4 C
Pristina
Wednesday, November 27, 2024

Der Standard: Veriu-sfida kryesore ndërmjet Kosovës e Serbisë

Më të lexuarat

Problemi i veriut të Kosovës mbetet sfida kryesore në përmirësimin e raporteve ndërmjet Prishtinës e Beogradit, vlerëson në një shkrim të sajin e përditshmja austriake Der Standard.

Gazeta vlerëson se problemi i veriut nuk po trajtohet si duhet nga asnjëra palë, ndërsa flet për ekzistimin e një paqartësie në qeverinë e udhëhequr nga presidenti, Tomisllav Nikoliq, rreth kësaj çështje.

“Prishtina është e interesuar për një zgjidhje…Qeveria e re në Beograd, e udhëhequr nga Partia Përparimtare Serbe e presidentit, Tomisllav Nikoliq, e cila tani duhet të gjejë zgjidhje në vend se ta luajë rolin e opozitës, duket se nuk e ka të qartë se cilën strategji duhet ta ndjekë”, thuhet në shkrimin e së përditshmes austriake, transmeton REL.

Gazeta thekson se, pas zhvillimit të dialogut njëvjeçar të tyre, marrëdhëniet ndërmjet Republikës së re dhe Serbisë mund të krahasohen me gjendjen aktuale në pikën kufitare në Merdarë.

“Ato janë përplot kujdes, mund të thuhet edhe mosbesim. Komunikimi është pafundësisht i mundimshëm. Të dyja palët ia vështirësojnë punët vetës, por është kuptuar, se duhet të jetohet së bashku, meqë ato tani janë fqinjë dhe do të mbesin të tillë”, vlerëson Der Standard.

Prishtina dhe Beogradi kishin nisur dialogun teknik të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian në mars të vitit 2011.

Pas nëntë raundeve dhe gjithsej shtatë marrëveshjeve të arritura, dialogu ishte ndërprerë për shkak të zgjedhjeve të përgjithshme në Serbi, ndërsa thuhej se do të vazhdonte pas krijimit të qeverisë së re në Beograd.

Megjithatë, deri më tani, nuk është dhënë ndonjë sinjal nga BE-ja, si ndërmjetësuese e deritashme për vazhdimin e dialogut apo shndërrimin e tij në një dialog të tërësishëm politik me temë boshte veriun e Kosovës.

Prishtina insiston në zbatimin e marrëveshjeve të deritashme për vazhdimin e dialogut, ndërsa kundërshton bisedimet për statusin e veriut dhe integritetin territorial të vendit.

Qeveria e re në Serbi, ndërkaq, ishte inauguruar me zotimin se për respektimin e kushtetutës dhe ligjeve dhe për “përgjegjësi dhe përkushtim dhe se do të angazhohem për ruajtjen e Kosovës brenda Republikës së Serbisë”/koha/kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit