0 C
Pristina
Tuesday, December 24, 2024

Ministri kroat i Mbrojtjes viziton Kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz

Më të lexuarat

PRISHTINË (AA) – Ministri i Mbrojtjes i Republikës së Kroacisë, Josip Buljeviq i cili së bashku me bashkëpunëtorë e tij po qëndron për vizitë zyrtare dyditore në Kosovë, sot ka vizituar Kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz, i shoqëruar nga nikoqiri i tij, ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës (MFSK), Haki Demolli, raporton Anadolu Agency (AA).

Me këtë rast, ministri Buljeviq fillimisht vendosi kurorë lulesh mbi varrin e Komandantit legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jasharit dhe pastaj bëri homazhe në varrezat e Familjes Jashari, duke u shënuar në Librin e kujtimeve në Muzeun historik, në Prekaz.

“Ministrin Buljeviq në emër të familjes Jashari e priti Murat Jashari, nipi i Komandantit legjendar Adem Jashari, i cili gjatë vizitës nëpër varreza i shpjegoi detaje për çdo të rënë të familjes Jashari, ligjërim ky të cilin ministri kroat i Mbrojtjes dhe delegacioni i tij e përcollën me vëmendje”, thuhet në njoftimin e MFSK-së.

Më pas, mysafirët nga Kroacia vizituan Kullat-Muze të Jasharajve dhe muzeun historik të Rezistencës së Jasharajve, ndërsa sipas traditës, ministri Buljeviq u prit nga Murat Jashari në odën e Jasharajve, ku në emër të familjes i uroi mirëseardhje.

Me këtë rast, nikoqiri dhe mysafiri shkëmbyen dhuratat, ministri Buljeviq i dhuroi Familjes Jashari emblemën e Vukovarit, shenjën e qëndresës kroate gjatë luftës kroate –serbe të viteve të 90-ta, ndërsa Murat Jashari i dhuroi emblemën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, simbolin e rezistencës së shqiptarëve të Kosovës për liri dhe pavarësi.

Në fjalën e tij mikpritëse, Murat Jashari e falënderoi delegacionin kroat për vizitën në Kosovë dhe në familjen Jashari, duke shprehur vlerësuar lartë kontributin që e ka dhënë dhe po e jep Kroacia për zhvillimin e Kosovës. Ai po ashtu, shpjegoi historikun e qëndrimeve të familjes Jashari dhe bindjen e fortë që kishin, se pa luftë dhe sakrificë nuk vjen liria.

Ministri Buljeviq shprehi falënderime të thella për mikpritjen dhe respektin e treguar nga familja Jashari, njëherësh duke shprehur mirënjohje, nderim dhe respekt për qëndresën dhe sakrificën e madhe që është bërë nga familja Jashari me në krye Komandantin legjendar Adem Jashari, për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Gjatë bisedës me Murat Jasharin, ministri kroat i Mbrojtjes foli edhe për rezistencën çlirimtare të popullit kroat, sakrificat që ka bërë për liri, duke bërë krahasime me rezistencën e shqiptarëve për liri dhe ndërtimin e shtetit të lirë dhe të pavarur.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit