Komisioni për Buxhet dhe Financa, në mbledhjen e sotme, të cilën e kryesoi kryetari i komisionit, Naser Osmani, shqyrtoi një varg projektligjesh, si dhe Raportin financiar vjetor të Buxhetit të Kosovës për vitin 2015.
Fillimisht është shqyrtuar dhe përkrahur në parim Projektligji për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimin e financimit të terrorizmit.
Pas kësaj, Komisioni shqyrtoi Raportin financiar vjetor të Buxhetit të Kosovës për vitin 2015, të cilin para Komisionit e paraqiti zëvendësministri i Financave Agim Krasniqi.
Duke iu referuar të dhënave statistikore të Ministrisë së Financave lidhur me të hyrat dhe shpenzimet në nivel vendi për vitin e kaluar, zv. ministri Krasniqi, me këtë rast tha: “Plani vjetor i pranimit të të hyrave për vitin 2015 ka qenë, 1 miliardë e 700 milionë e 50.681 mijë euro, ndërkaq, plani vjetor i pagesave ka qenë 1 miliardë e 722 milionë e 138 mijë euro”.
Më pas, komisioni e përkrahu këtë Raport, i cili do të procedohet tutje për shqyrtim edhe në mbledhje plenare.
U shqyrtua dhe u përkrah më pas Projektligji për investimet strate gjike në Kosovë ndërkaq janë shqyrtuar edhe një pako projektligjesh nga fusha e energjisë, siç janë: Projektligji për Rregullatorin e Energjisë, Projektligji për Energjinë, Projektligji për Energjinë Elektrike dhe Projektligji për Gazin Natyror.
Po ashtu, komisioni përkrahu edhe Projektligjin për Falimentimin, ndërkaq, ka shtyrë për një nga mbledhjet e radhës shqyrtimin e Kërkesës së zëvendës Auditorit të Përgjithshëm për caktimin e pagës për Auditorin e Përgjithshëm të Kosovës.kohaislame