1.5 C
Pristina
Saturday, November 16, 2024

A PËRMBAJNË ELEMENTE TË IDHUJTARISË CEREMONITË E HAXHXHIT?

Më të lexuarat

Dr. Mustafa Mahmud

A PËRMBAJNË ELEMENTE
TË IDHUJTARISË CEREMONITË
E HAXHXHIT?

Miku tha, duke i fërkuar duart nga gëzimi, i buzëqeshur me dinakëri, ashtu që iu dukën dhëmballët, ndërsa sytë i shkëlqyen me një shkëlqim i cili mund të vërehet në fytyrën e boksierit në momentin kur përgatitet ta nokautojë kundërshtarin:

– A nuk vëren bashkë me mua se ceremonitë e haxhxhit te ju janë thjesht idhujtari… ajo ndërtesë prej guri të cilën e quani Qa’be, për të cilën fërkoheni dhe rreth së cilës silleni, pastaj gjuajtja e djallit me gurë, vrapimi ndërmjet Safa-së dhe Merves, puthja e Haxherul-Esvedit (Gurit të zi), tregimi për shtatë sjelljet – Tavafi, shtatë gjuajtjet me gur dhe shtatë vrapimet, të gjitha këto janë mbeturina të tregimeve për numrat magjikë të cilët përmenden në tregimet pa vlerë, pastaj ihramët (mbulesat) të cilët i vishni në trupin e zhveshur… më fal nëse të kam ofenduar me këtë sinqeritet sepse në shkencë nuk ka turp. Dhe miku filloi ngadalë ta lëshojë tymin e cigares së tij, duke më përcjellë nën syzet e tij.

I thashë plotësisht në mënyrë të qetë:
– A nuk e vëren edhe ti bashkë me mua se sipas ligjeve të materies, të cilat i ke studiuar, pjesët e vogla sillen rreth të mëdhave. E shohim, p.sh. se elektroni në atom sillet rreth bërthamës, Hëna sillet rreth Tokës, Toka rreth Diellit, Dielli rreth Galaktikës, Galaktika rreth Gjithësisë së madhe, kështu gjersa të arrijmë deri te “Më i Madhi Absolut” e ai është All-llahu xh.sh.. A nuk themi:
“All-llahu ekber” – All-llahu është më i madhi. Dhe kështu, sipas ligjit tënd shkencor, rreth Tij, si më i madhi, domosdo duhet gjithçka të sillet. Edhe ti në këtë moment sillesh rreth Tij në kuadër të sistemit tënd diellor përkundër dëshirës tënde dhe nuk të mbetet asgjë tjetër pos të sillesh. Nuk ka në mbarë gjithësinë asgjë të pandryshueshme përveç All-llahut xh.sh. i cili si i tillë është i Pakufizuar, Absolut dhe i Përhershëm. Çdo gjë sillet rreth Tij. Ky është ligji i raportit ndërmjet të voglit dhe më të madhit të cilin e ke mësuar në fizikë.
Ndërsa, sa na përket neve, vullnetarisht sillemi rreth Bejtull-llahut (Qa’bes), ndërtesës së parë të cilën njeriu e ka marrë që në te ta adhurojë All-llahun. Ajo, si faltore e parë në historinë e njerëzimit, është bërë simbol dhe shtëpi e Zotit. A nuk ka në këtë botë raste kur vizitohet dikush që ka vdekur dhe kur vizita e tij arsyetohet me atë se i ka kontribuar njerëzimit. Përveç kësaj, ka shumë personalitete të shquara varrezat e të cilëve nuk dihen, e të cilat mesiguri do të vizitoheshin po të diheshin. Pastaj ka shumë raste kur në varrezat e trimave të panjohur rregullisht vihen kurora. Atëherë, përse na e shihni për të madhe që ne gjuajmë guraleca në përmendoren simbolike për të cilën themi se e simbolizon djallin. A thua nuk po jeton në vrap dhe nxitim prej lindjes e deri në vdekje, e pas vdekjes tënde djali yt do ta rifillojë vrapin; ai vrapim, në të vërtetë është simbolik i cili fillon prej Safa-së e cila fjalë do të thotë pastërti, zbrazëtirë, shkretëtirë, e që gjithë kjo është simbol i mosekzistimit, e deri në Merve – vetë emri i së cilës tregon burimin i cili e simbolizon jetën dhe ekzistencën. A nuk është kjo, në realitet, vrapim prej mosekzistimit në ekzistim, pastaj prej ekzistimit nga mosekzistimi… dhe a nuk është kjo lëvizje e domosdoshme e të gjitha krijesave. Pas gjithë kësaj, në ceremonitë e haxhxhit a nuk po e sheh rezymenë simbolike të të gjitha këtyre sekreteve.

Sa i përket numrit shtatë (vërejtëm se disa ceremoni të haxhxhit kryhen nga shtatë herë) të cilin ti e përqesh, më lejo, që para se ta zbuloj sekretin e tij, t’i shtroj disa pyetje. A mund të më thuash ti ku qëndron sekreti që numri i notave muzikore kryhet me numrin shtatë: sol, la, si, do, re, mi, fa? Numri i shkallëve të spektrit të dritës është po ashtu shtatë, sikur që edhe elektronet sillen rreth bërthamës së atomit në shtatë shtigje. Deri te formimi i plotë i foshnjes në barkun e nënës vjen në muajin e shtatë dhe nëse ajo lindet para kësaj, zakonisht (foshnja) vdes. Te të gjithë popujt në botë java ka shtatë ditë, edhe pse nuk ka pasur kurrfarë marrëveshjesh rreth këtij numri. E gjithë kjo a nuk na flet se numri shtatë, megjithatë, ka njëfarë sekreti të vet. Apo të gjitha këto gjëra janë konfuzion sharlatan.
A nuk të ndodhë që ta puthësh letrën e marrë prej të dashurës. Vetëm për këtë a do të jeshë idhujtar? Përse atëherë neve na gjykon, vetëm pse e puthim Haxheru-l-Esvedin të cilin Muhammedi a.s. e ka bartur në petkun e tij dhe e ka puthur. S’ka këtu asgjë idhujtare. Ne gjatë kryerjes së ceremonive fetare nuk i drejtohemi drejtpëdrejt gurit, po hulumtojmë kuptimet e thella, simbolet dhe kujtimet në të cilat ai përkujton.
Ceremonitë e haxhxhit, nga ana tjetër, paraqesin raste të jashtëzakonshme për aktivizimin e mendimeve, për ringjalljen e ndjenjave dhe thellimin e devotshmërisë në zemrën e njeriut.
Ndërsa, sa i përket ihramit të cilin e mbajnë haxhilerët gjatë kryerjes së haxhxhit, e të cilët nuk guxojnë të jenë të qepur, ata, në realitet simbolizojnë heqjen dorë nga zbukurimet e kësaj bote dhe çlirimin e plotë të njeriut, i cili si i tillë i nënshtrohet vetëm All-llahut të Gjithëfuqishëm. Njeriu edhe vjen në këtë botë i mbështjellur, shkon prej kësaj bote i mbështjellur dhe në varr lëshohet i mbështjellur. Për të gjitha këto ihramët janë simbole. A nuk sheh se si kërkon protokolli që në pranimet solemne duhet patjetër të jeshë në rroba solemne dhe nëse sillesh ndryshe do të shkelen rregullat e mirësjelljes.

– Ne themi: Vetëm para madhërisë së All-llahut xh.sh. bien të gjitha zbukurimet dhe hedhen të gjitha stolitë e kësaj bote. I vetmi All-llahu xh.sh. meriton që njeriu plotësisht t’i jetë i bindur dhe i dëgjueshëm. Përveç kësaj ihramët – ato petka modeste – të cilat gjatë kohës së haxhxhit i mbajnë të gjithë pa dallim: të pasurit dhe të varfërit, edhe maharaxha edhe milioneri, sepse të gjithë njerëzit para Zotit janë të barabartë, demonstrojnë vëllazërimin e të gjithë njerëzve pa marrë parasysh dallimet sipas pozitave dhe pasurisë. Haxhxhi te ne është tubim i madh dhe kongres vjetor i muslimanëve të mbarë botës. Namazi i Xhumasë është kongres javor. Të gjitha këto janë mësime të bukura dhe mendime me kuptime të thella për çdonjërin që mendon dhe gjykon. Në të gjitha këto nuk ka asgjë prej tipareve të idhujtarisë. Po të qëndroje ti njëherë me mua në Arefat në momentin kur disa miliona njerëz shqiptojnë: All- lahu është më i madhi, lexojnë Kur’an në disa dhjetëra gjuhë, brohorisin “Të përgjigjemi (në thirrje) Ty o Zot!”, qajnë dhe digjen nga dëshira e zjarrtë dhe entuziazmi, mesiguri edhe ti do të qaje nga gëzimi dhe entuziazmi që të është dhënë ai rast i veçantë, që në atë masë shumë të madhe të gjendesh në atë vend të ndershëm kur para All-llahut të Gjithëfuqishëm bien të gjitha forcat dhe bukuritë e kësaj bote, para Sunduesit absolut i cili i qeverisë të gjitha dhe në pushtetin e të cilit është çdo gjë.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit