2.6 C
Pristina
Tuesday, November 19, 2024

Dialog për shkak të besimeve…

Më të lexuarat

Dr. Salahudin Ahmed Keftaro

Islami në natyrën e tij e njeh Hebraizmin dhe Krishtërimin, sikurse e pranon se popuj të ndryshëm e përqafuan idhujtarinë, besimin në yje dhe besime të tjera pa fund.

Dhe, meqenëse qëllimi i Islamit është udhëzimi i popujve dhe kombeve, mjeti i tij në këtë drejtim është dialogu i vazhdueshëm me krejt popujt e botës, duke mos detyruar njeri të përqafojë Islamin, si dhe duke mos i bërë presion dikujt për të lënë fenë dhe besimin e tij. Ai, thjeshtë shpjegon rrugën e udhëzimit drejt Teuhidit (Njësimit) të Një Zoti të vetëm!

Dhe për hir të vërtetës, dialogu për shkak të besimeve do të thotë sqarim i dhjetra çështjeve, të deformuara nga rrënjët e tyre. Atëherë, përse popujt nuk dialogojnë, që besimet të mos ngelen të mbyllura ose të kufizuara në mesin e njerëzve dhe gjeografisë? Ndërkohë, muslimanët që besojnë në All-llahun Një, e kuptojnë krejt mirë se ka një përgjegjësi të madhe fetare, që bie mbi supet e tyre, për të nxjerrë njerëzit nga errësirat në dritë!

Dhe, nëse duam ta përkufizojmë dialogun në mes Islamit, nga njëra anë dhe, Hebraizmit dhe Krishtërimit nga ana tjetër, (duke marrë parasysh se dy të fundit janë në kontakt të drejtëpërdrejtë me Islamin), duhet domosdoshmërisht që njeriu, cilido njeri, të mundohet për ngritjen e urave fetare, në mënyrë që të gjithë të mbërrijnë tek emëruesit e përbashkët, sado që përfaqësuesit e të treja feve thonë se ka Një Zot të vetëm dhe besojnë në misionet profetike.

Gjendja e botës sot, është bërë tragjike, për shkak të luftrave që nxiten nga forcat e kolonializmit të ri amerikan e zion, dhe aleatët e tyre. Popujt sot, janë nevojtarë, si kurrë më parë për hapjen e dialogut fetar, kulturor e civilizues, se mos kthehet në derë komunikimi për të arritur në bindje të përbashkëta se feja i kundërvihet dhe i bën rezistencë luftrave, vrasjeve dhe krimeve në masë. Se mos, disa popuj çlirohen nga komplekset e egoizmit, racizmit dhe idesë së mbizotërimit!?

Islami i ka hapur dyert e tij ndaj Ehli-Kitabëve (pasuesve të Librave të Shenjtë), që nga koha e zbritjes së Kur’anit. Madje i ka ftuar ata drejt një fjale të vetme, të mos adhurojmë dikë tjetër, pos All-llahut dhe që njerëzit të mos adhurojnë njëri-tjetrin si zotra, përveç All-llahut. Ajetet kur’anore, përherë i drejtohen atyre me shprehjen: “Ja Ehlel-Kitab” – (O pasues të Librit), që konsiderohet ndër shprehjet më të holla e më të bukura, që argumentojnë humanizmin e Islamit dhe respektimin e tij ndaj pasuesve të besimeve të tjera!

Prandaj, dialogu konsiderohet si bazament, prej bazamenteve të rëndësishme drejt kthimit tek thelbi i besimeve dhe mosdevijimi nga ajo që All-llahu i ka shpallur të dërguarve të Tij dhe, veçanërisht Musait dhe Isait, mbi të dy qoftë paqja dhe bekimet e Tij!

Dialogu, hap para të gjithëve horizontet e korrigjimit dhe mosqëndrimit nën pushtetin e klerikëve, të cilët janë përpjekur (dhe vazhdojnë) për devijimin e feve nga thelbi i tyre dhe nga rruga e tyre e vjetër, që shtruan të dërguarit e Zotit. Përse injoranca të dominojë mbi mendjet dhe shpirtrat e njerëzve? Përse të mos hapen dyert e dialogut për korrigjimin e gabimeve? Përse të mos mbështetemi të gjithë tek logjika e kthjellët, që mbështetet mbi besimin e vërtetë, mbi historinë e vërtetë, mbi gjeografinë fetare të vërtetë?

Ne besojmë se grumbullimi i gabimeve besimore tek pasuesit e besimeve është rezultat i prerë i mosdialogimit dhe komunikimit intelektual dhe fetar në mes të bijve të krejt feve. Ndoshta, koha e jonë, që ka tejkaluar krejt kohrat e mëparshme me teknologji dhe mjete komunikimi, ka me të vërtetë nevojë për një hapje fetare, jo fanatike, në vend të grumbullimit të tensioneve të kota, distancuese nga tjetri që ka përqafuar një besim të ndryshëm!

Dhe, nëse njerëzimi sot, është sprovuar me njerëz që prishin besimet, mendjet dhe politikat, ai nuk duhet të bëjë gjë tjetër veçse ta ndalojë këtë sprovë nga ekzistenca dhe të kontrollojë mendjet e bijve të popujve dhe ndërgjegjet e tyre!

Të shohim, fjala bie, atë që ka shkruar Selman Rushdiu, i cili, nëpërmjet librit të tij: “Versete satanike”, ka sharë dhe fyer Islamin dhe profetin e tij (a.s).

Ky shkrimtar është nderuar nga mbretëresha e Britanisë, duke iu dhënë titulli “Kalorës”, (ndër më të lartit tituj në Britani). Nëse perëndimi do ta kuptonte vërtetë domethënien e fjalës “dialog fetar”, do të duhej më së paku të ndalohej nga nderimi i një personi që ka fyer 1 miliard e gjysëm muslimanë, në mos ta dënonte a ta akuzonte për nxitjen e urrejtjes fetare dhe fyerjen e të dërguar e të Zotit!? (Nderimi i shkrimtarit renegat (murted) Selman Rushdi ka ndodhur, më 20.6.2007)

Ajo që dua të them është, se ne, kur flasim për dialogun fetar, jemi shumë të kujdesshëm, si muslimanë, që popujt të mbërrijnë tek respektimi i çdo njeriu; mendimit dhe besimit të tij. Sepse, në fund të fundit, qëllimi është të mbizotërojë mirëkuptimi dhe komunikimi në mesin e mbarë njerëzve!

Ndoshta, problemi që qëndron si pengesë përballë këtij dialogu, është se disa grupe në perëndim nuk e duan paqtimin me besimet, as paqtimin me historinë fetare të popujve. Këto grupe gjykojnë se interesi i tyre qëndron tek vazhdimësia e përplasjes në mes të Islamit dhe të tjerëve, sepse ata nuk mendojnë gjë tjetër veçse për tregëtinë e armëve, informacionin, zhvatjen e pasurive të popujve, shtypjen dhe tiraninë ndaj tyre!

Ata janë, që sot mbështesin teorinë e lëvizjes zioniste dhe terminologjinë e saj devijuese. Ata janë, që kanë prodhuar termin “terrorizëm islamik”, të cilin e ka përvetësuar filozofia perëndimore, saqë krejt rrjetet e informacionit, (të shkruara, të lexuara, të shikuara e të dëgjuara), hanë e pijnë mbi këtë term të çuditshëm!

Ata e dijnë krejt mirë se Islami nuk është fé e terrorizmit, dhe se nuk ka fé terroriste, por e vërteta është se filozofia perëndimore është ajo që e ka krijuar këtë terrorizëm dhe ajo është që ia ekspozon mjeteve të informimit!

Sidoqoftë, njohja e jonë e këtij perëndimi, na obligon të njohim mirë edhe udhëheqësit racistë dhe fanatikë! Por, lëvizja e thirrjes drejt dialogut ndërtues me ato popuj të mashtruar dhe të gënjyer, nuk do të ndalet kurrë! Dhe, e gjithë kjo, me qëllim arritjen tek thelbi i besimeve dhe vërtetësia e feve, të cilën shumëkush prej udhëheqësve të perëndimit, mendimtarëve dhe drejtuesve politikë, e injorojnë..!?

Nga libri me titull:
“Metodologjia e dialogut në këndvështrimin islam”,
i Dr. Salahudin Ahmed Keftaro, botimi i parë, Damask, 2009.

Përktheu nga arabishtja dhe përshtati në shqip,
Muhamed B. Sytari

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit