Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara do të mblidhet të enjten për të diskutuar një rezolutë të Arabisë Saudite që shpreh shqetësim të madh lidhur me dhunën në Siri dhe dënon mungesën e veprimit nga ana e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Projekt-rezoluta gjithashtu ngre shqetësime rreth kërcënimit të qeverisë siriane për të përdorur armë kimike kundër asaj që Siria i quan ‘pushtues të huaj’. Projekt rezoluta saudite i bën thirrje Presidentit Bashar al-Asad të japë dorëheqjen për hir të një tranzicioni paqësor në qeveri demokratike.
Në Asamblenë e Përgjithshme nuk ekziston e drejta e vetos, ndryshe nga Këshilli i Sigurimit, ku Rusia dhe Kina kanë kundërshtuar 3 projekt rezoluta të veçanta që kërcënojnë Sirinë me sanksione për përdorimin e armëve të rënda kundër civilëve.
Luftimet vazhduan edhe dje në Siri, përfshirë qytetin më të madh të vendit, Aleppo.
Gjithashtu të martën, figura të opozitës në takimin në Kajro thanë se do të fillojnë formimin e një qeverie kalimtare në mërgim.