçanti për atë që transmeton këto pa qenë paraprakisht i bindur se ajo fjalë saktësisht është prej këtij apo atij dijetari por vetëm pason ata që ka dëgjuar pa patur kujdes. Këtë, shton Ibni Haxheri, e përkrah edhe hadithi autentik:

” كَفَى بِالْمَرْءِ إِثْمًا أَنْ يُحَدِّث بِكُلِّ مَا سَمِعَ

Njeriut i mjafton mëkat që ta flet çdo gjë që dëgjon”[5].

Ebi Kilabe rrëfen se Ibni Mes’udi i kishte thënë Ebu Abdullahut ose ky i fundit i kishte thënë Ibni Mes’udit:

ما سمعت رسول الله صلى الله عليه وسلم يقول في زعموا ؟

Çfarë ke dëgjuar Pejgamberin, alejhi’s selam të thotë për ata që “pretendojnë” ? E kam dëgjuar të ketë thënë:

” بئس مطية الرجل زعموا

Sa transportuese e keqe është “Pretenduan” -u përgjigj”[6].

Domethënia e hadithit është: Sa mjet i keq është  “pretendimi” për të të çuar tek qëllimi. Ai flet për një çështje vetëm nga imitimi e jo nga fakti i verifikuar kështu që gabon dhe provohet (dëshmohet) se gënjen. Mu për këtë, paraardhësit tanë ishin shumë të kujdesshëm në verifikimin e lajmeve dhe kujdesin nga thashethemet, saqë Omeri, Allahu qoftë i kënaqur me të, pati thënë:

” إياكم والفتن فإن وقع اللسان فيها مثل وقع السيف

Keni kujdes nga sprovat ngase pozita e gjuhës në to është sikurse ajo e shpatës”.

Historia nënvizoi shumë raste të rrezikut të thashethemeve dhe ja disa shembuj nga kjo:

·        Kur sahabet migruan në Etiopi, vendi ky ku gjetën strehim dhe siguri, u përhap lajmi se kinse kurejshët e Mekkes kanë kaluar në Islam. Si shkak i kësaj propagande të rreme, disa sahabe morën rrugën për tu kthyer në Mekke, ku me të arritur panë se bëhet fjalë vetëm për propaganda. Për pasojë, përjetuan ndëshkime dhe tortura nga më të ndryshmet.

·        Kur në Betejën e Uhudit u vra Mus’ab b. Umejri, u përhap lajmi se u vra Pejgamberi, alejhi’s selam, lajmi ky që tronditi ushtrinë myslimane saqë disa ia mbathën drejt e në Medine kurse të tjerë ikën nga lufta.

·        Thashetheme rreth Aishes, nënës së besimtarëve, e cila shqetësoi pa masë Pejgamberin, alejhi’s selam.

Atëherë, cila është metodologjia e duhur përkitazi me lajmet?

Ekzistojnë parime, përshkrimin e të cilave do ta bëjmë shkurtimisht:

1. Maturia. Thotë Pejgamberi, alejhi’s selam:

” التأني من الله و العجلة من الشيطان

Maturia është prej Allahut të Madhëruar kurse ngutia është prej djallit”[7].

2. Verifikimi. Allahu thotë:

” يا أيها الذين آمنوا إن جاءكم فاسق بنبأ فتبينوا أن تصيبوا قوما بجهالة فتصبحوا على ما فعلتم نادمين

O ju që keni besuar, nëse ndonjë i pandërgjegjshë m u sjell ndonjë lajm, ju shqyrtojeni mirë, ashtu që të mos e goditni ndonjë popull pa e ditur realitetin, e pastaj të pendoheni për atë që keni bërë”[8].

Shkaku i zbritjes së këtij ajeti qëndron në atë se kur Pejgamberi, alejhi’s selame dërgoi Velid b. Ukbe b. Ebi Muitin tek Benu Mustalakët që ta marrë sadakanë (zekatin) prej tyre, ata me të dëgjuar lajmin u gëzuan shumë dhe dolën ta prisnin…Kur Velidi mori lajmin, mendoi se ata kanë refuzuar kështu që u kthye nga rruga dhe i tha Pejgamberit, alejhi’s selam se ata kanë refuzuar dhënien e zekatit. Pejgamberi, alejhi’s selam u hidhërua shumë saqë mendoi edhe për luftë por duke qenë në këtë gjendje i erdhi delegacioni i tyre, të cilët thanë: O i dërguari i Allahut! Jemi informuar se i dërguari yt është kthyer nga mesi i rrugës dhe ne patëm frikë se mos e ka kthyer ndonjë shkresë e jotja për shkak të ndonjë hidhërimi ndaj nesh. Ne kërkojmë mbrojtje tek Allahu nga hidhërimi i Allahut dhe të dërguarit të Tij! Allahu arsyetimin dhe justifikimin e rastit të tyre e shpalli në ajetin, që përmendëm[9].

Hasan Basriu ka thënë: المؤمن وقاف حتى يتبين  Besimtari është i ndaluar (i matur shumë) derisa ta verifikojë (rastin).

Si këshillë e fundit do të ishte që të mos ngutemi por më parë të verifikojmë lajmet, madje qofshin edhe të mira ato, ndryshe, nëse del e kundërta, statuti i tij (transmetuesit) bie shumë poshtë tek njerëzit…

Allahu na dhëntë sukses për atë që Ai do dhe ka dëshirë!

Përshtati: Sedat Islami

——————————————————————————–

[1] El Huxhurat, 6.

[2] Muslimi.

[3] Es Silsiletu’s sahihah, 2025.

[4] Buhariu dhe Muslimi.

[5] Muslimi.

[6] Es Silsieltu’s sahihah, 866.

[7] Es Silsiletu’s sahihah, 1795.

[8] El Huxhurat, 6.

[9] Es Slsiletu’s sahihah, 3085.

sedatislami.wordpress.com

 

 

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit