2.6 C
Pristina
Monday, November 18, 2024

Intervistë/ Kim Mehmeti: Heronjtë e vërtetë të protestës janë 30 mijë protestuesit shqiptarë

Më të lexuarat

Intervistoi: Xhevdet Pozhari

Data 9 Maj 2016 do të mbahet në mend si dita kur shqiptarët e Maqedonisë vendosën si kurrë më parë t’i kundërvihen përbuzjes, nëpërkëmbjes, mospërfaqësimit dinjitoz në institucionet qeveritare dhe pabarazisë në këtë shtet ku tentohen të zhduken gjurmët shqiptare. Rrugët e Shkupit u vërshuan nga protestuesit në Marshin Protestues më të madh të organizuar deri më tani.

Portali Saktë.net sjellë intervistën ekskluzive me një prej përfaqësuesve të Këshillit Opozitar që ishte organizator i Marshit Protestues që do të njihet si “Dita D” kur shqiptarët protestuan për dinjitet, drejtësi dhe demokraci pikërisht me rastin e Ditës së Evropës.

Sakte.net: Zotëri Mehmeti, dje me 9 Maj, në Shkup, Këshilli Opozitar, i cili kryesisht identifikohet nëpërmjet jush,  organizoi  një protestë madhështore dhe thuajse të pa ndodhur deri më tani në kryeqytetin e Maqedonisë? Cili ishte qëllimi i kësaj proteste dhe a konsideroni se është përmbushur ai qëllim?
Kim Mehmeti: Me këtë  protestë donim të kumtojmë atë që prej moti e dimë, por që shumë të tjerë shtireshin se nuk e dinë: se zëri i shqiptarëve të Maqedonisë është krejt ndryshe nga ai i vasalëve shqiptarë që u shërbejnë qarqeve policore dhe politike maqedonas! Madje këtë donim t’ia kumtonim edhe Tiranës dhe Prishtinës zyrtare, sa mos të thonë nesër se nuk e kanë ditur se prej moti, BDI-ja dhe PDSH-ja, nuk janë parti që përfaqësojnë interesin e shqiptarëve të Maqedonisë, po r se ato janë ‘sekte’, që merren me interesat e nëntokës politike maqedonase, e cila nëntokë i kontrollon këto parti. Besoj se zëri që u dëgjua në këto protesta ishte i kuptueshëm dhe i saktë.

Sakte. Net: Në fjalën tuaj në këtë protestë thatë se doni një Maqedoni ndryshe nga kjo e tanishmja, nga kjo e sotmja që nuk di të mendojë e të flasë shqip? Mendoni se është e mundur një Maqedoni e tillë?

Kim Mehmeti: duke qenë se zëri i protestës së djeshme ishte zëri i vërtet i shqiptarëve të Maqedonisë, duhej qartë thënë kësaj Maqedonie  se ajo nuk ia del të qëndrojë në këmbë ngaqë  i mungon shtylla shqiptare e shtetbërjes.  Dhe ne duhej t’ia rikujtonim kësaj Maqedonie  se ajo do kalbet nëse nuk dalin nga burgjet shqiptarët tanë të pafajshëm, të dënuar nëpër procese të montuara gjyqësore si dhe t’ia themi të vërtetën se  edhe ne jemi si të gjithë popujt tjerë dhe, jo se në radhët tona nuk ka hajdut e kriminel që duhet të përfundojnë në burg, por disa nga ata janë  pjesë e regjimit  VMRO-BDI.

Sakte.net: Në protestën e djeshme erdhën edhe shumë mysafir nga diaspora dhe nga trevat tjera shqiptare, mes të cilëve edhe Albin Kurti? Ishit të informuar për pjesëmarrjen e tij në protestë?

Kim Mehmeti: Nuk e dija se Albin Kurti do të vijë, po paraditen e 9 Majit m’u lajmërua se kthehet nga Norvegjia dhe që dëshiron të shihemi! Takimet me miku  tim Albin Kurti gjithmonë i mirëpres, por asaj dite nuk arrita ta takoj ngaqë isha i zënë me protestën.  Më informuan se edhe ai ka marrë pjesë në protestë, për çka e falënderoj. Madje miqve të mi, sa për të qeshur, u thash:  e çka prisnit ju, mos vallë donit që të mos e shfrytëzoj rastin e të mos merr pjesë  në protesta një protestues “profesionist” siç është  Albin Kurti. Madje, për ta vazhduar në këtë frymë, do thosha: shpresoj që si organizator të këtyre  protestave, ne ta kemi dhënë provimin përpara një eksperti  për organizim protestash, siç është miku im Albin Kurti.

Sakte.net: Ju përkrahën edhe partitë tjera opozitare shqiptare në Maqedoni? Si e vlerësoni këtë akt të tyre?

Kim Mehmeti: Kuptohet se partive opozitare UNITETIT dhe RDK-së së Fadil Zendelit, si edhe gjithë të tjerëve që na përkrahën, u jam mirënjohës që me mbështetjen që na ofruan, na ndihmuan t’i përballim me lehtë sulmet e atyre që nuk donin të dëgjohet zëri i vërtet i shqiptarëve të Maqedonisë.  Njësoj siç  u jam mirënjohës dhe dy partive që janë pjesë e këtij Këshilli: Lëvizjes Besa dhe PPD-së! Por , heronj të  vërtet të protestës së  9 Majit, ishin ata rreth 30 mijë protestues, kryesisht të rinj, të cilët e dridhen Shkupin, e jo ne që i organizuam ato dhe më së paku, jo ne që shfrytëzuam foltoren. Sa vlejmë, dhe sa do vlenim ne, pa atë vrull rinorë!? Andaj ata e morën me vete  heroizmin që u takonte  dhe me dinjitet dhe krenari u shpërndan, duke mos shkelur asnjë lule nëpër bulevardet e Shkupit. Ata u shpërndan dhe lanë pas vetes porosinë e qartë: se nuk ia vlen të bashkosh parti, nëse  nuk dinë ta bashkosh popullin dhe se, nëse Maqedonia  bëhet  e shurdhër ndaj zërit të tyre, nëse ky shtet nuk e lexon drejt porosinë që ia përcolli rinia shqiptare,  Maqedonia rrezikon që një ditë ta dëgjojë ushtimën  shkatërrimtare të mllefit të kësaj rinie. /Saktë.net

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit