2.5 C
Pristina
Tuesday, December 24, 2024

Faik Luli, i përkushtuar në shërbim të fesë dhe gjuhes shqipe.

Më të lexuarat

Faik Luli, i përkushtuar në shërbim të fesë dhe gjuhes shqipe.

nga

Islam Dizdari

Faik Luli ishte mësuesi i palodhur, pedagogu dhe didakti i shquar, studiuesi dhe autori i shumë veprave shkencore, besimtari dhe njeriu i devotshëm.
——————————————————————————–

Me krijimin e Bashkësisë Islame të Shqipërisë menjëherë pas fillimeve të demokracisë një grup intelektualësh të Shkodrës bashkëpunuan ngushtë me Myftininë e këtij rrethi dhe me Komunitetin Musliman duke ndihmuar me të gjitha aftësitë e tyre për rimëkëmbjen dhe funksionimim normal të këtyre institucioneve. Kjo punë u forcua sidomos me ngritjen e Medresesë “Haxhi Sheh Shamia” dhe me fillimin e veprimtarive kulturore dhe përkujtimore të figurave të shquara të fesë islame në Shkodër. Faik Luli është pjesëtar i të gjitha veprimtarive që organizoi Myftinia e Shkodrës e kryesuar nga Haxhi Faik Hoxha, kryesisht i atyre veprimtarive që lidheshin me botimet, me edukatën dhe me traditat e trashëgiminë kulturore islame në trevën e Shkodrës dhe më gjerë. Tashmë ai me vullnet dhe këmbëngulje shëmbullore bëhet një autoritet i shquar në fushën e studimeve dhe të botimeve. Janë një varg veprimtarish që e provojnë këtë. Mes të tjerash po përmendim të gjithë punën për dekorimin e dijetarëve dhe hoxhallarëve të shquar të Shkodrës. U bënë të gjitha propozimet, u miratuan në Myftini dhe u prit miratimi i Presidentit të Republikës. Natyrisht si gjithnjë propozimet tona pësuan ndryshime rrugës gjatë miratimit, megjithëkëtë disa nga figurat më të shquara u dekoruan dhe u nderuan me tituj dhe medalje të ndryshme. Veprimtaritë e organizuara për nder të tyre në Teatrin “Migjeni” të Shkodrës, në sallën qëndrore të Universitetit “Luigj Gurakuqi”, në sallat e bibliotekës “Marin Barleti”, apo në Muzeun Popullor, kërkonin një bashkëpunim të sukseshëm mes grupit të inteklektualëve të angazhuar pranë Myftinisë së Shkodrës dhe Institucioneve shkencore të qytetit. Kështu u përkujtuan një grup hoxhallarësh të nderuar në Teatrin “Migjerni”, Daut Boriçi me nismën e Muzeut Historik të Rrethit, Jufuf Efendi Tabaku dhe Esad Efendi Myftia në Bibliotekën “Marin Barleti”, Imam Vehbi Ismaili apo Shefqet Muka në Teatrin “Migjeni” me angazhimin e Muzeut Historik të Rrethit, Hafiz Ali Ulqinaku me nismën e Katedrës së Pedagogjisë dhe të Psikologjisë së Universitetit “Luigj Gurakuqi” etj. Në të gjitha këto veprimtari Faiku mori pjesë me referate apo me kumtesa. Ato janë një shembull i kujdesit dhe i konsideratës që breznitë e reja ruanin për veprimtarët e shquar të së kaluarës. Këto i pasoi një varg botimesh në gazetat dhe revistat e kohës, apo në botime të veçanta për pesonalitete të shquara si: Nderim për dijetarët, edukatorët dhe hoxhallarët e shquar të shkodrës, Esad Myftia drejtues i shquar arsimor, H. Ali Ulqinaku-personalietet i kulturës shqiptare, Ibrahim Kaduku-intelektual i shquar arsimor dhe fetar, Haxhi Muhamed Bekteshi-personalitet i shquar fetar, Haxhi Vehbi Gavoçi-personalitet i shquar i kulturës islame, Xhevdet Zylaj-mësues dhe edukator i nderuar, Prof. Hysniu, në kujtim të profesorit të nderuar Hysni Bushati, Xhemal Naipi-intelektual i shquar fetar e atdhetar, Qazim Hoxha-teolog i shquar islam, Studime dhe vlerësime për Daut Boriçin, Imam Vehbi Ismaili, teolog, atdhetar dhe dijetar i shquar, Përshtypje nga haxhillëku, Hafiz Adem Kazazi-fetar i devotshëm, humanitar dhe atdhetar, Sheuqet Muka-intelektual i shquar islam; e plot artikuj e studime të tjera që u përmblodhën në shumë vepra madhore, në të cilat ose mori pjesë me studimet e tija, ose qe edhe bashkautor. Mes tyre po përmendim:
a. Në përmbledhje studimesh e kumtesash, si:
-Sheuqet Muka-Mësues i Popullit, figurë e shquar atdhetare, arsimore dhe kulturore;
-Daut Boriçi- Personalitet i shquar i historisë, i kulturës dhe i arsimit kombëtar;
-Revista “Zani i Naltë”, me rastin e 75-vjetorit të botimit të numrit të parë etj.
b. Në vepra të plota si bashkautor ose si autor i tyre:
-Një jetë në shërbim të fesë, kushtuar Hafiz Sabri Koçit,
-Në kujtim të brezave, kushtuar 40 dijetarëve dhe hoxhallarëve të shquar të Shkodrës,
-Imam Vehbi Ismaili,
-Historia e Mevludeve në gjuhën shqipe,
-Opinione për njerëz, vepra, ngjarje,
-Sheh Ahmed Shkodra,
-Hafiz Ali Ulqinaku, jeta dhe veprat.
c. Krahas këtyre ai ka pasur edhe shumë plane për të bashkëpunuar në nxjerrjen në dritë të shumë librave të tjerë. Mes tyre po përmendim:
-Historiku i Medreseve të Shkodrës,
-Xhamitë e Shkodrës, qendra fetare, arsimore, kulturore, etj.
Të gjitha këto veprimtari, kumtesa, referate, artikuj, studime dhe vepra të ndryshme e afirmuan Faik Lulin si një ndër aktivistët dhe studiuesit më të shquar të traditave dhe të kulturës islame në Shqipëri.
2. Një punë po kaq e madhe u bë edhe për ngritjen dhe funksionimin normal të Medresesë “Haxhi Sheh Shamia”. Ai qe një ndër themeluesit e këtij institucioni me kaq rëndësi për arsimin dhe edukimin fetar islam të breznive të reja. Madje me një grup intelektualësh hartuan rregulloren e parë të medreseve. Faiku qe anëtar i komisionit të hartimit të kësaj rregulloreje, madje njëri nga anëtarët më kompetent. Kjo rregullore u dërgua për miratim në Komunitetin Mysliman të Shqipërisë i cili ftoi në një mbledhje të tij, Islam Dizdarin, për ta paraqitur para Kryesisë së këtij institucioni i cili ishte mbledhur posaçërisht për ta diskutuar. Mbas shumë pyetjesh dhe diskutimesh, kjo rregullore u miratua dhe u ngarkuan Islam Dizdari dhe Kujtim Gjinishi të negocionin pranë Ministrisë së Arsimit, që të miaratohen në parim problematikat që lidheshin me të drejtat e detyrat e shkollave që do të ngrinte Komuniteti Mysliman. Problemet u diskutuam dhe u miratuan me zv/ministrin e Arsimit të asaj kohe. Medresetë do të kishin statusin parauniversitar, në bazë të planit mësimor të hartuar nga Ministria e Arsimit dhe Komuniteti Mysliman. Maturantët e këtyre shkollave kishin të drejtë të regjistroheshin në çdo fakultet të universiteteve shqiptare dhe të huaja, nxënësit për arsye të ndryshme mund të transferoheshin nga Medreseja në çdo shkollë tjetër pa pengesë, në shkollë mund të vazhdonin mësimet djemtë dhe vajzat, mësimi mund të fillonte nga klasa e pestë deri në të tetën dhe vazhdonte nga e nënta deri në të dymbëdhjetën etj.
Kolektivi pedagogjik me në krye drejtorin e parë të medresesë së Shkodrës, Zotëri Ahmet Osja bëri një punë të madhe për krijimin e kushteve sa më të mira për realizimin me sukses të detyrave të shkollës. Faik Luli qe një ndër konsulentët më të rëndësishëm në marësinë e punëve të medresesë.
Në vitin 1996, sapo u emërua drejtor Islam Dizdari, Faik Lulit i bëhet thirrje të punojë pranë Medresesë “Haxhi Sheh Shamia”, ku për afro 10 vjet, edhe pasi u emërua z. Hiqmet Bekteshi, i dha këtij institucioni vlera të mëdha arsimore dhe edukative. Në këtë institucion punoi me të gjithë aftësitë, përkushtimin dhe përvojën e tij, kryesisht si mësues i gjuhës dhe i letërsisë, si drejtues i komisionit të lëndëve të shkencave shoqërore, si këshilltar dhe bashkëpunëtor i përhershëm i drejtorisë dhe si veprimtar i shquar në fushën e studimeve dhe të veprimtarive të shumta shkencore. Në vitet 1995-2005 është njëkohësisht edhe anëtar i këshillit të Myftinisë. Me qëndrimet e tij ndaj problemeve që shtroheshin për zgjidhje, me diskutimet dhe mendimet e pjekura, ai dha një ndihmesë të vyer për forcimin e Myftinisë së Shkodrës që drejtohej me shumë seriozitet nga Haxhi Faik Hoxha.
3. Faiku u zgjodh Kryetar i Shoqatës së “Intelektualëve islamë”, Dega e Shkodrës. Nuk ka veprimtari shkencore apo kulturore-edukative që zhvilloi Medreseja, Myftinia, Qendra Kulturore “Daut Boriçi”, Komuniteti Musliman në shkallë rrethi, kombëtare apo edhe ndërkombëtare ku nuk mori pjesë Faiku me cilësinë e Kryetarit të Shoqatës së intelektualëve islamë, si organizator, autor i referateve, kumtesave apo bisedave. Dega e Shkodrës e kësaj shoqate u shqua në rang kombëtar falë drejtimit me kompetencë nga Kryetari i saj, Faik Luli. Këtë të vërtetë do ta pohonte në shumë veprimtari Prof. Dr. Bedri Bylyku, kryetar i shoqatës për të gjithë Shqipërinë.
Ndërkohë shkroi dhe botoi një seri veprash të shquara duke bashkëpunuar ngushtë me kolegët e vet. Ai sikurse e kanë cilësuar shumë autoritete shkencore, arriti kulme të tilla saqë u shqua në fushën e studimeve islame, sidomos për traditat kulturore, në shkallë vendi por edhe në të gjitha trevat shqiptare, në Kosovë, Maqedoni, Mali i Zi etj. Nga të gjitha anët dhe autoritetet më të larta shkencore kanë dhënë për Faikun vlerësime duke e cilësuar atë si ndër të parët dhe ndër më të shquarit autoritete të fushës së studimeve islame. Vlerësime të tilla kanë dhënë Imam Vehbi Ismaili, Haxhi Vehbi Gavoçi, Mr. Naim Tërnava, Prof. Feti Mehdiu, Mr. Qemajl Morina, Prof. Ismail Ahmeti, Prof. Pajazit Nushi, Prof. Jashar Rexhepagiq, Dr. Mehdi Polisi, etj.
Njeriu i mirë
Mirësia ishte një aspekt tjetër i jetës së Faikut. Kush e ka njohur, mbi të gjitha ka dalluar tek ai njeriun e mirë. Ai ishte një bashkëshort dhe familjar i mirë, ishte një shok dhe mik i mirë, ai e shihte të mirën kudo në jetë, në shoqëri, në çdo veprimtari. Ai kishte gjithnjë fjalën e mirë në gojë të shoqëruar me një buzëqeshje të ëmbël si tek rrallë kush e shihje. Gjithnjë në çdo situatë sado të tensionuar, ai gjithnjë dinte të gjente rrugën më të drejtë, më të mirë, dinte të qetësonte gjakrat dhe ta fuste zgjidhjen e problemeve në rrugën e vet të shtruar e të qetë. Tek ai ishin kombinuar bukuria shpirtërore me atë fizike. Një burrë, në rini i hijshëm, në burrëri shumë fisnik në pamje dhe në sjellje, që në jetën e vet kishte rrezatuar gjithnjë mirësi dhe edukatë shembullore. I veshur mirë, shumë hijshëm, gjithnjë i kërrpitur, prezantonte veten dhe rangun e tij familjar me shumë dinjitet në të gjitha sferat shoqërore. Kudo dhe kurdoherë ai ishte i matur, serioz në çdo situatë dhe dashamirës deri në fund. I dashur me nxënësit, i dashur me shokët dhe veçanërisht i dashur në familjen e vet. Ishte shembulli më i përkryer i një qytetari me cilësitë më të larta. Me të drejtë shoku i tij Maliq Gjyli duke parë se Faiku përdorte shumë sheqerin (një kafe e pinte me tri apo katër lugë) pati thënë me shaka: “Mos kini frikë, Faikut nuk i bën dëm sheqeri. Ai ha shumë, por edhe derdh shumë sheqer”. E me të vërtetë kush buzëqeshte çiltër si ai, kush jepte këshillën e ëmbël për çdo zemër nevojtare si ai, kush derdhte më shumë sheqer se ai?
Familjari i përkryer
Dashurinë dhe nderimin për të gjithë rrethin e vet të gjerë familjar, ai e shprehte me një ndjenjë të lartë përgjegjësie dhe përkujdesjeje për secilin. Jo vetëm njërëzit e afërm, por të gjithë e kanë ndjerë përkujdesjen dhe përgjegjësinë që ndiente Faiku për to. Nuk ka nip apo mbesë që nuk ka ndjerë përkujdesjen dhe dashamirësinë e tij në zgjidhjen e shumë problemeve që ka jeta. Ai e lidhte shumë ngushtë dashurinë me sakrificën e pakufi ndaj tyre. Madje nuk mund ta kuptonte dashurinë ndaj brezit të vet familjar, pa sakrificën maksimale ndaj tyre, ai ishte gjithnjë i gatshëm të ndihmonte, të futej me guxim në të fshehtat e problemeve të secilit dhe të jepte maksimumin e mundshëm në zgjidhjen e tyre. Prandaj edhe të gjithë këshilloheshin me të, gjenin tek ai përkrahje dhe ndihmë, qetësi dhe besim. Një shembull i kësaj simpatie publike mbarë familjare dhe shoqërore është edhe ceremonia e varrimit të të ndjerit. Në familjen e tij nuk mbeti kush pa ardhë për ngushëllim, në sallën e Medresesë ku u vendos trupi i tij për homazhe, erdhi për t’i dhënë lamtumirën e fundit mbarë Shkodra dhe më gjerë, miq nga Tirana, Turqia, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia, në faljen e xhenazes morën pjesë aq shumë xhemat sa nuk ishte parë ndonjëherë në një ceremoni mortore, erdhën me dhjetra telegrame, e-maile dhe letra ngushëllimi nga të katër anët e botës. Të gjitha këto shprehin nderimin e madh mbarë shoqëror dhe familjar për të.
Ai ishte një bashkëshort i denjë. Gruaja e tij, Melihaja, tashti e ndjen humbjen e madhe. Faiku për të qe bashkshort, shok e mik. I dashur me të gjithë por i përkryer në sjellje dhe në mirëkuptim ndaj së shoqes. E gjithë veprimtaria e tij e gjerë shkencore dhe botuese, e gjithë puna e tij e madhe në arsim dhe në shoqëri, nuk mund të ishin realizuar pa mirëkuptimin dhe përkrahjen e Zojës Meliha. Ajo gjithnjë ishte përkrahëse e të shoqit, i krijonte kushte jete e pune, asnjëherë nuk u ankonte, i shërbente me dinjitet. Natyrisht ajo është kryelarteë për atë burrë të nderuar me të cilin ndau travajët e jetës por që hëngri, siç thotë populli, bukë të ëmbël në paqe dhe në harmoni.
Faiku ishte mik i të gjithëve. Shumëkush mund të thotë se e kam pasë mik, madje të gjithë krenohen që kanë punuar, kanë jetuar dhe kanë janë shoqëruar me të. A ka pasuri më të madhe se të kesh miq e shokë të mirë si Faiku? E Faiku qe i përkryer. Ai frymëzonte besim dhe dashuri tek të gjithë, por sidomos tek bashkëpunëtorët e afërt të tij. Ai jepte gjithnjë shembullin në kryerjen e detyrave, ishte në ballë të punëve, prandaj edhe shokët e miqtë e tij e kishin për nder të punonin me të, të zgjidhnin problemet me të, të sigurtë se së bashku me të do të ecnin përpara në rrugën e drejtë e të ndershme. Ne mund ta provojmë me një mijë shembuj këtë, por shumë që e kanë njohur do ta quanin të tepërt. Kjo është një aksiomë që nuk ka nevojë për vërtetim.
Edhe një aspekt të bamirësisë së tij nuk mund të rrijmë pa e përmendur. A mundet kush të na tregojë se sa çifte ka afruar, në sa familje ka trokitur për të thënë fjalën e mirë për një djalë apo për një vajzë. Ato çifte që sot jetojnë të lumtur me familjet e tyre dhe me fëmijët e tyre mund të krenohen se shtysat e para drejt një familjeje të nderuar i kanë marrë nga Faik Luli. Po na thoni në sa familje ka hyrë për të dhënë mendimin e tij me zemër në dorë për të ndarë e sqaruar mosmarrëveshjet, keqkuptimet, brengat dhe hidhërimet që i pasojnë këto dukuri shoqërore. Shpeshherë edhe në rastet më të vështira, ai gjente melhemin e zemrave, i zbuste mëritë, i afronte njerëzit, i pajtonte dhe i miqësonte. Vetëm një burrë i urtë dhe me zemër të madhe mund ta bënte këtë. Dhe i tillë ishte Faik Luli.
Jeta e tij kishte kuptim vetëm kur ishte e ngarkuar së tepërmi. Gjithnjë na bënte përshtypje pranimi i çdo pune. Ai ishte i gatshëm të pranonte çdo kërkesë të çdo institucioni shkencor brenda dhe jashte vendit për të kryer një kumtesë, një referat, një libër shkencor, një projekt etj. Le që vetë ishte gjithnjë në kërkim të diçkaje të re dhe interesante. Në projektet që kemi hartuar për studimin dhe botimin e trashëgimisë sonë kulturore, Faiku nuk pushonte kurrë. Edhe për Shefqet Mukën, edhe për Daut Boriçin, për Hafiz Sabri Koçin, për Imam Vehbi Ismailin, etj., edhe për dijetarët islamë të Shkodrës, madje, kur u botua vëllimi i parë “Në kujtim të brezave”, me 500 faqe, filloi të na ngacmojë për të dytin, edhe për “Mevludet në gjuhën shqipe” me 700 faqe, edhe për “Hafiz Ali Ulqinaku, jeta dhe veprat” me 500 faqe, etj. Ai nuk ishte i kënaqur kurrë me punën, kërkonte çdo ditë edhe më shumë. Pa mbaruar njëri studim, pa dalë në qarkullim njëri libër e kishte filluar punën për tjetrin. Më vjen shumë keq që nuk e pa të botuar librin aq për zemër “Hafiz Ali Ulqinaku, jeta dhe veprat”, për të cilën punoi një kohë të gjatë, po kështu me gjithë përpjekjet e bëra nuk arriti të kryente dy punë me rëndësi që kishim planifikuar: “Historiku i medreseve të Shkodrës” dhe “Xhamitë e Shkodrës”. Libri për Hafiz Ulqinakun doli në qarkullim falë përkujdesjes së Logos-it, madje doli një botim luksoz, edhe më i mirë seç e kishim pritur ne. Nuk e di a do të kemi forcat e duhura për të kryer dy botimet tjera që i kishim në plan, për medresetë dhe xhamitë e Shkodrës. Përmes këtyre veprave ne synonim të tregonim traditat e shquara kulturore të Shkodrës për t’i treguar të gjithëve dhe sidomos të rinjve se, në Shkodër kanë jetuar dhe punuar dijetarë të shquar, se këtu kanë jetuar dhe punuar personalitete të kulturës shqiptare, se ato kanë punuar dhe madje kanë shkrirë të gjithë jetën në dobi të fesë, të atdheut, të kulturës dhe të shkencës shqiptare, të edukimit dhe të arsimimit të breznive të reja. Jo më kot në këto treva ka një trashëgimi të shquar, sepse kjo ka pasur rrënjë të shëndosha të ushqyera me mundin, djersën, diturinë dhe gjakun e këtij populli. Askush sot nuk mund t’i cënojë apo t’i shkulë këto. Dhe në këtë drejtim Faik Luli dha një kontribut të shquar si rrallëkush.
* Itali, Gusht 2005

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit