Politikanë dhe ish-udhëheqës të forcave policore e ushtarake serbe që dyshohen për krime ndaj civilëve shqiptarë në vitet 1998-1999, po rikthehen në Kosovë, pa i penguar askush. Disa me leje e të tjerë pa leje, Kosovën e kanë shndërruar në poligon të fushatave elektorale e politike. Derisa pushtetit nuk i bëjnë përshtypje këto vizita, opozita dhe analistët politikë i konsiderojnë cenim të integritetit të vendit
Ish-gjeneralët serbë dhe drejtuesit e dikurshëm të institucioneve të dhunshme serbe po hyjnë e po dalin nga Kosova pa i “parë” askush.
Dikush me leje të Qeverisë së Kosovës e disa të tjerë edhe pa të, po rikthehen për të parë atë që kishin djegur 17 vjet më parë, e po ashtu për t’i vizituar vendet ku janë varrosur të vrarët nga urdhrat e tyre.
I fundit nga ta ishte gjenerali famëkeq Millovan Bojoviq, i cili mbahet mend nga shqiptarët e rajonit të Llapit, si urdhërdhënësi për vrasjen e qindra shqiptarëve, djegien e mijëra shtëpive shpërnguljen e mijëra të tjerëve.
Në vitet ’98-‘99, Bojoviq ishte gjeneral i ushtrisë jugosllave dhe njëri nga miqtë më të ngushtë të “Kasapit të Ballkanit”, Sllobodan Millosheviq.
Nga forcat serbe në rajonin e Llapit u vranë 499 shqiptarë.
Ai hyri e doli nga Kosova sikurse edhe disa gjeneralë të tjerë, përshirë edhe Lubisha Dikoviq, shefi i ushtrisë serbe dhe shumë të tjerë.