3 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

Kur’ani si terapi mjeksore

Më të lexuarat

“Unë nuk të kam thënë asnjëherë se Kur’ani është një libër i gabuar. Por ti, ngaqë je në gjendje prej të vdekurit, nuk mund ta kuptosh atë. Muhammedi u bashkua me tërësinë. Një pikë ishte, oqean u bë. Në Hira kishte një festë, sepse Muhammedi u ngjit në pikën më të lartë që mund të ngjitet një njëri, në zenit. Dhe e mori atë, dhuratën e madhe. Ai ishte në zenit. Ti pa e përjetuar atë gjendje që u përjetua në Hira, as Kur’anin e as Muhammedin nuk mund ta kuptosh. Kur’ani nuk është gabim, Kur’ani është i drejtë dhe i vërtetë… Gjithçka është e varur nga ty… Mirëpo ti, ngaqë nuk e ke zbuluar Muhammedin që ke brenda, e mban atë, nuk e jeton. Mos e mbaj, por jetoje, shijoje.” (Osho, “Rruga e Mistikës”)

Kohët e fundit janë bërë disa studime lidhur me energjitë pozitive dhe negative, lidhur me valët që përhap njeriu nga aura, lidhur me energjitë që përmbajnë fjalët, mendimet, madje edhe ndjenjat. Janë arritur rezultate interesante që janë të lidhura drejtpërdrejtë me temën tonë.

Njëri prej këtyre hulumtimeve është edhe ai i Prof. Dr. Masaru Emoto-s që ka bërë mbi ujin, mbi kristalet e ujit, punime të cilat i ka përmbledhur në libra të ndryshëm të tij.

Prof. Emoto ka punuar me mikroskop mbi kristalet e ujit për 12 vite me radhë dhe ka konstatuar se kristalet e ujit reagojnë ndaj faktorëve të jashtëm, si; fjala, shikimi, shkrimi, muzika, mendimi dhe ndjenjat. “Janë aq të rregullta dhe të pastra fotografitë që i janë bërë kristaleve të ujit,” -shprehet Prof. Emoto, “por, në momentin kur artikulohet fjala “djall” pranë ujit kristalet hyjnë në forma kaotike, deformohen; kur i bëni të dëgjojnë fjalë të bukura ose kur u bëhet lutje shfaqet më dukshëm pastërtia dhe përbërja gjashtëkëndëshe e kristaleve të ujit.”

Ai shprehet se uji reagon edhe sipas gradëve të ndryshme të vetëdijes, sikur i di të gjitha dhe merr formë sipas përbërjes së tyre. “Për shembull”, -thotë ai, “kur pranë ujit lëshohet muzikë Heavy-metal, kristalet e ujit shpërbëhen. Gjithashtu, e njëjta gjë ndodh edhe kur përdoren fjalë fyese, banale pranë ujit. Madje, edhe kur mendohen gjëra negative, qoftë edhe kur je i shqetësuar, kristalet e ujit deformohen.”

Mos të harrojmë se 70 % e trupit të njeriut është ujë. Imagjinoni çfarë ndikimesh marrim dhe japim ndaj njëri – tjetrit gjatë jetës së përditshme kur përballemi me fjalë, mendime apo ndjenja negative.

“Si reagojnë kristalet e ujit kur i jepet të dëgjohet Kur’an? Po ndaj 99 emrave të Allahut? Si reagon ndaj shkrimit “Bismil’lah” dhe çfarë forme kanë kristalet e ujit të Zemzemit?” -ishin një grup pyetjesh që i patën bërë Prof. Emotos, i cili ishte i ftuar në Ditën e Ujit, vitin e kaluar në Kolegjin Doğa në Turqi. Përgjigjja ishte në këtë mënyrë:

“Kristalet shfaqeshin në një mënyrë aq të bukur, saqë fillova të mendoja se mos kam gjë lidhje unë me Islamin? Mos ka diçka për t’më thënë Islami mua? Mos vallë, po më tërheq brenda vetes kjo fe?!… Së shpejti në Arabinë Saudite do botohet një libër i imi, aty do shikoni edhe fotografitë që i kam bërë ujit në këto raste”

Prof. Emoto, bashkë me ekipin e tij kanë shkuar edhe në zonat arabe; Egjipt dhe Arabi Saudite për të bërë testimet që sapo përmendëm. Ndër të tjera, ata kanë bërë studime mbi myslimanin që bën dua, mbi njeriun që dëgjon ezanin dhe mbi njeriun që dëgjon Kur’an. Për arsye të rezultateve që ai pat dhënë pas studimit, u popullarizua shumë emri i tij në shtetet Islame.

Ai, në një prej stacioneve televizive të Kajros ka shpjeguar gjatë ndikimin në organizmin e njeriut efekti që bën artikulimi i Fjalës së Zotit, i ezanit dhe i Esmau’l-Husnas (emrat e Zotit). Në fund ai përdor një shprehje të tillë: “Feja Islame është besimi i drejtë, këtë e dëshmon edhe përputhshmëria që ka Fjala e Zotit me organizmin e njeriut”.

Pasi pata lexuar këtë, të nderuar të ftuar, fillova ta mendoja pak më ndryshe thënien e Profetit tonë të dashur, “Kur’ani dhe besimtari janë binjakë”. Ndoshta edhe në Kur’an përmenden momentet më ekstreme të fuqisë së fjalës, së tingullit, zërit, p.sh. Fuqia e fjalës “Kun!” (Bëhu!), fuqia e zërit që do dalë nga suri (briri), aq i veçantë sa të bëjë të vdesë çdo njeri e pastaj të ringjallet çdo njeri. Dhe në suren Kamer, ajeti 31 thuhet: “Ne u lëshuam kundër tyre një ushtimë, e ata u bënë si shtroje vathi.” Imagjinoni çfarë efekti mund të bëjë zëri, në ç’dimensione mund të hyjë.

Po, Kur’ani është i koduar tek çdo njeri, pa përjashtim. Shkenca do e vërtetojë në kohët në vijim këtë gjë. Dhe mesa duket së shpejti do fillojmë ta dëgjojmë shpesh këtë gjë. Madje, një shkencëtar mysliman pakistanez, inxhinier i genetikës, në punimet që ka bërë rreth ADN-së, ka konstatuar se në kodonet me numër P19 të ADN-së gjendet e shkruar sureja Alak. Vini re, P19-ta dhe sureja Alak. Është sureja e parë që ka zbritur dhe përbëhet nga 19 ajete. Pa dashur të ndalemi në misterin e shifrës 19, po qëndrojmë në temën tonë.

Jo më kot, ekspertët e valëve që përhap njeriu nga truri kanë konstatuar se leximi i Kur’anit në gjuhën autentike të tij bën efekt që njeriun ta mbetet apo të kthehet nëvalët alfa, pra në valët e prehjes, qetësisë shpirtërore, duke ia transformuar valët beta që zakonisht përçon njeriu kur është i shqetësuar.

Pikërisht këtë gjë ka vërtetuar edhe studimi i klinikës “Akbar” në Florida. Studimi ishte planifikuar të realizohej mbi ajetet e Kur’anit që flasin për mëshirën dhe kurimin. Ky studim do të bëhej në lidhje me ndikimin fizik të Kur’anit dhe veçoritë kuruese të tij mbi organizmin, që do të vëzhgoheshin nga mjetet më moderne të kompjuterizuara. Për këtë studim, u morën vullnetarisht persona jomuslimanë, që nuk dinin arabisht dhe të moshave të ndryshme. Pra, eksperimenti do të kryhej mbi ata që nuk kanë asnjë njohuri në lidhje me ndikimin kurues të Kur’anit. Të eksperimentuarit, së bashku me origjinalin arabisht të Kur’anit, dëgjuan edhe përkthimin e tekstit në anglisht. Në këtë kohë, leximi i Kur’anit bëhej nga zëra të ndryshëm, duke u marrë kështu parasysh veçoria e ndikimit të zërit. Pas studimeve prej një viti, përfundimi, që doli me një fjalë të vetme, ishte i jashtëzakonshëm, sepse në 97% të vullnetarëve të eksperimentuar, u vu re një rënie e theksuar e stresit, për shkak të ndikimit të drejtpërdrejtë në sistemin nervor autonom. Një arritje tjetër e eksperimentit ishte edhe mundësia e matjes së ndikimit të dëgjimit të Kur’anit mbi trupin e njeriut.

Në këtë sukses, rolin kryesor e luajtën mjetet matëse kompjuterike, të prodhuara posaçërisht për këtë eskperiment. Matjet u bënë në sajë të ndryshimit të potencialit elektrik të muskujve, përçmimit elektrik të lëkurës, shpejtësisë së rrahjes së zemrës dhe ndryshimit të nxehtësisë së lëkurës.

Të gjitha këto ndryshime ndikuan në organet e tjera të trupit dhe në funksionet e tyre, duke bërë të mundur të përcaktohej kështu edhe ndikimi mbi sistemin nervor autonom. Ky sistem gjithashtu tregoi ndikimin e Kur’anit edhe në vënien në lëvizje të sistemit imunitar, duke bërë të mundur parandalimin e kancerit dhe të shumë sëmundjeve tjera. Përfundimet e pjesës së parë të eksperimentit u paraqitën në “Kongresin e 17-të të Mjekësisë Islame”, në Misuri të Amerikës Veriore, ku rezultatet u pranuan me entuziazëm. Kështu doli në pah, krahas burimit kurues shpirtëror, edhe forca shëruese, në drejtimin material dhe fizik e Kur’anit. Këto makina, duke mos i lënë vend rastësisë, nxirrnin çdo herë të njëjtin rezultat të ndikimit të Kur’anit tek të eksperimentuarit, dhe, ndaj dëgjimit të fjalës Allah, u vu re se rritja e qarkullimit të gjakut, e rrahjeve të zemrës dhe nxehtësia e lëkurës u normalizuan. Vlen për t’u përmendur se, dëgjuesit në asnjë mënyrë nuk dinin gjë rreth asaj që dëgjonin. Megjithatë, kur dëgjonin fjalënAllah, ndikimet ishin të menjëhershme, ndryshe prej pjesëve të tjera.

Pikërisht këtë po konstaton prej kohësh edhe psikiatri holandez Vander Hoven, i cili ka tre vite me radhë punon mbi zërin, mbi gjuhën dhe analizon efektet e tyre tek njeriu. Vetë ai nuk është mysliman, por ka parashtruar se sistemi, muzikaliteti dhe vibracioni i fjalëve të ajeteve të Kur’anit bën efekt shumë pozitiv në veçanti tek ata që janë të sëmurë me zemër, me tension dhe me strese. Ai thotë se ata që lexojnë dhe dëgjojnë Kur’an e largojnë veten lehtësisht nga shqetësimet psikologjike.

Për shembull, kur thuhet fjala Allah, thotë ai, germa e parë, germa “elif/a” është një zë që vjen nga respiratori dhe kontrollon frymëmarrjen. Ndërsa kur thuhet bashkëtingëllorja “l”, gjuha prek lehtë në qiellzën e sipërme, gjë e cila është një pauzë. Më pas, të bësh të njëjtin kontroll të frymëmarrjes, pra të thuash sërish “la” liron frymëmarrjen. Veçanërisht, kur thuhet germa e fundit që është “h” krijohet një lidhje mes mushkërive dhe zemrës dhe kjo lidhje rregullon ritmin e zemrës. Në shëndetin njerëzor faktori më i rëndësishëm dhe më parësor është frymëmarrja. Hoveni ka konstatuar se me frymëmarrje të mirë njeriu është mirë dhe më frymëmarrje të parregullt njeriu është i ekspozuar për sëmundje. Lidhur me këtë temë, në një qendër mjekësore, pacientëve që vijnë, sipas gjendjes së tyre, u thotë që të thonë në sasi të caktuara fjalën “Allah”. Ai në këtë mënyrë bën terapi.

Fjala Zot nuk mund ta zëvendësojë fjalën “Allah” apo fjala “lexo” fjalën “ikra”. Përkthimi vlen për të kuptuar. Prandaj, vendin e origjinales nuk mund ta zëjë asgjë. Gjuha e nënndërgjegjës së njeriut është kuranishtja, pra gjuha e Zotit në një farë mënyre. Format që janë në ADN-në tonë që prej kohës së Hz. Ademit a.s., të cilat ne i trasformojmë në vibrime, pastaj i zgjojmë me Kur’an…

Studime të tilla po bëhen në mbarë botën. Ndërsa, Kur’ani, në fakt ka 1400 vjet që po bën efektin kurativ tek njerëzit. Shkenca thjeshtë po i vë emër praktikës së myslimanëve.

Ne sot, më shumë se kurrë duhet t’i rikthehemi këtij libri të mistershëm, Kur’anit, ta lexojmë atë, më këtë vetëdije; Kur’ani është shërim për brendësitë tona dhe mëshirë për besimtarin.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit